20 nëntor, 2019 Gjenevë – Zëvendësministrja e Financave, dr. Shiret Elezi në Konferencën e 12-të të UNCTAD të Kombeve të Bashkuara për tregti dhe investime sa i përket menaxhimit me borxhin publik, theksoi përkushtimin dhe përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në transparencën e të dhënave në lidhje me borxhin publik.
Në konferencë u kushtua vëmendje e madhe në rolin e transparencës si një faktor i rëndësishëm në përmirësimin e menaxhimit të borxhit dhe parandalimin e krizave financiare. Ekziston një konsensus i gjerë se transparenca është thelbësore për të parandaluar krizat e borxhit në të ardhmen duke lehtësuar kështu monitorimin dhe forcimin e qëndrueshmërisë së borxhit. U prezantuan nismat e fundit të institucioneve ndërkombëtare për të përmirësuar transparencën e borxhit publik, veçanërisht disponueshmërinë, cilësinë dhe shtrirjen e të dhënave të borxhit publik. U theksua gjithashtu, rëndësia e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, përmirësimi i kapaciteteve të menaxhimit të borxhit dhe përforcimi i politikave për të adresuar kështu më mirë sfidat aktuale edhe në të ardhshme.
Ministria e Financave publikon çdo vit në bazë tremujore gjendjen e borxhit publik, interesin dhe strukturën valutore të borxhit shtetëror, ndërsa përmes Raportit vjetor për menaxhim me borxhin publik, publikohen të dhëna të detajueshme për karakteristikat e portofolit të borxhit, masat e marra për administrimin efikas të tij, si dhe performancën e kufijve të përcaktuara nga politika e menaxhimit me borxhin publik.
Me ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për borxhin publik, miratuar në maj të vitit 2019 u zgjerua përkufizimi i borxhit publik duke përfshirë këtu edhe borxhin e pa garantuar në pjesën e borxhit publik, ndryshe nga periudha e mëparshme kur borxhi publik mbulonte borxhin shtetëror dhe borxhin e garantuar të ndërmarrjeve publike. Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2019, gjendja e borxhit publik publikohet në përputhje me përkufizimin e zgjeruar.
Përveç kësaj, me ndryshimet në Ligjin për borxhin publik, Strategjia e menaxhimit të Borxhit Publik do të veçohet si një dokument i veçantë dhe në këtë mënyrë opinioni do të ketë një njohje më të mirë sa i përket politikës së menjaxhimit të borxhit publik për periudhën e ardhshme afatmesme. Strategjia do të zhvillohet me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore në kuadër të programit GDRM (Government Debt and Risk Management) dhe kjo duhet të miratohet nga ana e qeverisë deri në fund të muajit maj të vitit 2020.