Kolumna, Кumtesa|

Platformë për dialog të hapur dhe inkluziv

4 qershor 2022, Shkup – Shkupi, javën e kaluar ishte qendra e diskutimeve ekonomike në rajon. Mbi 400 të ftuar në nivel ndërkombëtar, nga rajoni dhe nga vendi, ishin pjesë e konferencës së dytë vjetore të Forumit ekonomik dhe financiar, Shkup – SEFF. Nëse Nobelisti Joseph Stiglitz ishte në fokus të Forumit ekonomik botëror në Davos gjatë këtij viti, ne kishim nderin të ishim nikoqirë të profesorit të shquar dhe laureatit të çmimit Nobel në ekonomi, Paul Krugman, i cili dha një shqyrtim shumë interesant lidhur me destinocionin e ekonomisë – se ku po shkon ekonomia, por rreth kësaj.. në vijim të tekstit. Në SEFF, përveç nobelistit Krugman, morën pjesë edhe një plejadë emrash të shquar nga fusha ekonomisë, financave dhe biznesit nga rajoni, si dhe nga mbarë bota. Në interes të hapësirës, ​​do të përmend vetëm disa, si nënkryetarja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Renault-Basso, nënkryetarja e Bankës Botërore, Bjerde, nënkryetarja e Bankës Evropiane për Investime, Pavlova, komisioneri i BE-së Hahn, ish kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, biznismeni i suksesshëm Mike Zafirovski, regjisori i njohur botëror Milço Mançevski, ministra dhe profesorë të shquar universitarë nga vendi dhe rajoni, drejtorë të përfaqësive rajonale nga pothuajse të gjitha organizatat ndërkombëtare, biznesmenë të shquar dhe kryetarë të odave ekonomike të rajonit, përfaqësues së sektorit joqeveritar etj. Ngjarja kishte përkrahje të konsiderueshme edhe nga kreu i shtetit, ku fjalime për sfidat dhe perspektivat patën presidenti i shtetit, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri. Dëshiroj të shpreh falënderim të madh për të gjithë ata që me diskutimin dhe praninë e tyre kontribuan që konferenca e SEFF-it të jetë të jetë në nivel të ngjarjeve të kalibrit botëror. Falënderim i madh edhe për partnerët që përkrahën platformën tonë të dialogut. Falënderim ekipit tim për organizimin, që treguan përkushtim, precizitet dhe disiplinë profesionale, që nga planifikimi deri në realizimin e ngjarjes.

Për kënaqësinë time të madhe, SEFF-i u kthye në brend për një kohë shumë të shkurtër dhe angazhimi im dhe i ekipit do të jetë që të vazhdojmë më tej ta ndërtojmë atë brend, sepse ka rëndësi të jashtëzakonshme për promovimin dhe pozicionimin e vendit tonë. Por SEFF-i është shumë më tepër se një konferencë e profilit të lartë. SEFF-i është nismë e Ministrisë së Financave për lehtësimin dhe stimulimin e debatit të politikave publike në vend dhe Evropën Juglindore, përmes konferencave, seminareve, analizave vjetore. Qëllimi i platformës është involvimi i të gjitha palëve të interesuara në hartimin e politikave – politikanët, institucionet, komuniteti i ekspertëve dhe biznesit, sektori joqeveritar dhe organizatat e të rinjve. Rezultati i pritshëm i kësaj platforme është arritja e sinergjisë në krijimin e politikave dhe masave të reja për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e gjelbër inkluzive dhe të përshpejtuar.

SEFF-i është pjesë e konceptit të financave SMART (S-Strategical, M-Maintainable, A-Accountable, R-Reform-oriented, T-Transparent) ose financave “të mënçura” që zbatohen në Ministrinë e Financave. Koncepti i referohet përcaktimit të politikave të bazuara në strategji fundamentale, gjithëpërfshirëse dhe afatgjate, të miratuar mbi bazën e fakteve dhe dëshmive, më qëllim që të jepen rezultate sa më optimale. Koncepti SMART i referohet edhe ballafaqimit me sfidat aktuale, pa humbur tablonë e përgjithshme, për të cilën zotohemi në periudhë afatgjate – rritjen e përshpejtuar dhe të qëndrueshme, të cilën do ta arrijmë me axhendë reformash të përcaktuar qartë.

 

Tabloja e madhe: Rritje në kohë pasigurie?

Ndodhemi në periudhë specifike, periudhë e mbushur me sfida komplekse ekonomike. Në krizë ekonomike ende të papërfunduar, akumulohen goditjet e dyta, të tretat, ndërkohë që pasiguria vazhdon. Në rrethana të tilla e rëndësishme është që jo vetëm ekonomistët dhe hartuesit e politikave, por edhe opinioni publik – qytetarët, ta shqyrtojnë dhe perceptojnë tërë konotacionin. Kur të gjithë së bashku të destinohemi drejt pikësynimin dhe rrugës drejt qëllimit, atëherë shumë më shpejt do ta arrijmë atë.

Si të kemi pasqyrë të qartë rreth tablosë së përgjithshme? – edhe pse këtë kolumnë e fillova me SEFF-in, ndërsa ia dedikoj zgjidhjeve “si të kemi rritje të qëndrueshme në kohë pasigurie dhe përtej”. SEFF-i është forma, edhepse anglezët kanë një fjalë më të mirë – “a vessel“, që përfshin përgjigjet e mundshme lidhur me këtë pyetje. Diskutimi në SEFF u zhvillua në katër shtylla, ku u inkorporuan diskutimet për politikat aktuale dhe të ardhshme, si në kohë krize ashtu edhe pas saj. Shtylla e parë lidhet me “Sfidat makroekonomike në kohë turbulente”, shtylla e dytë: “Rezistenca, konkurruenca dhe bashkëpunimi rajonal”, shtylla e tretë: “Energjia, tranzicioni i gjelbër dhe infrastruktura” dhe shtylla e katërt: “Pas krizës: nxitësit e rritjes së qëndrueshme”.

 

Sfidat makroekonomike në kohë turbulente: Masat e targetuara dhe ruajtja e stabilitetit

Por, le të fillojmë nga fillimi. Lidhur me këtë pjesë kam shkruar dhe folur shumë herë, andaj do të mundohem që sa më shkurtimisht ta elaboroj, e megjithatë ata që e lexojnë/informohen për herë të parë, të kenë një pasqyrë të plotë. