Кumtesa|

5 mars 2021, Shkup – Norma e interesit për euroobligacionin e tetë të vendit që u emetua këtë javë është më e ulët nga shumë vende që janë pjesë e Bashkimit Evropian ose që kanë rejting kreditor më të mirë se vendi, siç janë Kroacia, Turqia dhe Serbia. Megjithatë, investitorët kishin më shumë besim në ekonominë tonë dhe perspektivat e saj dhe arritëm normën më të ulët historike të interesit prej 1.625%, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi gjatë intervistës i ftuar në emisionin “Top tema”.

– Kemi arritur normë historikisht më të ulët të interesit prej 1.625% për euroobligacionin e tetë, disa herë më e ulët në raport me obligacionet e emetuara paraprake, por edhe më e ulët se shumë vende që kanë rejting kreditor më të lartë se vendi ynë. Për shembull, javën e kaluar Kroacia emetoi dy euroobligacione me vlerë nga një miliardë euro secila, njëra me normë interesi 1.75% dhe tjetra 1.125%. Përveç kësaj, javën e kaluar, Serbia hyri në tregun ndërkombëtar të kapitalit me një euroobligacion prej një miliardë euro dhe arriti normë interesi prej 1.65%. Euroobligacionet e emetuara nga Turqia në mes të muajit janar të këtij viti, me nga 1.75 miliardë euro, kishin norma interesi prej 4.75% dhe 5.875%. Në dhjetor të vitit të kaluar, Ukraina emetoi ​​euroobligacion prej 600 milionë euro me normë interesi prej 7.253%. Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Mali i Zi emetoi euroobligacion në vlerë prej 750 milionë euro me normë interesi prej 7.253%. Përveç kësaj, në fund të nëntorit, Rumania emetoi ​​dy euroobligacione në vlerë prej një miliardë e gjysëm euro me normë interesi prej 2.625 dhe një miliardë euro me normë interesi prej 1.375%. Turqia në nëntor të vitit të kaluar ​​gjithashtu emetoi euroobligacion në vlerë prej 2.3 miliardë euro me normë interesi prej 5.95% dhe Serbia prej 2 miliardë euro me normë interesi prej 2.125%”, tha Besimi.

Besimi theksoi se me mjetet e siguruara nga ky euroobligacion do të rifinancohet euroobligacioni i vitit 2014, që kishte normë interesi prej 3.975% si dhe se në bazë të normës së ulët të interesit të euroobligacionit të ri, do të kursehen 82.25 milionë euro.

Ministri i Financave vuri në dukje se rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, gjatë kohës së krizës së covid-it është realitet për pothuajse të gjitha ekonomitë botërore, duke përfshirë edhe vendin tone. Ai tha se ekonomi të tilla si Spanja, Italia dhe Greqia vitin e kaluar e rritën borxhin shtetëror me më mbi 20 pikë përqindje. Ministri i Financave thotë se tani politikat pas krizës do të kenë rëndësi të madhe në drejtim të stabilizimit dhe revitalizimit të ekonomisë, duke përfshirë edhe stabilizimin e borxhit publik.

– Tek borxhi publik më e rëndësishme është qëllimi për të cilin i marrim mjetet dhe se a do të jemi në gjendje në të ardhmen ta servisojmë këtë borxh. Jo rastësisht në Buxhetin e vitit 2021, bëmë planifikim afatmesëm. Korniza afatmesme është deri në vitin 2025 dhe bazohet në tre komponentë: plani i rritjes – si të rritet dhe përshpejtohet rritja në 5.9% në vitin 2025, komponenti i dytë është konsolidimi i buxhetit dhe komponenti i tretë është plani i investimeve publike prej 3.2 miliardë euro. Me konsolidimin fiskal në mënyrë graduale bëhet zvogëlimi i deficitit buxhetor dhe njëkohësisht i borxhit publik, ashtu që në vitin 2025 të zvogëlohet në 58.8% të BPV-së. Nga njëra anë, do të veprojmë që të rrisim të hyrat përmes përmirësimit të arkëtimit, përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve, gjegjësisht realizimin e shpenzimeve kapitale dhe në fund burime të reja të financimit të deficitit – tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *