Кumtesa|

13 shkurt 2022, Shkup – Përfitimet për ekonominë janë të mëdha, sa i përket liberalizimit të tregjeve financiare dhe mobilizimit të mjeteve. Me mobilizimin e kapitalit dhe shpërndarjen e tij në pozicione më produktive: projekte të reja, startup, kompani eksporti, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, përkrahet aktiviteti ekonomik dhe nxitet rritja. Prandaj, zhvillimi i tregut të kapitalit do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e rritjes ekonomike.

Këtë e theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në kolumnën e tij të publikuar në ditën e djeshme, ku thuhet se kemi vizion të qartë dhe një plan për të arritur synimin – norma të vazhdueshme më të larta të rritjes ekonomike prej rreth 5% në vit dhe këtë mund ta bëjmë përmes Planit për përshpejtimin e rritjes ekonomike, ku një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm zë qasja në kapital, me të cilin do të financohen projektet në sektorin publik dhe privat, me qëllim që të rriten investimet e përgjithshme, të përmirësohet konkurrenca e ekonomisë dhe të nxitet rritja.

Në kushtet e burimeve të kufizuara financiare, financimi i rritjes ekonomike duhet të rezultojë nga një alokim më efikas i mjeteve. Kjo nënkupton rritjen e mundësive për financimin e projekteve më me risk, të cilat nëse bankat (për shkak të kufizimeve objektive) nuk janë në gjendje t’i angazhojnë më intensivisht, përpjekjet zhvillimore duhet të drejtohen në segmente të tjera të tregjeve financiare që kanë zhvilluar mekanizma për këtë, potencon ministri.

Sipas tij, sa më i zhvilluar të jetë tregu nacional i kapitalit, aq më lehtë dhe më të suksesshme do të përballen kompanitë me çdo situatë të re, nuk do të varen vetëm nga financimi i bankave dhe do të përforcojnë konkurrencën e tyre ndërkombëtare.

Ai porositi se përmes mobilizimit të kapitalit dhe shpërndarjes së tij në pozicione më produktive: projekte të reja, startup, kompani eksporti, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, përkrahet aktiviteti ekonomik dhe nxitet rritja. Prandaj theksoi se zhvillimi i tregut të kapitalit do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e rritjes ekonomike.

Në këtë kontekst me Strategjinë janë identifikuar katër drejtime strategjike, të cilat i kemi transformuar në qëllime dhe masa specifike, ku disa prej të cilave tashmë janë në përgatitje. Këto janë rritja e pjesëmarrjes së investitorëve individualë dhe institucionalë duke rritur kërkesën për letra me vlerë të brendshme, rritja e alternativave të investimit duke rritur ofertën e letrave me vlerë të kapitalit dhe borxhit, avancimi i rregullores për harmonizimin me direktivat evropiane dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar të sektorit të korporatave dhe amvisërive. Për realizimin e gjithë kësaj, parashikohen një sërë masash sa i përket ofertës, kërkesës, rregullimit, si dhe edukimit financiar.

Në kolumnë theksohet se stimuli për sa i përket rritjes së ofertës – parashikohet nxitja e rendimenteve më të larta si rezultat i masave për uljen e transaksioneve, informacionit dhe shpenzimeve tatimore.

Për sa i përket rritjes së ofertës – parashikojmë emetimin e instrumenteve të reja nga shteti që janë pjesë e arritjes së synimeve të Planit të rritjes së përshpejtuar por edhe do t’i shtojnë vlerë ofertës në tregun tonë të kapitalit dhe mënyrës së financimit të shtetit. Domethënë, siç sqaron ministri në kolumnë, përgatisim vendosjen e fletobligacioneve të zhvillimore, me inflacion, të gjelbra, projektuese dhe rajonale.

Ndryshimet në kornizën rregullatore synojnë rritjen e efikasitetit të funksionimit të organeve rregullatore, gjithëpërfshirjen si dhe përshtatjen e shpejtë në mjedisin në ndryshim dhe inovativ në sektorin financiar. Në këtë fushë, theksoi ministri, duke ndjekur praktikat e mira të vendeve të zhvilluara, lind nevoja e unifikimit të organeve rregullatore të institucioneve jobankare, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetin operacional të tyre.

Sektori financiar dhe instrumentet që i nënshtrohen përmirësimit dhe përshtatjes së vazhdueshme në përgjigje të nevojave të reja, sipas Besimit, kërkojnë njohjen e mirë të tyre nga publiku investues. Për këtë qëllim dhe angazhimi i fundit strategjik i përcaktuar janë masat në favor të avancimit të ndërgjegjësimit të publikut përmes edukimit financiar ku parashikohen programe të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve, si krijimi i një organi ndërinstitucional për zbatimin e aktiviteteve për rritjen e nivelit të edukimit financiar, si dhe zbatimi afatgjatë i programeve gjithëpërfshirëse me fokus të veçantë tek të rinjtë me qëllim të nxitjes së pjesëmarrjes së tyre në tregun e kapitalit.

Në kolumnë, ministri i Financave Fatmir Besimi theksoi se qasja koordinuese institucionale, gjithëpërfshirja dhe harmonizimi me trendet botërore që na udhëheqin në konceptimin e zgjidhjeve të parashikuara nga kjo strategji si dhe angazhimi i shtuar i Ministrisë së Financave në realizimin e këtyre synimeve do të njihet dhe reflektohet nëpërmjet rritjes së besimit në tregjet financiare dhe ndikimin e plotë të potencialit të tyre në ekonomi.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *