12 maj 2025, Shkup – Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij përfundimtar për vendin tonë, pas misionit të rregullt sipas nenit 4, të publikuar këtë javë, vë në dukje se investimet publike, së bashku me kërkesën e brendshme, do të jenë nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike, e cila, sipas tyre, do të intensifikohet dhe do të arrijë në 3.3%.
Në raportin përfundimtar, ata theksojnë se rritja ekonomike, pavarësisht risqeve të jashtme, do të ketë intensitet, e nxitur nga kërkesa më e lartë e brendshme, me ç’rast do të intensifikohen projektet e investimeve publike, përfshirë projektin e korridoreve rrugore 8 dhe 10d, ndërsa konsumi përkrahet nga transfertat e Qeverisë dhe rritja reale e pagave.
Siç është theksuar në këtë raport, respektimi i rregullave fiskale dhe krijimi i baferëve (rezervave) në kushte të pasigurisë janë thelbësore për konsolidimin fiskal. Sipas FMN-së, kjo ka rëndësi thelbësore për ruajtjen e besimit të tregut, sigurimin e qasjes te kapitali ndërkombëtar, krijimin e hapësirës për investime, si dhe rritjen e rezistencës ndaj goditjeve në të ardhmen.
Mes të tjerash, FMN-ja thekson edhe nevojën për reforma strukturore për rritjen e produktivitetit, kompensimin e shpenzimeve të emigrimit, avancimin e procesit të antarësimit në BE, uljen e ekonomisë joformale, investimet në arsim, rritjen e dixhitalizimit dhe të tjera…
Misioni i FMN-së u realizua në periudhën nga 13 deri më 25 shkurt, ndërsa raporti u përgatit mbi bazën e të dhënave preliminare të publikuara pas përfundimit të këtij misioni. Konsultimet mbi nenin IV janë të rregullta dhe do të realizohen në nivel vjetor.