13 nëntor 2019, Shkup – Ndërtimi i bulevardeve, stacioneve filtruese, rikonstruimi i rrugëve lokale dhe shkollave – janë projektet të cilat janë të financuara këtë vit përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale – MSIP në Rajonin e Pollogut, tha zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi, në mbledhjen e djeshme qeveritare që u mbajt në Tetovë. Zëvendësministrja theksoi se përmes investimeve në projekte të tilla përmirësohen shërbimet komunale dhe me këtë edhe kushtet e jetesës së qytetarëve në këto komuna.
Elezi theksoi se Ministria e Financave, në muajin gusht të këtij viti, nënshkroi marrëveshje me komunën e Tetovës për ndërtimin e një pjese të bulevardit Vidoe Smilevski – Bato në Tetovë. Në kuadër të këtij projekti është parashikuar vazhdimi i bulevardit për 671 metra shtesë, me ç’rast do të mundësojë zhvendosje e trafikut nga pjesa qendrore e qytetit në periferi. Ajo tha se duke pasur parasysh që bulevardi kalon përgjatë pjesës industriale të qytetit të Tetovës, njëkohësisht paraqet arterien kryesore për transportin e mallrave që kalon nga Shkupi, Tetova dhe Gostivari në pikën e kalimit kufitar.
Gjithashtu, komuna e Tetovës po përgatit dokumentacion projektues për të aplikuar për furnizimin e autobusëve për transportin publik.
Ajo gjithashtu theksoi se me anë të këtij projekti është përfshirë edhe rikonstruimi i shkollës në komunën e Zhelinës në f.Palaticë. Kjo nënkupton rikonstruimin e ndërtesës së shkollës, dyshemetë dhe kulmin, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, fasadimin e sipërfaqes së brendshme të ndërtesës dhe furnizimin e mobiljeve. Në Zhelinë janë rikonstruktuar edhe dy rrugë lokale përmes këtij projekti, përkatësisht rruga lokale në f. Grupçin dhe në f. Novo Sellë.
Në komunën e Vrapçishtës, përmes këtij projekti janë përfshirë ndërtimi i stacioneve filtruese në f. Negotinë dhe f. Dobri Doll.
Përmes grantit MSIP dhe IPA, për komunën e Gostivarit janë siguruar mjete për furnizimin e pajisjeve për ndriçim rrugor, si dhe sisteme fotovoltaike për objektet publike.
Përndryshe, Projekti për përmirësimin e shërbimeve komunale u realizua nga Ministria e Financave me mbështetje të Bankës Botërore, si dhe me mjetet IPA nga BE-ja. Qëllimi i projektit është që përmes investimeve në projekte infrastrukturore në komuna siç janë: rrugët lokale, ujësjellësit, kopshtet, shkollat, pajisjet të përmirësohen shërbimet komunale dhe kushtet e jetesës në të gjitha komunat në vend.