Кumtesa|

3 qershor 2025, Shkup – Të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë dhe subjektet publike, siç janë ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionare shtetërore, përfshirë komunat, janë të detyruara t’i parashtrojnë nismat e tyre për zbatimin e projekteve të infrastrukturës publike me një shumë të vlerësuar prej 5 milionë eurosh e më shumë në Ministrinë e Financave, e cila do t’i shqyrtojë dhe verifikojë studimet parainvestuese në mënyrë të pavarur. Kjo parashikohet me Rregulloren e re të menaxhimit të investimeve publike për përmirësimin e procesit të përgatitjes së projekteve infrastrukturore, si dhe arritjes së fazës së tyre përfundimtare të financimit dhe zbatimit.

 

Sipas Rregullores së përcaktuar, procedura ka të bëjë me projektet infrastrukturore me një shumë të vlerësuar prej 5 milionë eurosh, respektivisht do të vlerësohen projektet nga 5 milionë euro e më shumë. Vlerësimi kryhet nga sektori i veçantë, përkatësisht nga Sektori i Menaxhimit të Investimeve Publike, i cili u krijua në suaza të Ministrisë së Financave. Roli i tij është zbatimi i shqyrtimit dhe verifikimit të pavarur të studimeve parainvestuese, monitorimi i zbatimit të portofolit të projekteve infrastrukturore publike në nivel qendror për shfrytëzuesit buxhetorë dhe raportimi në Qeveri.

Propozuesit e projektit kanë për detyrë t’i përgatisin idetë projektuese, respektivisht konceptin e projektit, ndërsa më pas studimet e fizibilitetit për propozimin e projektit, kurse Ministria e Financave, përkatësisht Sektori i Menaxhimit të Investimeve Publike, do ta verifikojë dhe vlerësojë plotësinë dhe cilësinë e studimeve të parashtruara në aspektin e ndikimit fiskal, risqeve dhe qëndrueshmërisë. Gjithashtu, për përcaktimin e projekteve që do të prioritizohen për financim, Qeveria do të formojë grup pune/komitet ndërresorial, që do të bëjë renditjen e propozimeve të projekteve në nivel qendror, ndërsa listën përfundimtare prioritare do ta miratojë Qeveria në përputhje me qëllimet dhe prioritetet e saj.

Qëllimi është krijimi i qasjes së strukturuar dhe gjithëpërfshirëse për miratimin e vendimeve mbi prioritetin e projekteve të propozuara për investime publike, e cila synon përmirësimin e procesit të përgatitjes së projekteve infrastrukturore, por edhe të fazave vijuese, përkatësisht financimin dhe realizimin e tyre.

 

Pritshmëritë janë se në këtë mënyrë do të përmirësohet efikasiteti i realizimit të projekteve kapitale, veçanërisht për shkak të faktit se do të zvogëlohet mundësia e vonesës gjatë realizimit për shkak të mosekzistimit të dokumentacionit paraprak mbi realizimin e propozimit të projektit (studimi i fisibilitetit) dhe vlerësimit të papërshtatshëm mbi risqet e projektit. Kjo qasje është gjithpërfshirëse si praktikë adekuate që zbatohet nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe vendet që menaxhojnë në mënyrë të duhur investimet publike.

 

“Në këtë drejtim ndryshojmë mënyrën në të cilën do t’i miratojmë vendimet e investimeve. Kjo, për arsye se në të kaluarën kemi pasur situata kur projektet kanë filluar dhe nuk i kemi përfunduar me vite të tëra. Kjo vjen si pasojë se projektet nuk ishin përgatitur siç duhet për të filluar me realizimin e tyre. Procedurat kanë filluar dhe tani jemi bllokuar. Prandaj, nuk dëshirojmë që kjo të përsëritet. Rregullorja u hartua edhe nga përbërja e mëparshme ministrore dhe kemi bërë presion që kjo të përfundojë sa më shpejtë, me qëllim që këtë obligim, t’ua imponojmë edhe institucioneve dhe ato të fillojnë për ta respektuar këtë proces”, theksoi ministrja e Financave, në konferencën për shtyp të Qeverisë.

 

Bëhet fjalë për aktivitet që është pjesë e reformës në financat publike dhe që rezulton nga ligji i ri, respektivisht Ligji i Buxheteve, i cili është bazë për krijimin e sistemit të ri dhe efikas të menaxhimit të financave publike. Njëkohësisht është pjesë e agjendës sonë reformuese për Planin e rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe prioritet kryesor reformues në udhërrëfyesin e reformës në administratën publike në procesin e negociatave paraaderuese me Bashkimin Evropian dhe në dialogun financiar dhe ekonomik me BE-në.

Ministria e Financave në periudhën e ardhshme do të mbajë trajnime për të punësuarit në sektorin publik që punojnë në përgatitjen, definimin, vlerësimin, zbatimin dhe monitorimin e projekteve të mëdha infrastrukturore për krijimin e kapaciteteve të tyre për menaxhimin më efikas dhe më efektiv të investimeve publike.

Lista e parë e projekteve, në përputhje me sistemin e ri, duhet të jetë përgatitur deri në muajin tetor të këtij viti dhe do të zbatohet me buxhetin e vitit 2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *