|

Teoria ekonomike thotë se me specializimin e prodhimit arrihet efikasitet më i madh dhe zvogëlohet çmimi i produktit. Kjo është Teoria e përparësive krahasuese të David Ricardo, që bazohet në përfitimet e tregtisë ndërkombëtare për vendet që orientohen drej prodhimit të specializuar me kosto më të ulët oportune. Që t’i kuptojmë efektet e globalizimit dhe zinxhirët e furnizimit mbi çmimet, ndoshta është më mirë t’i kthehemi bazave ekonomike – ofertës dhe kërkesës. Globalizimi nënkupton që konsumatorët mund të marrin mallra me çmim më të ulët nga vendet që kanë kosto më të ulët të punës ose teknologji për rritjen e produktivitetit të prodhimit. Globalizimi më i madh tregtar nënkupton rritje të ofertës së mallrave dhe në masë të caktuar, të shërbimeve. Oferta më e madhe nënkupton çmime më të ulëta, nëse të gjithë faktorët e tjerë janë të njëjtë.

Gjatë 50 viteve fundit, globalizimi është nxitur nga kapitali i lirë, energjia e lirë dhe fuqia punëtore e lirë. Aktualisht, me rritjen e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, si dhe kostos së punës në Azi, ndërkohë që invazioni ndaj Ukrainës rriti çmimin e energjensave u ngrit çështja e deglobalizimit ose bazave të tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare. Disa autorë argumentojnë se krizat e fundit, të ndërlidhura me zinxhirët globalë të furnizimit, tregojnë nevojën e vetëqëndrueshmërisë për rezistencë më të madhe të ekonomive dhe pabarazi më të ulët. Të udhëhequr nga ngecjet që ndodhën gjatë pandemisë dhe luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, bizneset u përballën me një situatë në të cilën për të siguruar procese të pandërprera, duhet të bënin shkurtimin e zinxhirëve të furnizimit dhe ishin të gatshëm të paguanin më shumë për zinxhirët më të sigurtë të furnizimit.

Viti që kaloi la gjurmë në ekonominë globale, e njëjtë si me rastin e Bretton Woods në vitin 1971, ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990 dhe krizën globale financiare të vitit 2008. Për herë të parë që nga viti 1970, bota përballet me një çekuilibër të nxitur nga ulja e rritjes ekonomike, së bashku me rritjen e shpejtë të inflacionit. Rritja e fragmentimit gjeo-ekonomik, brishtësia e sektorit financiar, rritja e çmimeve, nivelet e larta të borxhit, si dhe ndryshimet klimatike, ndikuan fuqishëm, veçanërisht në tregjet në zhvillim. U bë e qartë se nevojiten modele të reja për reagim efektiv ndaj situatës aktuale, si dhe ndryshime afatgjata në sisteme. Krizat aktuale, ndër të tjera, vunë në dukje edhe mangësi sistemike të akumuluara me kalimin e kohës. Vizioni i kufizuar i sistemeve si sektorë dhe jo entitete dinamike reale multidisiplinare, veçanërisht në kontekstin e Revolucionit të katërt industrial dhe ndryshimeve klimatike është gjithashtu një nga pengesat.

Çështja e ndryshimit të rregullave në kontekstin aktual u adresua në Takimet vjetore të Forumit ekonomik – botëror në Davos. Javën e kaluar, diskutimet e politikëbërësve, sektorit privat dhe atij joqeveritar u fokusuan pikërisht te “bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”. Edhe pse vazhdimisht është theksuar se për rikthimin e ekonomisë në rrugën e duhur dhe për t’i realizuar qëllimet e rritjes së qëndrueshme, nevojitet të përforcohet më tej bashkëpunimi, por edhe të punohet në sisteme të reja bashkëpunimi. Adresimi i nevojshëm i situatës nëpërmjet vendosjes së sistemeve të reja në drejtim të energjisë dhe klimës; investimeve, tregtisë dhe infrastrukturës; shfrytëzimit të gjeneratës së re të teknologjive për inovacion dhe rezistencë në sektorin privat; investimit në fuqinë punëtore dhe shkathtësive dhe sistemit të ri të dialogut dhe bashkëpunimit në botën multipolare.

