6 shtator 2021, Shkup – Banka Evropiane Investuese vazhdon përkrahjen për vendin dhe rajonin ndërsa gatishmëria për investime në projekte të reja u theksua në takimin e sotëm midis ministrit të Financave Fatmir Besimi dhe nënkryetares së BEI Liljana Pavllova.
Në Maqedoninë e Veriut deri më tani nga BEI janë investuar mbi një miliard euro. Janë përkrahur projekte të mëdha infrastrukturore në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, furnizimin me ujë, energjetikën, ujërat e zeza, ndërsa nuk mungon edhe përkrahja endërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga mjetet e plasuara përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim u shpreh kënaqësia sa i përket progresit të arritur në periudhën e kaluar lidhur me realizimin e linjës kreditore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe pritet që deri në fund të këtij muaji të dorëzohen kërkesat për pagesën e transhës së parë të linjës së fundit kreditore prej 100 milionë euro, për të cilën u nënshkrua marrëveshje gjatë këtij viti. Me anë të kësaj marrëveshje pritet të sigurohet përkrahje financiare më së paku për 300 projekte të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe është në drejtim të përkrahjes së rimëkëmbjes ekonomike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend.
Ministri i Financave Fatmir Besimi shprehu mirënjohje për përkrahjen e dhënë nga BEI në procesin e aderimit në BE dhe shprehu besimin se bashkëpunimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në këtë takim u theksua se Banka Evropiane e Investimeve është e gatshme të zgjerojë përkrahjen e saj për efikasitetin energjetik, lëvizshmërinë e qëndrueshme dhe projektet dixhitale në Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut në përputhje me Planin ekonomik dhe investues të BE-së, si dhe sferën e ballafaqimit me zjarret.
Gjithashtu u theksua përkrahja për përpjekjet e Qeverisë në shfrytëzimin e modelit të gjelbër të qëndrueshëm ekonomik në realizimin e projekteve prioritare që janë pjesë e Planit ekonomikdhe investues, të miratuar nga KE në vitin 2020, i cili siguron rimëkëmbje dhe zhvillim afatgjatë të rajonit, të tilla si përkrahja në realizimin e fazës së tretë të korridorit hekurudhor 8 për në Bullgari, ndërtimi i stacionit filtrues në Shkup, lidhja e gazit me Republikën e Greqisë, për të cilat projekte është paralajmëruar sigurimi i financimit me grante nga instrumenti WBIF i Bashkimit Evropian.