30 janar 2022, Shkup – Ministria e Financave nesër dhe pasnesër (31 janar dhe 1 shkurt) do të jetë nikoqire e delegacionit qeveritar nga Republika e Bullgarisë e kryesuar nga ministri i Inovacionit dhe Rritjes, Daniel Lorer, i cili së bashku me ministrin e Financave, Fatmir Besimi do të bashkëkryesojë takimin e parë të grupit të punës për Ekonomi, Tregti dhe Inovacion.
Gjatë takimit në Shkup, grupi i punës do të shqyrtojë mundësitë për tërheqjen e investimeve, mundësitë e inovacionit, financimin e projekteve, rritjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve, si dhe prioritetet për zhvillimin e rajonit, sferat në të cilat mund të zhvillohen projekte të përbashkëta dhe të ngjashme.
Pjesëmarrësve do t’u prezantohet Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike me rishikim të instrumenteve financiare, programet strategjike për inovacion, politikë industriale dhe konkurrencë, prezantime mbi punën e fondeve të inovacionit dhe zhvillimit teknologjik të të dyja vendeve, punën e Këshillit nacional start-up, si dhe programet e punës dhe mundësitë që ofrojnë bankat zhvillimore të dy vendeve, Agjencia Ekzekutive për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme nga Republika e Bullgarisë dhe Agjencia për Promovimin e Sipërmarrjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe programet e zhvillimit rural të RMV-së dhe Republikës së Bullgarisë.
Grupi ndërqeveritar i punës u formua javën e kaluar në Sofje gjatë mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare. Grupi i punës gjatë takimit në Sofje përcaktoi prioritetet e punës dhe dinamikën e mbajtjes së takimeve, sipas të cilave do të mblidhet një herë në muaj. Aktivitetet e saj do të synojnë përforcimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në sferën e tregtisë, investimeve, inovacionit, financave dhe pjesëmarrjes së përbashkët në programet dhe fondet e BE-së, si dhe bashkëpunimin me odat ekonomike.