Siç do të thoshte themeluesi i Forumit ekonomik – botëror, Klaus Schwab është e vështirë të zgjidhen problemet veçmas, sepse të gjitha janë të ndërlidhura dhe nevojitet qasje holistike për rezultate të mira. Kjo vërehet në secilën nga fushat e interesit, tregtia dhe investimet janë të lidhura me teknologjinë, teknologjia dhe tranzicioni i gjelbër me investimet në shkathtësi të reja dhe fuqi punëtore etj.

 

Ballafaqimi me normat e larta të inflacionit në nivel global, rritja e ulët ekonomike dhe huamarrja e lartë përmes sistemit të ri të investimeve dhe tregtisë

 

Duke u ballafaquar me një sërë krizash në një periudhë relativisht të shkurtër, përkatësisht pandemia, tensionet gjeopolitike, çrregullimi i zinxhirëve të furnizimit, inflacioni i lartë dhe ngadalësimi i rritjes, kriza me produktet ushqimore dhe energjinë ishte udhëzues i duhur lidhur me atë që duhet punuar në të ardhmen. Hapësira fiskale gjithashtu u shtrëngua dukshëm dhe kushtet financiare u ashpërsuan, ndërkohë që problemet e zinxhirit të furnizimit dhe rritja e masave proteksioniste ndikuan në axhendën e tregtisë globale. Në këto kushte të përkeqësuara, liderët botërorë në Davos, logjikisht, adresuan çështjen e bashkëpunimit të mëtejshëm – deglobalizimi dhe fragmentimi gjeo-ekonomik, si dhe mundësia e riglobalizimit (globalizimi i ri).

Tregtia dhe investimet janë shtytësit e rritjes ekonomike, duke i nxitur inovacionet, lëvizjen e kapitalit dhe njohuritë know – how. Pritshmëritë e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) janë që rritja e tregtisë të ngadalësohet në vitin 2023 për shkak të inflacionit, kostove të larta të energjisë, shtrëngimit të politikës monetare, mungesës së ushqimit dhe plehut dhe rritjes së nivelit të borxhit në vendet në zhvillim. Pyetja është se si ta zhvendosim atë dhe ta orientojmë drejt krijimit të ardhmërisë së gjelbër dhe inkluzive.

Liderët e organizatave financiare ndërkombëtare sugjeruan që politikëbërësit dhe sektori privat të jenë pragmatikë dhe të bashkëpunojnë, gjegjësisht siç theksoi drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, nevojitet që ekonomia globale të mbetet e integruar për mirëqenien e të gjithëve. Drejtoresha e Organizatës Botërore të Tregtisë, Ngozi Okonjo-Iweala, theksoi se problemet nuk mund të zgjidhen pa multilateralizëm, bashkëpunim dhe tregti. Përndryshe, jetojmë në një kohë ku teknologjitë e ndryshojnë tregtinë fizike më shpejt se kurrë, si inteligjenca artificiale, DLT, shtypja 3D, sensorët inteligjentë, etj., që bartin më shumë elasticitet në zinxhirin e furnizimit, tregtinë ndërkufitare, menaxhimin më të mirë të rrezikut dhe zbutjen e krimit financiar. Në këtë drejtim, nevojitet bashkëpunim më i madh për zbatimin e proceseve të identitetit dixhital, përmirësimin e funksionimit të sistemit dhe mjedisit rregullator. Gjithashtu, teknologjia është jashtëzakonisht e rëndësishme për uljen e kostove dhe rritjen e tregtisë së shërbimeve.

Në vitin 2020, me pandeminë, investimet e huaja direkte u ulën për 35%, ndërsa në vitin 2021 arritën rezultat më të mirë. Në vitin 2022, në suaza globale vërehet ngadalësim si rezultat i sfidave lidhur me produktet primare dhe kushtet financiare. Nevoja për vendosjen e investimeve të qëndrueshme është gjithashtu thelbësore, si dhe mundësia e lëvizjes së lehtë të investimeve të huaja direkte, përmes marrëveshjeve multilaterale që lehtësojnë bashkëpunimin ndërmjet vendeve. Theksi vihet në transparencën e rregullave dhe rregullativave, koordinimin ndërmjet ekonomive, si dhe instrumentet novatore si programe zhvillimore të furnitorëve, bazat e të dhënave të furnitorëve, bazat e të dhënave të qëndrueshme të investitorëve që do ta përmirësojnë kapacitetin dhe lidhjen.

