3 tetor 2020, Shkup – Një nga përparësitë për financimin përmes Kornizës katër-vjeçare për bashkëpunim me Bankën Botërore është Sistemi i Integruar i Informacionit për Menaxhimin Financiar – SIIMF, tha Ministri i financave Fatmir Besimi gjatë takimit me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder. Ky sistem do të sigurojë një monitorim të integruar të të ardhurave dhe shpenzimeve nga planifikimi i tyre deri në zbatimin e plotë, i cili do të përmirësojë buxhetimin dhe realizimin.

Siç theksoi Ministri i financave, ky sistem është pjesë e Ligjit të ri për buxhet, i cili këtë javë është vendosur në sistemin ENER për diskutim publik. Koncepti i ri i funksionimit i parashikuar nga kjo reformë do të sjellë planifikim afatgjatë, forcimin e planifikimit të programit, monitorimin e zbatimit të projekteve dhe në përputhje me rrethanat, shpërndarjen e mëtejshme të mjeteve. Vendosja e këtij koncepti do të trajtojë disa çështje, përfshirë planifikimin dhe zbatimin e investimeve kapitale.

Ministri theksoi se zbatimi i këtyre reformave, përkatësisht koncepti i SMART Financë – një sistem strategjik dhe që mat rezultatet, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për realizimin e qëllimeve të përcaktuara të zhvillimit. Ai vuri në dukje se nëse në 10 vitet e fundit norma mesatare e rritjes ekonomike në vend ishte 2.6%, target i Qeverisë pas tejkalimit të krizës Covid janë normat e rritjes prej 4% dhe më shumë. Përveç një sistemi të ri të reformuar të financave publike, reformat në drejtim të konkurrencës më të madhe, investimet në kapitalin njerëzor, digjitalizimi, orientimi drejt një ekonomie të gjelbër, lufta kundër ekonomisë gri dhe reformat e tjera strukturore që do të forconin sistemin do të kontribonin gjithashtu në këtë zhvillim.

Në takimi gjithashtu është rishikuar zbatimi i strategjisë katër-vjeçare, pra Korniza për bashkëpunim 2019-2023 me Bankën Botërore. Projektet në strategjinë katër-vjeçare përqendrohen në tre fusha: rritjen e orientuar drejt eksportit, rritja inkluzive dhe rritjen e qëndrueshme. Deri më tani, sipas strategjisë, Banka Botërore ka miratuar projektet si në vijim: Projekti i modernizimit të administratës sociale, Projekti i rrugëve lokale, Projekti i modernizimit të bujqësisë, Projekti i efikasitetit energjetik në sektorin publik, Projekti i lehtësimit të tregtisë dhe transportit të Ballkanit Perëndimor dhe Projekti i emergjencave për përballje me krizën Covid.

Gjatë javës së ardhshme në Parlament do të shqyrtohet Projekt-ligji për Projektin e reagimit në emergjenca për përballjen me Covid-19. Bëhet fjalë për një hua prej 90 milion euro me të cilën do të përfshihet sektori shëndetësor, do të sigurohet mbështetje e përkohshme për ndihma sociale dhe mbështetje e përkohshme për kompensim në rast të papunësisë.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian

Comments are closed.