5 tetor 2019, Shkup – Banka Popullore, Ministria e Financave dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve shpallën konkursin për nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm, i cili, tanimë disa vite me radhë është aktivitet i përbashkët me rastin e kremtimit të Ditës Botërore të Kursimit – 31 tetor dhe Ditës Botërore të Sigurimit – 1 nëntor.

Të tre institucionet të cilët bashkërisht marrin pjesë në Trupin Koordinues për Edukim Financiar dhe Përfshirje Financiare, me këtë konkurs synojnë të nxisin kreativitetin, imagjinatën, si dhe mendimin kritik të nxënësve gjatë krijimit të punimeve për kursim dhe sigurim. Në këtë mënyrë kontribuohet për interes dhe edukim edhe më të madh të të rinjve për këto dy segmente të rëndësishme në sferën e financave.  

Në konkurs janë definuar dy tema në të cilat nxënësit e arsimit fillor mund të paraqiten duke dërguar krijim letrar – poezi dhe/ose krijim artistik – vizatim, përfshirë edhe vizatim të punuar në pajisje digjitale: „Kursej, ëndërroj dhe dëshirat i plotësoj“ dhe „Sigurimi dhe unë“. Pas përfundimit të konkursit do të zgjidhen nga tre krijime më të mira letrare dhe artistike në të dyja temat. Nxënësit-autorë të krijimeve të zgjedhura do të marrin shpërblim në të holla.

Këtë vit, në konkurs, nxënësit e arsimit të mesëm mund të dërgojnë krijim letrar – ese, për temën: „Paraja dhe kursimi – dikur dhe tani“ Sipas udhëzimeve të dhëna në konkurs, eseja duhet të përmbajë pikëpamje personale lidhur me rolin e parasë dhe kursimit nëpër kohë, duke adresuar disa nga çështjet në vijim: roli i parasë dhe kursimit në ekonomi, rëndësia e kursimit për të ardhmen, qëndrimi i të rinjve ndaj kursimit, zakonet familjare dhe kursimi, mënyrat klasike kundrejt atyre moderne të pagesës, njohuritë e të rinjve për kursimet në institucionet financiare, qëndrimi i të rinjve lidhur me nevojat e edukimit financiar dhe aspekte tjera.

Nxënësit e arsimit të mesëm mund të konkurrojnë edhe me krijim letrar – tregim për temën: „Jeta është plot befasi, sigurimi është siguria dhe mbrojtja ime financiare.“ Nxënësit-autorë të tre krijimeve më të mira do të marrin shpërblime në të holla.

Kushtet për pjesëmarrje janë renditur në konkurs, i cili është botuar në internet faqet e Bankës Popullore, Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve.

Afati i fundit i dorëzimit të punimeve është 21 tetor 2019.

Punimet do t’i shqyrtojnë dhe vlerësojnë komisione të formuara nga përfaqësues të të tre institucioneve që e shpallin këtë konkurs. Lista e nxënësve të shpërblyer, data dhe lokacioni i shpërndarjes së çmimeve do të publikohen më së voni deri në 31 tetor 2019, në internet faqet e Bankës Popullore, Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve.

Banka Popullore, Ministria e Financave dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve shpresojnë se edhe këtë vit, konkursi do të ngjalli interes të madh ndër nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në vendin tonë dhe se do të stimulojë edhe më shumë dëshirën për fitim dhe zhvillim të shprehive për kursim, dhe njëkohësisht do të kontribuojë për njohje më të mirë të mundësive që i jep sigurimi. 

 

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian

Comments are closed.