17 shtator 2020, Shkup – Sfidat ekonomike dhe perspektivat për periudhën e ardhshme, masa të reja antikrizë dhe krijimi i politikave të reja sistemike që do të jenë katalizator për rimëkëmbjen dhe mandej edhe për rritjen, ishin tema e panelit të diskutimit të sotëm “SMART financat dhe politikat ekonomike në kohë pandemie dhe normaliteti i ri”, i cili u organizua nga ministria dhe ministri i Financave Fatmir Besimi dhe në të cilën morën pjesë ministra të mëparshëm të Financave dhe ekspertë në fushën e ekonomisë dhe financave.
Në diskutimin në të cilin morën pjesë ministrat e mëparshëm të Financave Xhevdet Hajredini, Taki Fiti dhe Nina Angellovska, si dhe përfaqësues të opinionit akademik dhe ekspertë Miroljub Shukarov, Gligor Bishev, Zoran Jovanovski, Nikica Mojsovska-Blazhevski, Jeton Mazllami, Aleksandar Stojkov dhe Izet Zeqiri u theksua se kriza e Kovidit, kryesisht për shkak të natyrës së saj globale dhe karakterit të pasigurt edhe mëtej vazhdon të mbetet kërcënim për ekonominë e brendshme, si dhe se është e nevojshme të ndërmerren më shumë aktivitete për tejkalimin e së njejtës e më pas edhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik.
U theksua nevoja për ndërmarrjen e një sërë të masave antikrizë, në drejtim të rritjes së konsumit të brendshëm, por në të njëjtën kohë duke vepruar në anën e furnizimit, përkatësisht përforcimin e sektorit privat dhe nxitjen e aktivitetit të investimeve përmes injeksioneve të likuiditetit.
Njëkohësisht u theksua nevoja për ndërmarrjen paralele të masave sistemike në fushën e financave dhe në drejtim të ristrukturimit të ekonomisë. Gjithashtu u theksua edhe nevoja strategjike për të punuar në krijimin e një ambienti më të parashikueshëm dhe konkurrencës më të madhe ekonomike.
Duke diskutuar për qëllimet dhe prioritetet në lidhje me mandatin, ministri i Financave Fatmir Besimi tha se do të vendoset koncepti i financave ose SMART financa (Strategical, Maintainable, Accountable, Reform-oriented, Transparent), përkatësisht sistem i financave publike që do të bazohet në strategji të qartë dhe të qëndrueshme, të përgjegjshme orientuar në mënyrë reformuese dhe transparente, që do të kontribuojë në tejkalimin e krizës në afat të mesëm dhe rritje më të shpejtë ekonomike në afat të gjatë. Koncepti duhet të ndikojë në disa drejtime – para së gjithash për të forcuar procesin e planifikimit, buxhetimin afatgjatë të mjeteve i cili përveç parashikueshmërisë më të madhe do të sjellë realizim më të mirë të projekteve dhe programeve, të cilat zakonisht janë në vijim të disa viteve fiskale. Më tej, ky sistem do të orientohet në matjen e rezultateve dhe sipas kësaj në ndikimin e së ardhmes, si dhe drejt transparencës fiskale e cila ështëshkalla më e lartë e kontrollit të buxhetit.
Ministri i Financave njoftoi se panel diskutime të tilla, konsultime me opinionin akademik dhe ekspert, si dhe me aktorët social: komuniteti i biznesit, sektori joqeveritar – do të bëhen praktikë në ministrinë e Financave, me qëllim që përmes shkëmbimit të vështrimeve dhe ideve të arrihet në zgjidhje optimale për revitalizimin e ekonomisë dhe përshpejtimin e rritjes.