17 shtator 2021 Shkup – Ministri i Financave, Fatmir Besimi, së bashku me zëvendëskryetarin e Qeverisë për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, ministren e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, ministren e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska, ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, zëvendësministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski dhe anëtarët e grupit punues ndër-resorial për përgatitjen e Programit të reformave ekonomike 2022-2024, mbajtën takimin e dytë në kuadër të procesit të përgatitjes së Programit.
Në këtë takim u diskutua për propozim masat reformuese që do të përfshihen në Programin 2022-2024 dhe do të jenë në drejtim të tranzicionit të gjelbër, transformimit dixhital, përmirësimit të mjedisit afarist dhe zvogëlimit të ekonomisë joformale, si dhe avancimit të kapitalit njerëzor.
Masat e propozuara që do të jenë pjesë e PRE 2022-2024 dalin nga rekomandimet që janë pjesë e konkluzioneve të miratuara në Dialogun vjetor të politikave ekonomike, që u mbajt në muajin korrik 2021 me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, Ballkanit perëndimor dhe Turqisë, si dhe Vlerësimi i KE-së për Programin e reformave ekonomike 2021-2023.
U miratuan rekomandime për përmirësimin e draft tekstit të parë të propozim masave reformuese. Këto rekomandime në periudhën vijuese do të shqyrtohen në kuadër të misionit këshilldhënës të KE-së dhe konsultimet me opinionin.
Ky është proces i vazhdueshëm, i cili zbatohet së bashku me BE-në dhe paraqet përgatitje për pjesëmarrje në procesin e mbikëqyrjes ekonomike dhe fiskale të vendeve anëtare të BE-së, me qëllim që të zbatohen proceset kryesore reformuese në vend, të cilat do të ndikojnë mbi intensifikimin e dialogut me BE-në.
Programi i reformave ekonomike (PRE) për 2021-2023 pasqyron harmonizimin e kornizës afatmesme makroekonomike dhe fiskale me reformat strukturore sektoriale për promovimin e konkurrencës dhe rritjes. I gjithë procesi i përgatitjes së dokumentit koordinohet nga Ministria e Financave me pjesëmarrje të institucioneve përkatëse shtetërore. Programi duhet të dorëzohet në KE, jo më vonë se data 31 janar 2022.