Euroobligacioni në kushte të krizës më të madhe ekonomike botërore për riprogramimin e borxhit dhe mbështetje buxhetore
7 mars, 2021, Shkup – Këtë javë, Republika e Maqedonisë së Veriut hyri në tregun ndërkombëtar të kapitalit dhe emetoi euroobligacionin e saj të tetë. Ky ankand ishte sukses i vërtetë për ne, sepse tregoi se investorët ndërkombëtarë kanë besim të madh në ekonominë tonë, si dhe në perspektivën e saj. Interesi i madh i investorëve për euroobligacionin (për 2.3 herë më i lartë se oferta), si dhe norma e interesit e arritur prej 1.625% – që është historikisht më e ulta, tregojnë se politikat e zbatuara vlerësohen shumë dhe se investitorët e konsiderojnë ekonominë tonë me rrezik të ulët. Nëse bëjmë krahasim, norma mesatare e interesit e të gjitha euroobligacioneve të emetuara më parë është 5.05% dhe është 3.1 herë më e lartë se kjo normë interesi e euroobligacionit të fundit. Ne jemi vend anëtar i NATO-s, përpara hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE, me një klimë të qëndrueshme politike dhe marrëdhënie të relaksuara ndëretnike, me politika ekonomike kredibile me perspektivë të qartë afatmesme për konsolidimin dhe rritjen fiskale, të cilat ndikojnë në besimin e investitorëve, madje edhe në kushte të pandemisë. Suksesi në emetimin e euroobligacionit të tetë ishte gjithashtu rezultat i punës së pashtershme të administratës profesionale në ministrinë e Financave, të cilët ishin drejtpërdrejt të përfshirë në procesin e përgatitjes së euroobligacionit dhe konozorciumit të bankave me renome botërore që na mbështetën në këtë proces, si dhe të gjitha ministritë resoriale dhe institucionet që kanë kontribuar në përgatitjen e Prospektit për profilin e ekonomisë sonë.
Euroobligacioni i tetë është specifik sepse emetohet gjatë krizës ekonomike botërore të shkaktuar nga Covid-i dhe ka normën më të ulët të interesit krahasuar me të gjitha euroobligacionet e emetuara më parë dhe me normë interesi më të ulët se vendet në rajon dhe disa vende anëtare të BE-së me rejting kreditor më të mirë në këtë periudhë (duke e shikuar nga aspekti i shpenzimeve vjetore në buxhet në bazë të pagesës së interesit, pavarësisht nga afati i ndryshëm i fletëobligacioneve).
Në konferencën për shtyp në të cilën dhash llogaridhënie për ankandin në lidhje me euroobligacionin e tetë, kisha një pyetje shumë interesante nga gazetarët – A do të isha pro emetimit të euroobligacionit në rast se nuk do të isha ministër i Financave. I nxitur nga kjo pyetje, për të cilën mendoj se duhen shumë më shumë se disa minuta për të elaboruar, i vendosa në letër mendimet e mia për letrat shtetërore me vlerë, borxhin publik dhe funksionin e tij në zhvillimin ekonomik, si dhe rreziqet që i mbart.
Përvojat nga letrat shtetërore me vlerë të emetuara
Deri në vitin 2004, vendi ynë nuk emetonte as letra me vlerë të brendshme e as letra shtetërore me vlerë të huaja. Si pjesë e Strategjisë së atëhershme për zhvillimin e tregut të letrave shtetërore me vlerë, në muajin janar të vitit 2004, ministria e Financave bëri emetimin e parë të letrave shtetërore me vlerë duke emetuar bono 3-mujore në tregun vendor. Për shkak të interesit të madh nga investitorët – për shkak se bëhet fjalë për instrument financiar pa rreziqe, së shpejti u emetuan edhe bonot 6-mujore, ndërsa vitin tjetër u promovuan bonot 12-mujore dhe fletëobligacione dy-vjeçare. Kjo, krijoi treg primar të brendshëm për letrat shtetërore me vlerë, që ka rëndësi të madhe për servisimin e vazhdueshëm të nevojave të likuiditetit në buxhet,dhe njëkohësisht një tjetër burim i shpejtë, transparent dhe cilësor i qasjes në kapital për të financuar nevojat e buxhetit.
