Кumtesa|

7 mars 2021, Shkup – Gjatë emetimit të letrave shtetërore me vlerë, shpenzimi duhet të jetë më i ulët se përfitimi që do arrihet, përkatësisht norma e ardhëshme e rritjes së bruto prodhimit vendor duhet të jetë e mjaftueshme për financimin e borxhit, shkruan në kolumnën e tij ministri i Financave, Fatmir Besimi. Ai thekson se nevojitet edhe konsolidim fiskal i planifikuar, i cili do ta ulë deficitin buxhetor dhe borxhin publik nën kriterin e Mastrihtit në një periudhë afatmesme dhe thekson se huamarrja është e arsyetueshme, nëse ajo mundëson normë më lartë për rritje ekonomike.

– Euroobligacionin të cilin e emetuam tani në vitin 2021 arsyetohet ekonomikisht. Ai do të rifinancojë euroobligacionin e emetuar në vitin 2014 në vlerë prej 500 milionë euro, me normë interesi prej 3.975%. Tani norma e interesit është 1.625%, që do të thotë se për shtatë vite do të kemi kursime interesi prej 82.25 milionë euro. Përveç kësaj, rritja reale e BPV-së që e projektojmë është 4.1% (ose rritje nominale prej 5.6%), përkatësisht 3.5 herë më e lartë se norma e interesit të euroobligacionit. Kjo do të thotë se pjesa tjetër e euroobligacionit prej 200 milionë euro, që do të shfrytëzohet për mbështetjen të buxhetit, do të prodhojë vlerë disa herë më të lartë se shpenzimi që do të paguhet për të. Përndryshe, në krahasim me normën reale të projektuar të rritjes së BPV-së, nëse merret parasysh inflacioni në BE dhe në ekonominë tonë në nivel prej 1.5% sipas normës së projektuar për vitin 2021, shumë lehtë mund të llogaritet se norma reale e interesit të euroobligacionit të tetë shënon 0.125%, përkatësisht interesi nominal prej 1.625% i ulur për inflacionin e projektuar prej 1.5% – shkruan Besimi.

Ai në këtë kolumnë shkruan se, me fillimin e krizës së Covid-it, rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit të shtetit gjatë vitit të kaluar është karakteristike e pothuajse të gjitha ekonomive botërore. Rritja e borxhit vjen nga rënia e të hyrave për shkak të çregullimit të zinxhirëve globalë të furnizimit dhe njëkohësisht nga rritja e shpenzimeve për shkak të financimit të harxhimeve që janë të lidhura me krizën.

– Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritjen më të madhe të borxhit shtetëror në Evropë për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 e ka Spanja me rritje prej 27.5 pikë përqindje ose borxh aktual shtetëror me 123% të BPV-së, e ndjekur nga Italia me rritjen e borxhit prej 27 pikë përqindjeje ose borxh shtetëror prej 161.8% të BPV-së dhe Greqia me rritje prej 24.3 pikë përqindje dhe borxh shtetëror prej 205.2% të BPV-së. Në rajon, përveç Greqisë, Shqipëria ka rritjen më të lartë të borxhit me 15.6 pikë përqindje dhe borxh shtetëror me 83.3% të BPV-së, pasuar nga Sllovenia me rritje prej 14.9 pikë përqindje dhe borxh prej 81% të BPV-së dhe Kroacia me 14.5 pikë përqindje rritje të borxhit dhe borxh shtetëror prej 87.7%. Nga 38 vende, Republika e Maqedonisë së Veriut ka borxh më të ulët shtetëror prej 24 vendeve dhe rritje më të ulët të borxhit shtetëror në vitin 2020 nga 22 vende. Është veçanërisht e rëndësishme që borxhi të jetë në nivel të qëndrueshëm, i cili sipas vlerësimeve të FMN-së në raportin për ekonominë vendore, nga muaji prill i vitit 2020, nuk do duhet ta tejkalojë 70% të BPV-së. Rritja ekonomike mund të stimulohet nga borxhi publik (debt – fueled growth), por nuk mund të jetë nxitësi kryesor i rritjes – shkruan Besimi.

Në këtë kolumnë, ministri i Financave i shpalos edhe planet për konsolidimin gradual fiskal përmes së cilit borxhi publik deri në vitin 2025 do të ulet në 58.8% ose nën kriterin e Mastrihtit.

– Kjo do të realizohet nga njëra anë përmes planit dhe masave për konsolidimin gradual fiskal, përkatësisht zvogëlimin gradual të deficitit buxhetor dhe nga ana tjetër përmes përshpejtimit të rritjes ekonomike, gjegjësisht krijimin e vlerës më të madhe të shtuar nga e cila më lehtë do të servisohet borxhi që maturon. Me kornizën afatmesme, në bazë të së cilës veprojmë dhe në bazë të së cilës është vendosur buxheti për këtë vit, parashikohen masa dhe politika në të dyja drejtimet – shkruan Besimi.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *