Кumtesa|

2 nëntor 2021, Shkup – Vazhdimësia për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, më shumë investime kapitale, pagesa e rregullt dhe me kohë e pagave, pensioneve dhe kompensimeve sociale dhe njëkohësisht, konsolidimi fiskal janë qëllimet kryesore të Propozim buxhetit për vitin 2022, që Qeveria e miratoi në mbledhjen e datës 30 tetor, ndërsa sot në konferencën për shtyp e prezantoi ministri i Financave, Fatmir Besimi. Realizimi i Buxhetit për vitin 2022, do të mundësojë përkrahjen e rritjes ekonomike, që projektohet të jetë në nivel prej 4.6%.

Të hyrat e përgjithshme të Propozim Buxhetit për vitin 2022, planifikohen të jenë në vlerë prej 238.9 miliardë denarëve dhe janë për 7.4% më të larta se në këtë vit. Shpenzimet e përgjithshme, planifikohen të jenë në nivel prej 272.4 miliardë denarëve, me ç’rast janë për 1.4% më të larta se në vitin 2021. Deficiti, planifikohet të jetë në nivel prej 33.5 miliardë denarëve ose 4.3% të PBB-së dhe është më i ulët për 2.2 pikë përqindje, krahasuar me deficitin në vitin 2021.

Gjegjësisht, investimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor dhe janë me vlerë prej 37.8 miliardë denarëve, që është rreth 27% më shumë në krahasim me vitin 2021. Me këtë, siç theksoi ministri, arrihet rregulli i artë në financat publike.

– Karakteristika kryesore e propozim buxhetit për vitin 2022, është se deficiti do të shfrytëzohet vetëm për përkrahje të pjesës më të konsiderueshme të investimeve kapitale. Në vitin 2022, sipas të gjitha karakteristikave do të kemi “buxhet zhvillimor”. Komponenti zhvillimor i Buxhetit, pasqyrohet përmes rritjes së mjeteve për shpenzime kapitale, rreth 27%, në krahasim me vitin 2021 ose 8 miliardë denarë më shumë parashihen në vitin 2022 për projekte kapitale. Shpenzimet kapitale, në vitin e ardhshëm historikisht, do të jenë në nivel më të lartë për 14% nga shpenzimet e përgjithshme, theksoi ministri.

Karakteristika e këtij Buxheti është se mjetet e qytetarëve do të shfrytëzohen aty ku japin efektet më të mëdha në arritjen e qëllimeve për cilësi më të lartë të jetës.

Mjetet do të dedikohen për intensifikimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, përkatësisht për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe për investime kapitale për përmirësimin e kushteve të sistemit të shëndetësisë, arsimit dhe sistemit social, të bujqësisë, kulturës, sportit, mbrojtës së mjedisit jetësor dhe gjyqësorit.

Me qëllim që t’u përgjigjemi sfidave aktuale të shkaktuara nga pandemia Kovid 19, parashihen më shumë mjete për sektorin e shëndetësisë dhe planifikohen që të jenë në nivel prej 7.4 miliardë denarëve. Një vlerë e konsiderueshme dedikohet për prokurimin me vaksina kundër Kovid 19; rikonstruksionin e IPSH-ve me vlerë prej rreth 260 milionë denarëve; pajisjet mjekësore, rinovimin dhe pajisjen e punkteve të vaksinimit, si dhe për programe të tjera, theksoi Besimi.

Efikasiteti dhe efektiviteti i përmirësuar në shfrytëzimin e mjeteve publike do të arrihet përmes përforcimit të monitorimit në kuadër të mekanizmit për realizim më të madh të shpenzimeve kapitale (CAPEF), vendosjes së më shumë indikatorëve për vlerësimin e suksesit të shfrytëzuesve buxhetorë dhe vendosjes së Sistemit të integruar informativ për menaxhimin e financave dhe Sistemit të integruar informativ tatimor.

Konfirmim për atë se fokusi do të jetë mbi investimet kapitale është edhe shkurtimi i shpenzimeve rrjedhëse deri në nivel prej 86% nga shpenzimet e përgjithshme.

