21 korrik 2021, Shkup – Përpilimi i Strategjisë për zhvillim të tregjeve financiare me theks të veçantë në tregun e kapitalit, ligjet e reja në fushën e bankave, sigurimit, tregut të kapitalit, shërbimeve pagesore, revizionit, do të jenë në fokusin e punës së Këshillit për zhvillim të tregut të kapitalit, kryesuar nga ministri i Financave Fatmir Besimi.
Sot, në Ministrinë e Financave u mbajt mbledhje e Këshillit për zhvillim të tregut të kapitalit, në të cilën ministri i Financave njoftoi se Këshilli do të vazhdojë në mënyrë aktive me aktivitetet e tij, ku në të kaluarën nuk paten mbledhje për shkak të krizës së covidit dhe angazhimit në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve për ballafaqim me krizën dhe për mbajtjen e ekonomisë në nivel të kënaqshëm.
– Masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në suaza të tregut të kapitalit, nuk mund t’i zgjidhin të gjitha problemet me të cilat ballafaqohemi. Por, shpresoj që me përpjekje të përbashkëta, përmes shkëmbimit të ndërsjellë të përvojave dhe ideve, të gjithë së bashku do të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të kapitalit. Pjesëmarrësit e tregut, si palë më të prekura, duhet të kontribuojnë në tejkalimin e situatës aktuale, tha ministri në mbledhjen e Këshillit për zhvillim të tregut në tregjet financiare.
Ministri potencoi se, për ta orientuar zhvillimin e mëtejshëm në drejtimin e duhur të tregjeve financiare dhe liberalizimit të tyre, paraqitet nevoja për përpilimin e Strategjisë për liberalizim dhe zhvillim të tregjeve financiare, me theks të veçantë në tregun e kapitalit, duke shfrytëzuar ekspertizën dhe praktikat ndërkombëtare në vendet me nivel të ngjashëm të zhvillimit të tregjeve financiare si vendi ynë.
Në këtë takim, ministri i Financave Fatmir Besimi, theksoi se Ministria e Financave me qëllim që ta stimulojë rritjen ekonomike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në fazën e rimëkëmbjes së ekonomisë të shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19 është në procesin e planifikimit të mënyrës dhe kushteve për vendosjen e fondeve për zhvillim, që orientohen në lehtësimin e qasjes në mjetet financiare për kompanitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Fokusi kryesor i referohet gjetjes së mënyrave për krijimin e burimeve të mjeteve për kompanitë e vogla dhe të mesme, për investime strategjike dhe të gjelbërta që janë nxitës të rritjes ekonomike dhe gjenerues të vendeve të reja të punës. Burimet e reja të mjeteve, duhet ta përkrahin rritjen ekonomike pa rritje shtesë të deficitit, por përmes vendosjes së fondeve që mbledhin kapital nga investitorët privat me renome dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Sot, Këshilli gjatë mbledhjes diskutoi edhe për çështjen aktuale në periudhën e fundit, rreth mjeteve virtuale dhe rregullimit të tyre.
Disa shtete kanë miratuar zgjidhje ligjore për rregullimin e mjeteve virtuale, me qëllim që të tërheqin investitorë në drejtim të mjeteve virtuale dhe të jenë të hapur për teknologjinë inovative në bazë të së cilës janë krijuar këto mjete.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për herë të parë me Propozim Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për parandalim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, hasen mjete virtuale vetëm në aspekt të aktiviteteve në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Këshilli për zhvillim të tregut të kapitalit e monitoron situatën e tregut të kapitalit dhe propozon masa për sigurimin e rritjes dhe zhvillimin e tij të vazhdueshëm.
Këshilli përbëhet nga Dr.Fatmir Besimi, ministër i Financave, që është edhe kryetari i Këshillit, ndërsa anëtarë janë përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Komisionit të Letrave me Vlerë, Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agjencisë për Supervision të Sigurimit, Agjencisë për Supervision të Sigurimit Pensional me Financim Kapital, Bursa e Maqedonisë SHA Shkup, Depozituesi qëndror i letrave me vlerë SHA Shkup, Asociacioni Bankar i Maqedonisë – Shkup, si dhe përfaqësues së shoqërive për menaxhim me fondet investuese, shoqërive pensionale, si dhe përfaqësuesi i subjekteve të mëdha tregtare i propozuar nga Oda ekonomike e Maqedonisë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperendimore dhe Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë.