2 janar 2019, Shkup – Shpenzimet kapitale në Buxhetin për vitin 2019 janë realizuar 78% në krahasim me projeksionin. Në vlerën absolute, investimet kapitale janë 17.8 miliardë denarë, që është 5.7 miliardë më shumë se sa në vitin 2018 ose për 46.6% më shumë, tha ministrja e Financave Angellovska duke prezantuar të dhënat paraprake mbi realizimin e Buxhetit për vitin 2019.
Siç u theksua, realizimi i shpenzimeve kapitale në muajin dhjetor ishte jashtëzakonisht i mirë me realizimin e 6.7 miliardë denarëve të shpenzimeve kapitale, në kuadër të të cilave u realizua blerja e automjeteve të blinduara të lehta për nevojat e anëtarësimit në NATO, gazifikimi dhe blerja e aksioneve nga SHA GAMA, inverterët, sistemi i kolektorëve në Ohër dhe projekte të tjera.
– Do të theksoj se duhet të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e realizimit të shpenzimeve kapitale. Një nga mënyrat se si mund të veprojmë është transparenca fiskale. Kur e shpallëm veglën e shpenzimeve kapitale dhe e vendosëm atë në dispozicion të opinionit realizimin për shfrytëzuesit buxhetorë menjëherë pastaj kemi pasur një performancë më të mirë për pothuajse te të gjithë shfrytëzuesit e buxhetit. Për më tepër, gjatë planifikimit të buxhetit të këtij viti, gjatë përcaktimit të shumave të projekteve kapitale kemi marrë parasysh edhe sjelljen e shfrytëzuesve të buxhetit, përkatësisht realizimin e mëparshëm të projekteve kapitale. Në planin afatgjatë, do të sigurojmë realizim më të mirë të shpenzimeve kapitale duke përmirësuar planifikimin buxhetor afatmesëm, si dhe me futjen e një sistemi të integruar të menaxhimit të financave publike të parashikuar nga ligji i ri i buxhetit”, tha Angellovska.
Ajo sqaroi se si shfrytëzues të buxhetit që kishin realizimin më të lartë të investimeve kapitale si përqindje e planifikuar dhe si një vlerë absolute e realizimit ishin Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me 3.4 miliardë denarë ose 85.4% të projeksionit, Qeveria me realizimin e 2.9 miliardë denarë ose 98.9%, Ministria e Mbrojtjes me 1.2 miliardë denarë ose 81.3%, Ministria e Punëve të Brendshme me 931 milionë denarë ose 92.2%, Ministria e Financave me 908 milionë denarë ose 87.9% realizimi dhe Agjencia për Mbështetje Financiare të Bujqësisë me 718 milionë denarë dhe 99.7% të realizmit
Angellovska tha se të ardhurat buxhetore janë realizuar në vlerë prej 203.9 miliardë denarë, që është 97% e projeksionit dhe një rritje prej 8.2% në krahasim me vitin 2018. Sa i përket të ardhurave të përgjithshme dhe kontributet tatimore arritën në 97.2% ose 178.9 miliardë denarë, që është një rritje prej 4.6% në krahasim me vitin 2018. Kontributet u realizuan në vlerë prej 101.2%, ndërsa tatimi mbi vlerën e shtuar u realizua në shumën e plotë të parashikuar, përkatësisht 100% ose në shumën absolute 52.1 miliardë denarë dhe ishte 5.7% më e lartë se vitin e kaluar.
Shpenzimet totale në vitin 2019 janë realizuar në vlerë prej 217.6 miliardë denarë (3.5 miliardë euro) ose 95.3% të buxhetit të parashikuar. Angellovska tha se këto mjete shërbenin rregullisht me detyrimet e shtetit, siç janë pagesa e rregullt e pagave dhe pensioneve, transferet sociale, subvencionet, bllok dotacionet për komunat, etj.
Deficiti buxhetor për vitin 2019 është 13.6 miliardë denarë ose 1.95% e BPV-së së parashikuar për vitin 2019 dhe për financimin e tij si dhe për pagesë të borxhit janë shfrytëzuar burime vendore dhe të huaja, përkatësisht 148.7 milionë euro disbursim neto përmes letrave shtetërore me vlerë, 125 milionë euro kredi DPL nga Banka Botërore, si dhe një pjesë e depozitave nga viti i kaluar.
Ministrja e Financave theksoi se ekonomia është në gjendje të mirë me rritje prej 3.6% në tre tremujorët e para të 2019.
– Kjo rritje është në bazë të gjerë, përkatësisht kemi rritje si në ndërtim ashtu edhe në industri me 5.6% rritje që nga fillimi i vitit deri në tremujorin e tretë dhe bujqësia me 4.2%, me rritje bruto të investimeve prej 5.3%, konsumi me 3.8% dhe eksporti me 12.2% rritje që nga tremujori i tretë, tha Angellovska dhe theksoi se punësimi vazhdon të rritet, kështu që në tremujorin e tretë të vitit 2019 ka 40 mijë të punësuar më shumë sesa në tremujorin e tretë të vitit 2018.
Paga mesatare neto sipas të dhënave të fundit të Entit Stetëror për Statistikë në tetor arrin 25.726 denarë ose ajo është në rritje vjetore prej 3.7%, tha Angellovska.