 

Sistemet e reja të energjisë dhe ballafaqimi me ndryshimet klimatike në kontekstin e krizave aktuale të energjisë dhe ushqimit

 

Pothuajse gjysma e popullsisë së botës, ose rreth 3.3 miliardë njerëz, jetojnë në zona shumë të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike. Kostot e ballafaqimit me ndryshimet klimatike do të rriten në 340 miliardë dollarë në nivel vjetor deri në vitin 2030. Nga disa aspekte, përfshirë edhe ato fiskale është e domosdoshme të zbatohen targetet e përcaktuara për reduktimin e emetimeve. Megjithatë, të dhënat tregojnë se situata aktuale nuk korrespodon me qëllimet e përcaktuara të Marrëveshjes së Parisit. Goditjet gjeopolitike, si lufta në Ukrainë, kontribuan në rritjen e përdorimit të qymyrit, prodhimi i të cilit u rrit për 1.2%, duke tejkaluar 8 miliardë tonë në nivel vjetor, për herë të parë që nga viti 2013, tregojnë të dhënat nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjietikës. Shumica e analizave tregojnë se për ta kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C, emetimet e gazrave serrë duhet të përgjysmohen deri në vitin 2030.

Që të arrihen qëllimet e ndryshimeve klimatike sipas Marrëveshjes së Parisit, nevojitet që vendet, si ato të zhvilluara ashtu edhe ato në zhvillim, të zbatojnë politika që do ta transformojnë mënyrën e prodhimit, shpenzimit dhe investimit, gjë që sigurisht do të ketë implikime në tregti. Nevojiten teknologji inovative kalimtare, masa efikase dhe karburante me emetim të ulët. Nevojiet bashkëpunim ndërmjet vendeve, veçanërisht përkrahje për vendet në zhvillim. Siç theksoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Davos, “konkurrenca dhe tregtia janë çelësi për përshpejtimin e teknologjive ekologjike dhe neutralitetit klimatik”.

Transformimi energjetik lidhet ngushtë me ndryshimet klimatike, të cilat dolën në pah gjatë periudhës së kaluar. Masat që lidhen me tranzicionin energjetik i referohen teknologjive inovative dhe rritjes së efikasitetit energjetik, si dhe ndarjes së rritjes ekonomike nga konsumi i energjisë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Teknologjia e gjelbër ishte në zhvillim edhe gjatë dekadës së fundit, falë përmirësimeve të vazhdueshme, energjia diellore dhe e erës bëhen gjithnje e më të lira. Deri në vitin 2050, sipas disa llogaritjeve kalimi nga karburantet fosile në energjinë diellore dhe të erës do të kursejë 12 trilionë dollarë në nivel global. Kriza aktuale duhet të jetë justifikim për t’iu përmbajtur politikave që përkrahin tranzicionin drejt burimeve më të qëndrueshme të energjisë dhe për shfrytëzimin e këtij momenti që të zhvillohen plane infrastrukturore më ambicioze, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të investimeve që do t’i ndihmojnë botës në përmbushjen e qëllimeve deri në vitin 2030.

Teknologjitë e reja janë ato që mund të kontribuojnë në produktivitet dhe qëndrueshmëri më të madhe në bujqësi. Ato mund të ndihmojnë në testimin e cilësisë së tokës, mbjelljen, monitorimin e kulturave bujqësore, vlerësimin e përpunimit të tokës, si dhe lidhjen me furnitorët dhe blerësit e rinj.

 

Shfrytëzimi i përfitimeve të teknologjive zhvillimore për përmirësimin e inovacionit dhe rezistencës së sektorit privat

 

Revolucioni i katërt industrial, ndryshimet klimatike dhe fragmentimi gjeopolitik ndikuan në vendimet e sektorit privat për investime të reja. Vlerësimet janë se rreth 70% të vlerës së re të krijuar në ekonominë globale do të rezultojë nga teknologjia dixhitale. Dixhitalizimi depërton në çdo sektor ekonomik dhe i bën ata të adaptueshëm ndaj kushteve të reja. Përkrahja e bizneseve të vogla që të përfshihen në dixhitalizim, mund të sigurojë rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme. Nga ana tjetër, platformat dixhitale për produktet bujqësore, si Farm Pas u ndihmojnë miliona bujqve në zonat rurale që të marrin çmime të arsyeshme si dhe financa për zgjerimin e biznesit të tyre. Gjithashtu, inteligjenca artificiale pritet që të japë kontribut të rëndësishëm në shumë sektorë si prodhimtaria, bujqësia, farmaceutika, shërbimet shëndetësore dhe kujdesi, etj. Inovacioni dhe përshtatshmëria në periudhën e ardhshme do të jenë ato që do ta sigurojnë qëndrueshmërinë e biznesit.

