Кumtesa|

17 mars 2021, Shkup – Përmirësimi i kapacitetit fiskal dhe rritja e të hyrave të komunave, rritja e disiplinës fiskale, si dhe të transparencës dhe llogaridhënies në punën e tyre – këto janë tre shtyllat e reformës për avancimin e decentralizimit fiskal, proces të cilin e realizon Ministria e Financave dhe për të cilin ka parashtruar informacion në Qeveri që u shqyrtua dhe miratua në mbledhjen e djeshme qeveritare. Pas kësaj do të vijojë procesi i konsultimeve publike me BNJVL-në dhe palët e interesuara dhe në koordinim me Grupin e punës për vazhdimin e procesit të decentralizimit, të formuar nga Qeveria, në të cilën marrin pjesë Ministria për Sistem Politik, Ministria e Fianacave, Ministria e Pushtetit Lokal dhe BNJVL.

Shtylla e parë ose përmirësimi i kapacitetit fiskal dhe rritja e të hyrave të komunave, do të realizohet përmes disa aktiviteteve që parashikojnë rritje të mjeteve që u janë shpërndarë komunave nga detyrimet e arkëtuara në buxhetin qendror, rritje të të hyrave vetanake të komunave dhe formimi i fondeve që do të mbështesin performancën e mirë.

Është planifikuar që në mënyrë graduale të rritet përqindja  që e marrin komunat nga të hyrat e tatimit mbi të ardhurat personale, të arkëtuar nga personat fizikë, të regjistruar me vendbanim të përhershëm dhe vendqëndrim në komunë. Gjithashtu në mënyrë graduale do të rritet edhe norma e dotacionit nga TVSH-ja e arkëtuar, sipas performancës së komunave. Domethënë është planifikuar edhe formimi i dy fondeve – Fondi për performancë dhe Fondi për barazim. Komunat që do tregojnë rezultate pozitive dhe që kanë realizim më të lartë të të hyrave vetanake do të sigurojnë mjete nga Fondi për performancë ndërsa nga Fondi për barazim do të sigurohen mjete për komunat që kanë të hyra më të ulëta, por ato tregojnë përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në mbledhjen e të hyrave vetanake.

Do të veprohet edhe në rritjen e të hyrave vetanake të komunave, veçanërisht në të hyrat nga tatimi mbi pronën e patundshme me përfshirje më të mirë të bazës tatimore të personave fizikë dhe juridikë dhe rivlerësimin e vlerës së pronës së patundshme. Në periudhën e ardhshme, pritet që të realizohen të hyra më të larta me përcaktimin e vlerës reale të tregut të pronës së patundshme pas përfundimit të procedurës për ndërtesat e ndërtuara pa leje në tokë ndërtimore dhe bujqësore.

Do të veprohet edhe në sigurimin e të hyrave të reja lokale sipas praktikave më të mira të BE-së dhe përmirësimit të kritereve për shpërndarjen e mjeteve të ndara për kompetencat e transferuara në sferën e arsimit fillor dhe të mesëm, kulturës, mbrojtjes së fëmijëve dhe mbrojtjes së të moshuarve si dhe mbrojtjes kundër zjarrit.

Shtylla e dytë e cila është në drejtim të rritjes së disiplinës financiare të komunave, zvogëlimit të borxheve dhe menaxhimit ekonomik, parasheh aktivitete në drejtim të masave për planifikimin real të të hyrave dhe shpenzimeve të komunave, racionalizimin e punës dhe uljen e shpenzimeve të panevojshme, servisimin e rregullt të borxhit, disiplinën më të madhe financiare, procedurë për shpalljen e paqëndrueshmërisë financiare, emetimin e fletëobligacioneve komunale dhe analizën e detyrimeve ekzistuese të komunave dhe ndërmarrjeve publike.

Në drejtim të rritjes së transparencës dhe  llogaridhënies – do të rritet kontrolli nga ana e vendit, veçanërisht nga Inspektimi financiar lidhur me Ligjin për raportimin dhe evidencën e detyrimeve dhe raportimin lidhur me mosrespektimin e Ligjit për disiplinë financiare, do të merren masa për rritjen e transparencës për komunat përmes publikimit të raporteve financiare në mënyrë transparente dhe të kuptueshme dhe do të veprohet drejt llogaridhënies më të madhe për shfrytëzimin e mjeteve buxhetore.

Një nga prioritetet në Programin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut 2020-2024 është vazhdimi i procesit të decentralizimit, në drejtim të demokratizimit më të lartë, shërbimeve më të mira publike dhe zhvillimit të përforcuar lokal. Qëllimi është që kompetencat të transferohen në nivelin e menaxhimit që është më i kapshëm për qytetarët. Në periudhën e ardhshme do të vazhdohen politikat për zhvillimin e komunave, përkatësisht decentralizimit fiskal dhe zhvillimit të barabartë rajonal, me qëllim të përforcimit të burimeve financiare të komunave, por edhe rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës së punës së tyre.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *