Кumtesa|

26 tetor 2021, Shkup – Rritja ekonomike mbi 5% në vit, investimet në sektorin publik dhe privat prej 12 miliardë euro, 156.000 vende të reja pune dhe njëkohësisht konsolidimi fiskal, respektivisht ruajtja e borxhit publik stabil janë pjesë e efekteve të pritshme të Planit për rritje të përshpejtuar ekonomike për periudhën 2022-2026 që u miratua sot nga Qeveria, ndërsa në konferencën për shtyp e prezantuan Kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike e përgatiti Ministria e Financave në bashkëpunim me resorët qeveritarë, me qëllim ambicioz por të realizueshëm që të përkrahet rimëkëmbja ekonomike dhe rritja e përshpejtuar.

Plani bazohet në qasje të re dhe ofron përkrahje të koordinuar për stimulimin e investimeve në sektorin publik dhe privat në më shumë sfera prioritare, duke specifikuar burimet në dispozicion të financimit dhe instrumentet dhe mekanizmat e financimit, duke vlerësuar efektet e pritshme.

“Qëllimi kryesor është krijimi i vendeve të reja të punës dhe stimulimi i rritjes së ekonomisë në vendin tonë, me investime të reja, rritje prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ruajtjen e borxhit publik stabil”, tha Kryeministri Zaev.

Duke u fokusuar në tre qëllimet kryesore të Planit, Kryeministri Zaev tha se ai ofron qasje inovative në kapitalin financiar për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe se krahas investimeve të planifikuara publike prej 4 miliardë eurove, do të mobilizohen edhe investime shtesë nga sektori privat, të cilat llogariten në 8 miliardë euro.

Ai theksoi rëndësinë e investimeve kapitale për zhvillimin ekonomik, duke vënë në dukje se edhe në kushtet e pandemisë ato vijuan edhe më tej.

“Për këtë qëllim,” tha ai, “është vendosur mekanizmi KAPEF, me të cilin shpërblehen shfrytëzuesit buxhetorë që kanë nivel të lartë të kryerjes së shpenzimeve kapitale dhe vlerëson se mund të gjenerojë 1.5 miliardë euro shtesë shpenzime kapitale gjatë periudhës 2022 – 2026”.

Sipas Kryeministrit, qëllimi i dytë i Planit për rritje të përshpejtuar ekonomike tashmë ka filluar të realizohet. PBB-ja në gjysmën e parë të vitit ishte 5.6%, ndërsa në tremujorin e dytë ishte 13.1%, që është një konfirmim se ekonomia po i kthehet rrugëve të rritjes.

“Jo shumë kohë më parë, Banka Botërore rriti parashikimin për rritjen e PBB-së në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021, nga 3.6 në 4.6%, që i tejkalon edhe vlerësimet tona për rritje prej 4.1%. Aktiviteti i sektorit privat do të rritet, përmes ofrimit të mënyrave të reja të qasjes në kapital, instrumenteve, fondeve dhe burimeve të financimit, të cilat mobilizojnë disa herë më shumë mjete dhe investime nga sektori privat. Kjo do ndikojë në rritjen e investimeve të përgjithshme, në rritjen e përshpejtuar të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe do të përshpejtohet krijimi i vendeve të reja të punës.

Papunësia tani është në nivel prej 15.9%, që është niveli më i ulët sa i përket historisë së vendit. Sipas planit, me rritjen e investimeve, shkalla e punësimit parashikohet të rritet në 54,3% në vitin 2026 dhe shkalla e papunësisë të kalojë për herë të parë në zonën njëshifrore deri në vitin 2026 prej 8,6%”, tha Kryeministri Zaev dhe shtoi se është e rëndësishme të theksohet se zhvillimet e favorshme makroekonomike do t’i përmirësojnë financat publike, që do të sjellin qëndrueshmëri fiskale, me uljen e borxhit publik dhe borxhit publik garantues nën 60% nga PBB-ja në vitin 2026.