Stimulimi dhe përkrahja e investimeve direkte në fushën e dixhitalizimit, si në tregtinë elektronike dhe fintech, mund të ofrojnë përkrahje të konsiderueshme për ekonominë në drejtim të krijimit të vendeve të reja të punës, veçanërisht në periudhën pas Covid-it.

 

 

Investimi në fuqinë punëtore dhe krijimi i shkathtësive

 

Një çështje tjetër që duhet të përfshihet gjatë përcaktimit të rregullave të reja ekonomike dhe raporteve janë statistikat e punës, që tregojnë se një numër i madh i punëtorëve, pavarësisht krizës ekonomike botërore, i lënë vendet e tyre të punës ose mendojnë të japin dorëheqje. Në ekonomitë në zhvillim, nga ana tjetër, si rezultat i ngadalësimit të rritjes ekonomike, krijohen presione në drejtim të papunësisë dhe stabilitetit social. Prandaj, në këto kushte investimet e fuqishme në arsim, shkathtësi dhe kujdes shëndetësor janë kruciale, të cilat do t’i përgjigjen në mënyrë adekuate kërkesës së punës.

Nevojat e reja, si transformimi i gjelbër dhe teknologjitë e reja krijojnë nevojë për vende të reja pune, ndërkohë që ato aktualet nuk nevojiten më. Punëdhënësit në mbarë botën fokusohen gjithnjë e më shumë në shkathtësitë dhe njohuritë e punëtorëve, se sa në diplomat dhe përvojat e mëparshme të punës. Prandaj, investimet në zhvillimin e shkathtësive të caktuara mund të përgjigjen në mënyrë efektive ndaj nevojave të tregut të punës.

 

Pritshmëritë afatshkurtra

 

Liderët botërorë dhe udhëheqësit e institucioneve më të larta financiare ndërkombëtare, gjatë javës së kaluar dhanë prognozë më optimiste për ekonominë në vitin 2023, por gjithsesi bënë thirrje për vigjilencë të mëtejshme, sepse sfidat do të vazhdojnë. Pritshmëritë janë që projeksionet e reja për rritjen globale të rishikohen në rritje, theksoi drejtoresha e FMN-së, Georgieva.

Sinjale pozitive ka edhe nga fondet e mëdha amerikane të investimeve, pritshmëritë e të cilëve janë që viti 2023 të bëhet jashtëzakonisht i favorshëm për investime të reja. Cikli vijues i investimeve, pritet që të nxitet nga inovacionet.

Sfidat vijojnë ende, si tensionet gjeopolitike, ngadalësimi i përkohshëm i ekonomisë së SHBA-së dhe disa vendeve të BE-së, si dhe karantinat e reja në Kinë. Nga ana tjetër, pritet gjithashtu ngadalësim i inflacionit, stabilizim i çmimeve të energjisë dhe fitimeve të korporatave. Pritshmëritë e disa ekspertëve financiarë janë që viti 2023, thënë në gjuhën e popullit, do të jetë “viti i demit”, edhe pse projeksionet fillestare nga disa institucione ndërkombëtare janë më konservatore.

Në planin e brendshëm, përkundër disa krizave të njëkohshme, institucionet financiare ndërkombëtare vlerësojnë se trajektorja afatmesme e ekonomisë së Maqedonisë është në trend rritës. Në kuadër të Ballkanit Perëndimor, ekonomia jonë është më e hapura sa i përket tregtisë, gjë që tregon gatishmërinë për t’u përballur me presionet konkurruese dhe përfshirjen në flukset e globalizimit. Investimi bruto, si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto është gjithashtu në nivel historikisht mjaft të lartë. Mbetemi plotësisht të përkushtuar për nxitjen e investimeve në fushat prioritare të zhvillimit të qëndrueshëm siç është tranzicioni i gjelbër, infrastruktura fizike, dixhitalizimi, kapitali njerëzor etj., si dhe avancimi i politikave dhe reformave për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Siç thotë teoricieni i menaxhmetit dhe konsulenti Peter Drucker, “mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen është ta krijojmë atë”.

Comments are closed.