19 maj 2021, Shkup – Ekonomia e Republikës së Maqedonisë së Veriut po rimëkëmbet, vlerësoi misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili u realizua nga data 6-17 maj. Ata theksuan se politikat e mira dhe stimujt qeveritarë amortizuan ndikimin e krizës së Kovid-19 në ekonominë tonë dhe theksojnë se politika fiskale duhet të orientohet edhe më tej në mbështetjen e ekonomisë dhe qytetarëve.
Bëhet fjalë për misionin e rregullt të FMN-së në vend, të udhëhequr nga Bergiot Barkbu. Në kuadër të këtij misioni u realizuan disa takime me përfaqësues të Ministrisë së Financave, përfshirë edhe ministrin e Financave Fatmir Besimi, ku u diskutua për situatën aktuale dhe pritjet për ekonominë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e projektoi rritjen e bruto produktit vendor në vitin 2021 me 3.8%, duke theksuar se projeksioni mund të ketë korrigjim në rritje nëse vazhdon përshpejtimi i tempos së imunizimit.
Politika fiskale duhet të vazhdojë ta përkrahë rimëkëmbjen ekonomike, duke nxitur hapjen e vendeve të reja të punës dhe duke ruajtur stabilitetin social, theksojnë nga FMN-ja. Ata vlerësuan se Qeveria në vitin 2021 vazhdoi t’i përkrahë firmat dhe qytetarët dhe theksojnë se nëse paraqitet nevoja, Qeveria duhet edhe më tej të vazhdojë me masat që do të kontribuojnë në rimëkëmbjen ekonomike.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se plani qeveritar për investime është ambicioz dhe se duhet të bëhen përpjekje të mëtejshme në drejtim të përmirësimit të efikasitetit të shpenzimeve publike. Theksojnë se përpjekjet për përmirësimin e arkëtimit të detyrimeve do të krijojnë hapësirë më të madhe fiskale dhe se këto mjete mund të destinohen në sfera kryesore si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura dhe nga ana tjetër do të kontribuojnë në ruajtjen e nivelit të qëndrueshëm të borxhit.
FMN-ja vëren se projeksioni për normën e inflacionit në vitin 2021, si rezultat i rritjes globale të çmimeve të ushqimit dhe energenseve, shënon rishikim në rritje, por në nivel të moderuar (modest) prej 2.2%.