Me propozim buxhetin, shpenzimet rrjedhëse janë ulur për 4.3 miliardë denarë në krahasim me vitin 2021 ose për 2% janë më të ulëta, gjegjësisht në nivel prej 234.6 miliardë denarëve. Gjithashtu, te shpenzimet për mallra dhe shërbime që janë projektuar të jenë në nivel prej 20.6 miliardë denarëve, ka ulje për 6% ose për 1.3 miliardë denarë dhe si rezultat i konsolidimit fiskal dhe minimizimit të shpenzimeve operative përmes Buxhetit.

Ministri potencoi se qytetarët mund të jenë të sigurt se në buxhetin për vitin 2022 do të ketë likuiditet dhe se do të ketë pagesë të rregullt të pagave, pensioneve dhe kompensimeve sociale.

Mbetemi të përkushtuar mbi optimizimin e administratës përmes kontrollit të punësimeve të reja, si dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së të punësuarve dhe rritjes së motivit për realizim profesional, cilësor dhe të tërësishëm të detyrave të punës.

Transferet sociale projektohen të jenë në vlerë prej 124.5 miliardë denarëve ku për pagesën e pensioneve parashihen 64.4 miliardë denarë, për pagesën e kompensimeve të mbrojtjes sociale për shtresat më të ndjeshme të popullatës, parashihen 11 miliardë denarë, për pagesën e kompensimit financiar në rast të papunësisë parashihen 1.4 miliardë denarë, si dhe për politikat dhe masat aktive për punësim parashihen 1.8 miliardë denarë.

Vazhdon përkrahja për sektorin e bujqësisë përmes pagesës së subvencioneve dhe mjeteve të programit IPARD, pastaj përkrahja për sektorin privat, politikat dhe masat aktive për punësim dhe më shumë mjete financiare për komunat përmes reformës së avancimit të decentralizimit fiskal.

Në vitin 2022, pritet rritje e përshpejtuar, që është projektuar të jetë 4.6% me rritjen e investimeve bruto prej 8.5% në bazë reale. Konsumi final projektohet që të rritet për 3.1%, eksporti për 8.3%, ndërsa pritet edhe rritja e numrit të të punësuarve për 3.1%.

Gjithashtu, pritet që të stabilizohet edhe norma e inflacionit e cila projektohet që të jetë 2.4% në vitin 2022, me ç’rast çmimet, si rezultat i pasigurisë në lidhje me çmimet e energjisë dhe me një pjesë së produkteve primare në bursat botërore, pritet që të stabilizohen nga tremujori i dytë i vitit.

“Në vitin 2022, mbetemi të përkushtuar në realizimin e prioriteteve për rritje të përshpejtuar ekonomike, me fokus të veçantë në shëndetësinë, konsolidimin fiskal, reformat vijuese, gjyqësorin, integrimin në Evropë, agjendën e gjelbër, digjitalizimin, inovacionet dhe zhvillimin teknologjik, zhvillimin e kapitalit njerëzor, investimet në infrastrukturën fizike, kohezionin social dhe në përforcimin e kapaciteteve institucionale”, theksoi Besimi.

Buxheti është dokument strategjik, ku Qeveria i pasqyron financiarisht prioritetet në aspekt të realizimit të programit në interes të qytetarëve. Përkrahja e realizimit të këtyre qëllimeve janë edhe dokumentet strategjike të miratuara me kornizë afatmesme nga viti 2022 deri në vitin 2026, në të cilat bazohet konceptimi dhe planifikimi i këtij buxheti. Ato janë: Strategjia Fiskale, Strategjia e borxhit publik, Plani për qëndrueshmëri fiskale dhe rritje ekonomike, Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike, Plani për investime publike, Programi për reforma ekonomike, etj. Në drejtim të krijimit të politikave gjithëpërfshirëse, i inkorporuam edhe rekomandimet për politikat dhe reformat nga konferencat ndërkombëtare dhe nacionale, si dhe debatet dhe ngjarjet në Skopje Economic Finance Forum (SEFF).

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *