Кumtesa|

27 maj 2022, Shkup – Kriza është në përmasa të mëdha. Masat që i ndërmori Qeveria si reagim i parë, ishin që të mbrohet ekonomia dhe standardi i jetesës së qytetarëve. Ato ishin në kohë, të targetuara dhe nëse nuk do të ndërmerrshin në kohë, dëmi do të ishte më i madh. Këtë e theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në emisionin Win – Win në TV Telma.

“Goditja e jashtme është aq e madhe saqë ne sado që të ndërmarrim masa, mundemi vetëm ta absorbojmë atë goditje dhe të përshtatemi që në periudhë afatmesme ta ruajmë rritjen dhe ekonomia të përshtatet me qëllim që të ketë dëm më të vogël. Nuk themi që me masat që i ndërmorëm i zgjodhëm të gjitha problemet dhe se me masat që i planifikojmë do t’i zgjidhim. Kjo është ajo që qytetarët duhet ta dinë, ndërsa e vërteta është që energjia duhet të kursehet, për shkak se çmimet nuk janë të qëndrueshme në nivelin aktual, në raport me çmimet në bursat botërore, theksoi ministri.

Ai shtoi se rishikimi është si reagim ndaj krizës dhe do të financohet përmes mënyrës së kombinuar me qëllim që të optimizohen shpenzimet gjatë kohës së normave të larta të interesit, të cilat në tregjet ndërkombëtare financiare aktualisht arrijnë 6.5%.

 “Qëllimi është optimizimi i instrumenteve dhe reduktimi i shpenzimeve për sigurimin e mjeteve. Prandaj, filluam të kërkojmë alternativa në vend që të kërkojmë të gjithë vlerën e nevojshme përmes eurobligacionit. Në atë drejtim ishte edhe kërkesa për mjete nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, mjete për projekte nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe huamarrje në tregun e brendshëm. Sigurimi i mjeteve për ekonominë tonë nuk është kontestues për momentin, por është e rëndësishme që financimi të bëhet në kohën e duhur dhe me shpenzime më të ulëta”, theksoi ministri Besimi.

Ministri deklaroi se me rishikimin e buxhetit ndërmerren masa edhe për rritjen e prodhimit vendas të ushqimit, duke pasur parasysh pasigurinë e madhe nga lufta në Ukrainë dhe mundësitë e mungesës së ushqimit.

“Me rishikimin e propozuar të Buxhetit për vitin 2022, parashihen edhe 52 milionë euro shtesë për subvencione për bujqit, ndërsa mjetet do të destinohen në bujqësi përmes Fondit Intervenues. “Është paraparë që bujqit t’i marrin mjetet në fazën fillestare të prodhimit, në mënyrë shtesë nga subvencionet e parapara që i marrin pas dorëzimit të prodhimeve”, theksoi ministri i Financave.

Sa i përket kërkesave për rritjen e pagave në sektorin publik, ministri Besimi theksoi se rritja e pagave duhet t’i referohet rritjes së produktivitetit. Në lidhje me pagat në sektorin publik dhe kërkesat që i parashtrojnë organizatat sindikale, ministri Besimi thekson se situata duhet të monitorohet në mënyrë reale në kontekst të krizës dhe se rritja e pagave duhet të ketë logjikë ekonomike.

– Sipas logjikës esenciale ekonomike me qëllim që të rritet paga, duhet të ketë produktivitet më të madh të ekonomisë. Ekonomia është vendi ku gjenerohet aktiviteti ekonomik dhe ekonomika duhet të rritet, me qëllim që të gjenerohen më shumë të hyra” theksoi ministri Besimi.

Ministri shtoi se kjo është çëshje e hapur, e cila zhvillohet përmes dialogut ekonomik dhe social dhe se roli i Ministrisë së Financave është që të prononcohet nëse politikat që arrihen në kuadër të dialogut ekonomik dhe social, a mund të inkorporohen në një buxhet të qëndrueshëm. Ministri potencoi se deri më tani në kuadër të dialogut ekonomik dhe social, Qeveria u përgjigj ndaj disa çështjeve që ishin pjesë e negociatave.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *