|

14 Prill 2023, Shkup — Përmes përshpejtimit të investimeve të përgjithshme si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, do të krijohen vende të reja pune dhe do të përshpejtohet rritja ekonomike, thekson ministri i Financave, Fatmir Besimi në intervistë për “Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase”. Ministri nënvizoi se buxheti ka ndarë mjete për investime kapitale në vlerë prej 5.3% të PBB-së, që është dyherë më shumë krahasuar me mesataren historike, por edhe se investimet e sektorit privat do të stimulohen përmes programeve. Për përkrahjen e sektorit privat, si dhe popullsisë, në buxhet janë paraparë edhe 225 milionë euro për masat antikrizës.

 

“Presim që në ekonominë e përgjithshme, në pesë vitet e ardhshme investimet aktuale nga 31% – 32%, të rriten në 38% – 39%. Në këtë mënyrë do të krijohen vende të reja pune, por edhe rritja ekonomike do të dyfishohet krahasuar me atë që ishte në të kaluarën, gjegjësisht nga rreth 2.5%, do të presim norma të rritjes prej 5% – rritje mesatare vjetore”, thotë ministri i Financave dhe shpjegon se këto pritshmëri bazohen në angazhimin e Qeverisë për t’i rritur ndjeshëm investimet publike, përmes projekteve të mëdha kapitale si fillimi i katër autostradave të reja në korridoret 8 dhe 10, por edhe ndërtimi i linjave hekurudhore lindore dhe perëndimore të Korridorit 8 dhe rehabilitimi i hekurudhës në Korridorin 10, si dhe investime në pavarësinë energjetike. Besimi thekson se përmes programeve të financuara nga buxheti, stimulohen edhe investimet private.

Në lidhje me ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 dhe 10, ministri i Financave thekson se me përfundimin e tyre, vendi ynë do të bëhet urë lidhëse e rrugëve evropiane, e korridoreve kyçe panevropiane, që është me rëndësi strategjike si për ne, ashtu edhe për të gjithë rajonin. Ky projekt, do ta shumëfishojë përmirësimin e pozicionit ekonomik dhe zhvillimit ekonomik, me efekt prej rreth 2% të PBB-së në nivel vjetor, ose prej 10% të PBB-së gjatë 5 viteve sa do të zgjasë projekti.

Rrjedhimisht, vazhdon përkrahja për qytetarët dhe ekonominë për ballafaqim më të lehtë të krizës globale. Ministri thekson se në buxhetin e këtij viti janë akorduar 225 milionë euro të masave antikrizë, ose rreth 1.5% të PBB-së. Janë paraparë mjete për subvencionimin e vlerës së energjisë elektrike. Për nevojat e ekonomisë ka mjete nëpërmjet kredive të favorshme të Bankës Zhvillimore.

Me programet e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale parashikohen mjete për të ardhurat e garantuara.

Gjithashtu, parashikohen mjete edhe për masa të tjera, nëse paraqitet nevoja, siç ishte rasti me përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes çmimit të subvencionuar të energjisë elektrike për një periudhë të caktuar kohore, në mënyrë që ata të sigurojnë kosto më të ulëta për prodhimin e tyre. Masat administrative janë gjithashtu të disponueshme.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian

Comments are closed.