15 tetor 2019, Shkup – Realizimi i projekteve kapitale përmes Projektit të Përmirësimit të Shërbimeve Komunale MSIP po shkon mirë me realizim mbi 65% këtë vit, kështu tha zëvendës ministrja e Financave, Shiret Elezi gjatë seancës qeveritare dje në Manastir.
Projekti ‘Përmirësimi i shërbimeve komunale’ i cili mbështetet nga Banka Botërore, financon projekte kapitale që do të përmirësojnë shërbimet komunale në të gjitha komunat në vend, theksoi mes tjerave zëvendës ministrja Elezi.
– Fondi i përgjithshëm i projektit është 81 milion € dhe deri më tani 58 komuna e kanë përdorur atë në fazën e parë të projektit, ndërsa 15 komuna e kanë përdorur atë në fazën e dytë. Projekti mbështet ndërtimin dhe rindërtimin e infrastrukturës lokale, rrugëve, kopshteve, shkollave, sistemeve të furnizimit me ujë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve në këto komuna. Shembuj konkret këtë vit u rinovua shkolla në fshatin Grupçin dhe dy rrugë në komunën e Zhelinës, rikonstruim i çatisë në një shkollë në Çair, ndërtesa komunale në Novo Sellë, rindërtimi dhe ndërtimi i më shumë rrugëve lokale në disa komuna etj. Këto janë projekte specifike që përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve, vlerësoi kështu Elezi.
Zëvendës ministrja gjithashtu vuri në dukje se në vitin 2019 është përdorur granti i plotë për IPA rurale, me një shumë totale prej 20.3 milion euro, nga të cilat 15.2 milion euro janë fonde të BE-së dhe 5.1 milion fonde buxhetore. Me këtë janë realizuar 135 projekte në 78 komuna në të gjithë vendin si shkolla, kopshte, rrugë lokale, sisteme fotovoltaike, stacione filtri të ujit si dhe përmirësim i sistemeve të ujitjes.