Në muajin dhjetor të vitit 2005, vendi kishte promovimin e tij në tregun ndërkombëtar të kapitalit me emetimin e euroobligacionit të parë. Euroobligacioni dhjetë – vjeçar me vlerë prej 150 milionë euro arriti normë interesi prej 4.625% dhe me këto mjete borxhi ndaj Klubit të kreditorëve të Londrës u riprogramua. Ajo që është edhe më e rëndësishme është se me emetimin e këtij euroobligacioni, vendi për herë të parë e vendosi veten në hartën e investorëve institucional në botë. Me këtë u dha edhe një mundësi dhe një instrument i ri për qasje sa më të shpejtë në kapital, në rast nevoje.
Në 16 vitet e fundit, tregu i brendshëm i kapitalit u zhvillua u ofruan instrumente të tjera afatshkurtra dhe afatgjate. Gjegjësisht, emetoheshin bono një – mujore deri në fletëobligacione 30 – vjeçare. Në tregun ndërkombëtar të kapitalit, pas euroobligacionit të parë u emetuan edhe shtatë euroobligacione në vitin 2009, 2014, 2015, 2016, 2018, 2020 dhe 2021, me vlera, afate dhe norma interesi të ndryshme që ndryshonin nga më e ulta prej 1.625% në vitin 2021, deri në 9.875% për euroobligacionin nga viti 2009, ndërsa shumica e tyre kishin normë interesi mbi 4.5%. Jo të gjitha këto letra me vlerë kishin justifikim të barabartë ekonomik dhe një sërë vendimesh politike në lidhje me këto instrumente u gjendën nën kritika të ashpra të opinionit.
Rritja më e lartë se norma e interesit (g>k)
Nëse marrim mësim nga përvoja e së kaluarës në drejtim të letrave shtetërore me vlerë, mund të konkludohet se ato si instrumente janë të domosdoshme për sistemin financiar të një ekonomie moderne, por që administrimi jo i duhur i këtyre instrumenteve mund të sjellë shumë rreziqe, përfshirë këtu edhe akumulimin e borxhit. Para emetimit të secilës prej tyre, duhet të merret parasysh se shpenzimi duhet të jetë më i vogël se përitimi, gjegjësisht norma e ardhshme rritjes së bruto prodhimit vendor, duhet të jenë të mjaftueshme për të financuar borxhin.
Më konkretisht, euroobligacioni që kemi emetuar tani në vitin 2021, ka justifikim ekonomik. Ai do të rifinancojë euroobligacionin e emetuar në vitin 2014 në vlerë prej 500 milionë euro, i cili është emetuar me normë interesi prej 3.975%. Tani, norma e interesit është 1.625%, që do të thotë se për shtatë vjet do të kemi kursime interesi prej 82.25 milionë euro. Më tej, rritja e BPV-së që ne projektojmë është 4.1% ose 5.6% rritje nominale, më saktësisht 3.5 herë më e lartë se norma e interesit të euroobligacionit. Kjo do të thotë që pjesa tjetër e euroobligacionit prej 200 milionë euro, që do të shfrytëzohet për mbështetjen e buxhetit, do të mundësojë vlerë disa herë më të lartë nga shpenzimi që do të paguhet për të. Përndryshe, në krahasim me normën reale të parashikuar të rritjes së BPV-së, nëse marrim parasysh inflacionin në BE dhe në ekonominë tonë në nivel prej 1.5% sipas normës së parashikuar për vitin 2021, shumë lehtë mund të llogaritet se norma reale e interest të euroobligacionit të tetë është 0.125%, më saktë interesi nominal prej 1.625% i ulur për inflacionin e parashikuar prej 1.5%.
Dinamika e borxhit publik dhe rritja e BPV-së
Kurba (lakorja) e borxhit publik dhe shtetëror, nëse marrim parasysh dy dekadat e fundit, ka formën e shkronjës “U”. Në vitin 2002, borxhi publik arriti në 43.2% të BPV-së, ndërsa borxhi i shtetit arriti në 40.5%. Në dy vitet e ardhshme, borxhi publik dhe ai shtetëror janë zvogëluar dhe janë nën 40%, ndërsa nga viti 2005 në 2008 ka një rënie të madhe të borxhit publik dhe borxhit shtetëror dhe në vitin 2008 ato shënojnë 23%, përkatësisht 20.5%, që është niveli më i ulët i borxhit për një periudhë prej dy dekadash. Ulja e borxhit publik dhe shtetëror në këtë periudhë është kryesisht për shkak të disa operacioneve të blerjes të parakohshme të borxhit ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare (Klubi i Londrës, Klubi i kreditorëve të Parisit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe fletëobligacioni i brendshëm për sanimin e Stopanska Bankës), i financuar përmes privatizimit të pronës publike.
