19 maj 2025, Shkup – Konsolidimi fiskal mbetet prioritet i Qeverisë dhe ne nuk do të heqim dorë nga ajo që është përcaktuar me Strategjinë fiskale. Kemi arritur kulmin, ndërsa tani do të vijojmë drejt uljes së borxhit publik. Këtë e theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ftuar në emisionin 360 Shkallë, lidhur me ndikimin e realizimit të planit të ri të investimeve ndaj nivelit të borxhit publik.
“Deficiti buxhetor vitin e kaluar ishte 4.4% të PBB-së, ndërsa këtë vit është 4%. Borxhi publik në tremujorin e parë të vitit 2025 është më i ulëti në 5 vitet e fundit dhe për herë të parë që nga viti 2018 e këtej shënon ulje krahasuar me fundin e vitit. Përkatësisht, prej vitit 2018 e këtej, nuk ka pasur vit, përveç këtij, në të cilin borxhi publik në tremujorin e parë ka qenë më i ulëti, se në fund të vitit”, tha ministrja e Financave dhe shtoi se borxhi në tremujorin e parë është ulur për 36 milionë euro, diçka që nuk ka ndodhur në periudhën e kaluar.
Ajo thekson se ka qasje të kujdesshme ndaj punës dhe se kjo dëshmon kujdesin për buxhetin.
“Mund të kishim vepruar në mënyrë të njëjtë si në periudhen e kaluar. Këtu mund të potencohet huamarrja e tremujorit të parë, për të qenë të qetë deri në fund të vitit dhe që qytetarët pastaj ta paguanin interesin. Mund ta kishim detyruar shtetin që të merrte hua prej 300-400 milionë eurove dhe pastaj çdo muaj ta paguanim interesin prej 7%. Por, kush do të jetë përgjegjës? Këtë, kjo ministre nuk do ta lejojë. Të dhënat e dëshmojnë këtë”, potencoi ajo.
Ajo thekson se huamarrja është e justifikuar vetëm nëse ka vlerë të shtuar në ekonomi.