25 shtator 2019, Nju Jork – Ministrja e Financave Nina Angelovska, në kuadër të Kuvendit gjeneral të 74 të Kombeve të Bashkuara (KB), mbëmë në Nju Jork u promovua si njëra nga të parat “femra ambasadore të tregtisë dixhitale” në botë. Kjo është një mirënjohje e jashtëzakonshme dhe unike ndërsa u dha nga Mukiza Kitui, sekretari i përgjithshëm i UNKTAD – organi i Kombeve të Bashkuara për tregti, investime dhe zhvillim. Përveç Angelovskës këtë titull nga UNKTAD e morën edhe gjashtë sipërmarrëse të tjera gra në mbarë botën.
Potenciali i pashfrytëzuar i grave në të gjithë botën paraqet një humbje të madhe për ekonomitë tona. Sinergjia e teknologjisë dixhitale dhe fuqia transformuese e shpirtit sipërmarrës tek gratë mund të kontribuojë në uljen e varfërisë në vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike – tha ministrja Angelovska.
Ajo theksoi se mirënjohja që merr është edhe një nder i madh dhe një përgjegjësi e madhe për të – ti frymëzojë dhe inkurajojë gratë që ta shfrytëzojnë potencialin e tyre, të jenë ambicioze, të ndërmarrin iniciativa, ta shfrytëzojnë fuqinë e teknologjisë dhe ta bëjnë botën një vend më të mirë vend për jetesë.
– Kemi nevojë për potencialin e grave, njohurive, kujdesit, udhëheqjes dhe teknologjisë që ta bëjmë këtë botë më të zgjuar dhe më të mirë për të gjithë – shtoi ministrja Angelovska.
Angelovska është e vetmja përfaqësuese femër nga Evropa që u emërua si ” femër ambasadore për e – tregti”. Përveç saj e cila këtë mirënjohje e merr si bashkë-themeluese e Grouper.mk, platforma e parë dixhitale për e-tregti të këtij lloji në Republikën e Maqedonisë së Veriut, “ambasadore tjera të e-tregtisë” të zgjedhura janë: Ksiaofei Jao nga Kina, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Rogrand, Klaudia de Heredia nga Meksika, bashkë-themeluese dhe drejtoreshë operative e Kichnik, Helianti Hilman nga Indonezia, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Javara, Nazanin Daneshvar nga Irani, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Takhfifan dhe Klaris Iribagica nga Ruanda, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e DM.HeHe.
Iniciativa përmes së cilës UNKTAD i zgjedh femrat si “Femrat ambasadore të tregtisë dixhitale”- “E-tregti për femra”, ka për qëllim që të nxitet rritja ekonomike dhe të ulet varfëria në vendet në zhvillim duke kombinuar përfitimet e teknologjisë dhe sipërmarrjes tek gratë. Përmes përvojës së tyre shumë vjeçare në tregtinë dixhitale, shtatë ambasadoret e zgjedhura globale duhet të ndihmojnë në zbatimin e Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të KB duke promovuar përdorimin e teknologjisë në shërbim të zhvillimit ekonomik.