25 mars 2021, Shkup – Buxheti është likuid dhe rregullisht i servison të gjitha nevojat, madje edhe pensionet parakohe, ndërsa arkëtimi i të hyrave nga fillimi i vitit deri më datë 22 mars është më i lartë për 3.3% krahasuar me periudhën para krizës së vitit të kaluar, tha zëvendësministri i Financave, Dimitar Kovaçevski në intervistën për ditarin e lajmeve të televizionit Sitel.
– Të hyrat e përgjithshme realizohen për 3.3 përqind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar dhe kjo i referohet, para së gjithash të hyrave tatimore të cilat janë më të larta për 4.3 përqind në krahasim me vitin e kaluar që i referohet përsëri rritjes së TVSH-së për 9.8% dhe tatimit mbi fitimin për 3.2%, ku gjithashtu për 4.4 përqind janë rritur edhe detyrimet importuese. Kontributet, gjithashtu janë në nivel më të lartë dhe janë më të larta për 3.3 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tha zëvendësministri i Financave duke shtuar se shpenzimet bëhen rregullisht dhe në kohë dhe se disa bëhen edhe para kohe siç janë pensionet, të cilat me vendimin e Qeverisë do të paguhen më datë 29 mars.
Ai informoi se deficiti është realizuar sipas dinamikës së planifikuar, ashtu siç është paraparë në buxhetin për vitin 2021.
– Tani për tani gjithçka po zhvillohet sipas parashikimeve dhe vlerësimeve të Ministrisë së Financave. Momentalisht, vlerësojmë se norma e parashikuar e rritjes ekonomike prej 4.1 përqind do të realizohet, ku vazhdimisht në bazë ditore me vëmendje e përcjellim situatën dhe nëse do të prolongohet kriza shëndetësore atëherë gjithsesi do ndërmerren masa korrigjuese, tha Kovaçevski.
Ai shtoi se, në bazë ditore, çdokush mund ta përcjellë realizimin e të hyrave, shpenzimeve, investimeve kapitale dhe borxhit publik në vend përmes Numëruesit fiskal, i cili nga njëra anë mundëson nivel të lartë të transparencës ashtu si një numër i vogël i vendeve të botës, ndërsa nga ana tjetër siguron informacione dhe siguri të mjaftueshme për qytetarët dhe kompanitë në drejtimin e financave publike.
Kovaçevski vuri në dukje se mjetet për pakon e pestë të masave janë ndarë që nga planifikimi i buxhetit për vitin 2021. Ai thotë se masa për përkrahje financiare për pagesën e pagave kontriboi në ruajtjen e më shumë se 100.000 vendeve të punës dhe se gjatë projektimit të Buxhetit janë paraparë mjete edhe për këtë masë.