Nga viti 2008 deri në 2016, borxhi publik dhe shtetëror vazhdojnë të rriten në vlerë absolute dhe si përqindje e BPV-së. Borxhi publik nga 23% rritet në 48.8% deri në vitin 2016, ndërsa borxhi shtetëror nga 20.5% në 40.4%. Në periudhën referuese, norma mesatare e rritjes ekonomike ishte 2.5%.
Në vitin 2017, 2018 dhe 2019 ka stabilizim të vogël të borxhit, por me fillimin e krizës së Covid-it dhe nevojën për të financuar deficitin e zgjeruar buxhetor, i cili ndodhi për shkak të rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve për shkak të rritjes së nevojave të financimit si rezultat i krizës së Covid-it, pati rritje të borxhit publik dhe shtetëror, përkatësisht në 60.2% dhe 51.2%.
Rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit shtetëror gjatë vitit të kaluar, me fillimin e krizës së Covid-it është karakteristikë për pothuajse të gjitha ekonomitë botërore. Në Evropë, vetëm Norvegjia ka ndryshim negativ të borxhit shtetëror në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë me -1.3 pikë përqindje. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritjen më të madhe të borxhit shtetëror në Evropë për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 e ka Spanja me rritje prej 27.5 pikë përqindje ose borxh aktual shtetëror me 123% të BPV-së, e ndjekur nga Italia me rritjen e borxhit prej 27 pikë përqindjeje ose borxh shtetëror prej 161.8% të BPV-së dhe Greqia me rritje prej 24.3 pikë përqindje dhe borxh shtetëror prej 205.2% të BPV-së. Në rajon, përveç Greqisë, Shqipëria ka rritjen më të lartë të borxhit me 15.6 pikë përqindje dhe borxh shtetëror me 83.3% të BPV-së, pasuar nga Sllovenia me rritje prej 14.9 pikë përqindje dhe borxh prej 81% të BPV-së dhe Kroacia me 14.5 pikë përqindje rritje të borxhit dhe borxh shtetëror prej 87.7%. Nga 38 vende, Republika e Maqedonisë së Veriut ka borxh më të ulët shtetëror prej 24 vendeve dhe rritje më të ulët të borxhit shtetëror në vitin 2020 nga 22 vende. Është veçanërisht e rëndësishme që borxhi të jetë në nivel të qëndrueshëm, i cili sipas vlerësimeve të FMN-së në raportin e vendit nga muaji prill i vitit 2020 për ekonominë vendore, nuk e kalon 70% të BPV-së. Rritja ekonomike mund të stimulohet nga borxhi publik (debt – fueled growth), por nuk mund të jetë nxitësi kryesor i rritjes.
Konsolidimi fiskal dhe rritja e përshpejtuar për stabilizimin e borxhit
Në planin afatmesëm, më saktësisht deri në vitin 2025, parashikimet tona në Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik janë që borxhi publik do të stabilizohet dhe do të ulet në 58.8%, gjegjësisht nën nivelin e përcaktuar nga kriteri i Mastrihtit, ndërsa borxhi shtetëror do të ulet në 51%. Kjo do të realizohet nga njëra anë përmes planit dhe masave për konsolidimin gradual fiskal, zvogëlimin gradual të deficitit buxhetor dhe nga ana tjetër përmes përshpejtimit të rritjes ekonomike, gjegjësisht krijimin e vlerës më të madhe të shtuar nga e cila më lehtë do të servisohet borxhi që maturon. Me kornizën afatmesme, në bazë të së cilës ne veprojmë dhe në bazë të së cilës është vendosur buxheti për këtë vit, parashikohen masa dhe politika në të dyja drejtimet.
Në kushtet e konsolidimit fiskal, deficiti i parashikuar për vitin 2021 është në nivel prej 4.9%, i cili është 3.6 pikë përqindje më i ulët se deficiti buxhetor i parashikuar për vitin e kaluar. Plani ynë dhe pritshmëritë tona janë që deficiti buxhetor të tkuret gradualisht çdo vit, kështu që në vitin 2022 do të arrijë -3.8%, në vitin 2023 -3.2%, në vitin 2024 -2.9% dhe në vitin 2025 -2% dhe të jetë nën kriterin e Mastrihtit -3% të BPV-së.
Konsolidimin fiskal e planifikojmë përmes: I. Përmirësimit të arkëtimit të të hyrave buxhetore (përmes forcimit të kapaciteteve dhe përmirësimit të shërbimeve të DAP-it dhe Doganës, përmes masave për uljen e ekonomisë gri, masave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, etj.), II zvogëlimin dhe ristrukturimin e mëtejshëm të shpenzimeve buxhetore (duke shkurtuar shpenzimet jo-prioritare dhe jo-thelbësore, zvogëlimin e shpenzimeve rrjedhëse, mbështetje më të madhe për sektorin privat, inovacionin dhe forcimin e konkurrencës, komponentin e theksuar social dhe rishikimin e metodologjive për transfere dhe subvencione, etj.) III Ndryshimet në burimet e financimit të deficitit buxhetor (të tilla si riprogramimi i borxhit publik dhe emetimi i fletëobligacionit shtetërorë zhvillimor, diversifikim më të madh të burimeve të financimit të deficitit, por gjithashtu financim dhe realizim të projekteve të caktuara përmes partneritetit publik-privat, koncesione dhe krijim të Fondit për zhvillim të investime strategjike me mundësinë e mobilizimit të kapitalit financiar nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe sektori privat).
Është planifikuar të zvogëlohen shpenzimet rrjedhëse përmes racionalizimit të shpenzimeve të administratës publike, optimizimit dhe rritjes së efikasitetit të administratës publike, optimizimi dhe riorganizimit të sektorit publik, digjitalizimit të një pjesë të mirë të shërbimeve publike. Në mënyrë që të racionalizohen shpenzimet, theksi vendoset në përmirësimin e realizimit të shpenzimeve kapitale përmes mekanizmit të vendosur CAPEF për “ndëshkimin dhe shpërblimin” e shfrytëzuesve të buxhetit përmes rishpërndarjes së mjeteve buxhetore gjatë vitit buxhetor nga ata me realizim më të ulët drejt atyre me realizim më të lartë të shpenzimeve kapitale, metodologji e mëtejshme për vlerësimin e efekteve të projekteve të investimeve në rritjen ekonomike – PIMA dhe metodologji për vlerësimin e realizimit të investimeve kapitale përmes Smart Key Performance Indicators, si vendosjen e organeve monitoruese për realizimin e investimeve kapitale.
Përshpejtimi i rritjes ekonomike në periudhë afatmesme do të veprojë gjithashtu në drejtim të stabilizimit të borxhit për shkak të rritjes së hapësirës fiskale për servisimin e tij. Përmes ridizajnimit të politikave buxhetore dhe Strategjisë për rimëkëmbje ekonomike dhe Rritjes së përshpejtuar (SmartER Growth) është planifikuar të përshpejtohet rritja ekonomike në periudhën e ardhshme, të kthehet ekonomia në rrugën e rritjes para krizës në gjysmën e dytë të vitit 2022 dhe të sigurojë dinamikë më të shpejtë të rritjes ekonomike pas kësaj. Sipas parashikimeve të indikatorëve, rritja ekonomike në vitin 2025 pritet të arrijë në 5.9%, dhe në periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2030, norma mesatare e rritjes ekonomike pritet të stabilizohet në 5.75% në vit. Kjo është planifikuar të arrihet edhe përmes krijimit të klimës afariste më konkurruese, të orientuar drejt eksportit me mbështetje të fuqishme të sipërmarrësisë dhe inovacionit, përmirësimin e qasjes në financa dhe adaptimin e teknologjive, modernizimin e sektorëve ku kemi përparësi krahasuese, reformë tatimore, luftimin e ekonomisë gri, dixhitalizimin e ekonomisë, zhvillimin e resurseve njerëzore përmes investimeve në arsim, shkencë dhe shëndetësi, masa për aktivitet më të madh të popullsisë të aaftë për punë, orientim drejt “ekonomisë së gjelbër”, etj.
Do të doja të theksoja se vlera e borxhit është një tjetër tregues makroekonomik, por si informatë nuk tregon se sa e fuqishme është ekonomia dhe çfarë kushtesh për jetesë u jep qytetarëve. Borxhi shtetëror i Gjermanisë është 73.3%, i Britanisë së Madhe 108%, i Francës 118.7%, i Spanjës 123%, i Italisë 161.8% …. borxhi shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut është 51.2%, por që nuk do të thotë se jemi ekonomi më e fuqishme prej tyre dhe se kemi performancë më të mirë ekonomike. Ajo që është thelbësore për periudhën tjetër është të drejtojmë të gjitha forcat tona dhe strategjitë për të përshpejtuar rritjen e ekonomisë në mënyrë që të dyfishojnë normat e rritjes krahasuar me mesataren paraprake, e cila varionte rreth 2.5%, dhe njëkohësisht të ushëheqim politikë prudente të borxhit publik që të mbetet në nivel të qëndrueshëm. Borxhi duhet të jetë në funksion të rritjes ekonomike që të jetë i arsyetueshëm.