“Karakteristikë e kësaj Qeverie është funksionimi i përkushtuar, i përgjegjshëm dhe transparent dhe kjo vërehet edhe në Buxhetin stabil si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Edhe në kushte pandemie nuk ka pasur vonesa në dhënien e pagave, pensioneve, është mbështetur financiarisht sektori privat dhe sektorët më të prekur dhe paralelisht kemi krijuar këto plane të mëdha afatgjata, nga të cilat do të përfitojnë gjeneratat aktuale dhe të ardhshme ”, tha Kryeministri.

Ministri i Financave Besimi theksoi se Plani është vazhdim i të gjitha masave që u ndërmorrën për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga pandemia me KOVID-19.

“Situata e pandemisë, që u paraqit vitin e kaluar shkaktoi krizë të thellë shëndetësore dhe sociale ekonomike. U paraqit nevoja që të reagojmë shpejt dhe në kohë, me ç’rast dizajnuam masa për mbrojtjen e shëndetit dhe gjasht pako të masave ekonomike me vlerë mbi 1 miliardë euro. Ndërsa, tani me Planin për rritjen e përshpejtuar ekonomike vazhdojmë edhe më tej dhe do t’u përgjigjemi nevojave për përkrahje të rimëkëmbjes dhe rritjes së sërishme të ekonomisë, njëkohësisht duke u angazhuar që të realizojmë konsolidim fiskal afatmesëm, gjegjësisht ta zvogëlojmë edhe deficitin buxhetor edhe borxhin publik”, theksoi ministri Besimi.

Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike është një realizim i asaj që e kemi paralajmëruar në Buxhetin për vitin 2021, pra Strategjinë për rimëkëmbje ekonomike dhe rritje të përshpejtuar SmartER Growth, Politikat për konsolidim të buxhetit nga viti 2021 deri në vitin 2025 dhe Planin për investime publike 2021-2025.

“Plani është kombinim i instrumenteve financiare tradicionale dhe inovative. Instrumentet e propozuara që do të sigurojnë financimin e projekteve në plan janë: mekanizmi për efikasitet më të madh të shpenzimeve kapitale, fletobligacioni zhvillimor, fletobligacione projektuese, fletobligacione të gjelbra, fletobligacion i indeksuar me inflacion, partneritet publik-privat, menaxhimi i aseteve publike, skema garantuese, Fondi për efikasitet energjetik, Fondi për zhvillim lokal dhe rajonal, Fondi për hulumtim dhe zhvillim, Fondi për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për rritjen dhe zhvillimin e tyre, Fondi strategjik i investimeve të gjelbra, Fondi për rritjen e mjeteve financiare, Fondet për kapital sipërmarrës (venture) dhe financimi me bashkëpunim dhe strukturim të grupit (crowdfunding)”, tha ministri Besimi.

Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike do të përkrahë projekte investuese në sektorin publik dhe privat, që do të nënkuptojnë përmirësimin e konkurrencës ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, si dhe do të përqendrohen në disa fusha prioritare: ekonomia e gjelbër, dixhitalizimi, inovacioni dhe zhvillimi teknologjik, zhvillimi i infrastrukturës fizike dhe kapitali njerëzor, si dhe kohezioni social.

Ministri theksoi se është krijuar një strukturë institucionale precize për të menaxhuar të gjithë procesin për realizimin e suksesshëm të tij.

Plani është miratuar në komunikim intensiv me institucionet financiare ndërkombëtare dhe partnerët e tjerë zhvillimorë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të siguruar përkrahje financiare dhe teknike. Përmes vendosjes së platformës SEFF (Skopje Economic and Finance Forum, SEFF), pas Konferencës së parë vjetore të Ministrisë së Financave, Plani tashmë është prezantuar edhe para komunitetit të biznesit, sektorit bankar dhe palëve të tjera të involvuara.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *