22 qershor 2019, Shkup – Drejtorët ekzekutivë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore me vlerësime pozitive për reformat ekonomike në financat publike në vend. Drejtori ekzekutiv i FMN-së për Konstituencën, Antoni de Lanoy, në një deklaratë për media gjatë takimit të konstituencës holandeze – belge në Shkup, theksoi se Qeveria ka agjendë ambicioze reformash, që ofron rezultate në planin politik dhe ekonomik.
– Qeveria ka vërtetë agjendë ambicioze reformash dhe me të vërtetë rezultatet vërehen në aspektin politik, sepse perspektivat për vendin në lidhje me pranimin në BE dhe NATO janë përmirësuar, por edhe në nivel ekonomik, si tek biznesi, mjedisi afarist, arsimi.
Vlerësoj se kalimi nga një tatimi i sheshtë në tatimin progresiv është një hap pozitiv drejt sigurimit të barazisë dhe FMN-ja e ka rekomanduar atë në disa raste dhe mendoj se kjo është sigurisht një mënyrë e mirë për të arritur barazinë më të madhe për të cilën biseduam, tha Antony de Lanoy, drejtor ekzekutiv i FMN-së për Konstituencën.
Për drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore Kun Davise, Marrëveshja e Prespës kishte jo vetëm rëndësi politike, por edhe ekonomike, sepse krijoi besim dhe mundësi për reforma.
– Qeveria me të vërtetë ka investuar në kapitalin njerëzor dhe kompanitë private, por gjithashtu edhe në qëndrueshmërinë. Sapo i dëgjuam të dhënat e fundit nga Banka Botërore, që shënuan një skenar ekonomik pozitiv, pavarësisht ngadalësimeve globale.
Banka Botërore para pak kohe lidhi program shumëvjeçar me Maqedoninë e Veriut për të mbështetur investimet në potencialin njerëzor. Ky program do të krijojë mundësi për sektorin privat, për të rinjtë, për gratë por gjithashtu do të trajtojë çështje të tilla si ndotja – tha Davise, drejtor ekzekutiv i konstituencës të Bankës Botërore.
Nënkryetari i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore Siril Miler në prezantimin e tij tha se të gjitha shtetet anëtare të konstituencës do të kenë rritje më të madhe ekonomike sesa mesatarja rajonale, ndërsa përparim më të madh në reformat është arritur nga Maqedonia e Verioriut dhe Bosnja e Hercegovina.
Ministri i Financave Dragan Tevdovski në një deklaratë për mediat gjatë konstituencës theksoi se Programi i Qeverisë është vendosur me qëllim të rritjes së standardit të jetesës për shumicën e qytetarëve dhe në mënyrë praktike të zvogëlohet pabarazia.
– Ne, deri tani kemi ndërmarrë hapa të ndryshëm. Së pari mbajmë konsolidim fiskal, kemi stabilizuar sistemin e financave në vend. Por nga ana tjetër jo vetëm që e kemi stabilizuar borxhin publik, por kemi zhvilluar politika që na kanë mundësuar në mënyrë praktike të arrihen qëllimet tona kryesore. Së pari me tatimin e drejtë kemi ofruar mjete shtesë me të cilat ne i kemi rritur shumëfish transferimet sociale për qytetarët më të rrezikuar. Ne jemi vendi i parë në rajon që ka të ardhura minimale adekuate, ne kemi rritur shumëfish transferimet sociale. Një nga prioritetet tona kryesore është rritja e pagave dhe në vitin 2018 pagat u rritën pothuajse 6% që është shumë më e lartë se në periudhën e mëparshme. Ne kemi bërë reforma të sistemit të furnizimeve publike që është plotësisht i lidhur me direktivat e BE-së. Gjithashtu, kemi siguruar transparencë fiskale, nëse më parë kjo ishte një nga temat për të cilën ishim kritikuar, tani për shkak të masave të ndryshme që i ndërmorrëm kemi përmirësuar transparencën fiskale “, tha Tevdovski.
Ndërsa vijojnë takimet e konstituencës holandeze – belge, që zhvillohet në Shkup, në të cilën fjalim përshëndetës kishte edhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Fjalim hyrës kishin edhe ministri i Financave Tevdovski dhe guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angelovska Bezhoska.