“Rregulli i artë” i rritjes ekonomike dhe financat publike
Teoria ekonomike e rritjes dhe mirëqenies, e cila zakonisht i sheh faktorët e rritjes në afat të gjatë, ka zhvilluar debat të gjerë shkencor rreth asaj se cilat janë raportet optimale dhe të qëndrueshme të faktorëve të rritjes, duke filluar me modeli i Cobb-Douglas dhe modelet ekzogjene neoklasike të rritjes, të zgjeruara me progresin teknologjik të modelit të Solow, pastaj në modelet më të reja të rritjes endogjene të Robert Barro – të cilat theksojnë politikat ekonomike për mbështetjen e kapitalin njerëzor, inovacionin dhe dijen, si dhe pritshmëritë racionale të Lucas me shtimin e modeleve strukturale dinamike makroekonomike me bazë mikroekonomike, më saktësisht motivimin e agjentëve ekonomikë në tregun e mallrave dhe shërbimeve (amvisëritë lidhur me kërkesën, gjegjësisht konsumin dhe prodhuesit lidhur me ofertën, gjegjësisht investimet) dhe përkatësisht në tregun e punës (të punësuarit dhe punëdhënësit) dhe tregun e kapitalit (sipërmarrësit dhe investitorët). Gjithashtu, kësaj mund t’ia shtojmë edhe debatin e hapur lidhur me shkencën e ekonomisë në raport me rregullat kundrejt politikës diskrete fiskale dhe monetare, por për këtë duke pasur parasysh kohën dhe hapësirën e kufizuar të kësaj kolumne do të zhvillojmë debat në ndonjë rast tjetër.
“Rregulli i artë i rritjes ekonomike”, sipas teorive të rritjes është niveli në të cilin raporti i konsumit dhe kursimeve, gjegjësisht investimeve, siguron fond të njëjtë të kapitalit për të punësuar efektiv, duke marrë parasysh amortizimin, rritjen e popullsisë dhe zhvillimin teknologjik dhe me këtë të sigurojnë kthim konstant të shkalles (lexo rritje ekonomike te vazhdueshme). Sidoqoftë, modelet endogjene të rritjes ekonomike në këtë ekuacion shtojnë rolin e politikave ekonomike në gjenerimin e rritjes duke inkurajuar gjeneratorë të rritjes, siç e përmenda më lartë – mbështetjen e kapitalit njerëzor, inovacionit dhe njohurive në mënyrë që të rritet produktiviteti i ekonomisë. Këtu, lidhet edhe çështja e financimit të rritjes, gjegjësisht financat publike, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Lidhur me këto çështje, debati është i hapur në shkencën ekonomike dhe vazhdon në lidhje me të ashtuquajturën “Rregulli i artë i financave publike”, përkatësisht huamarrje vetëm për investime publike (qëllime produktive). Në rast se këtij diskutimi i shtojmë teoritë e cikleve ekonomike dhe krizat ekonomike, debati sigurisht që do të bëhet shumë më kompleks. Por, ajo që mund të thuhet se ka konsensus në raport me financat publike është fakti se konsolidimi fiskal në periudhën afatmesme paraqet faktor të rëndësishëm në sigurimin e rritjes së qëndrueshme. Thënë me fjalë më të rëndomta, nëse duam të financojmë rritjen, nëse nuk kemi kursime të mjaftueshme, këtë mund ta bëjmë me huamarrje, por ajo duhet të jetë e arsyeshme ekonomikisht që të mund të sigurojë rritje të qëndrueshme. Dhe kjo e parë në mënyrë intertemporale, ndërmjet gjeneratave, nëse marrim huamarrje sot, do të thotë që nesër duhet të kthehet dhe kjo do të thotë që nëse investojmë sot, përfitimet duhet të shihen nesër ose nëse një gjeneratë merr hua dhe një tjetër duhet ta kthejë atë, natyrisht që ata duhet të kenë përfitime nga vendimi i tillë.
Në kontekst të borxhit publik, si çështje për diskutim në teorinë ekonomike dhe politike do të mbeten niveli i borxhit, çmimi i borxhit dhe qëllimi se për çka do të shfrytëzohet ky borxh, ndërsa në secilin vend individualisht në varësi të kontekstit dhe kondicionit të tij ekonomik kjo temë me të drejtë shkakton debat të gjerë publik pro dhe kundër në kontekst të rritjes ekonomike të ardhshme dhe mirëqenies së kësaj dhe gjeneratave të ardhshme.
Kolumnë e ministrit të Financave Fatmir Besimi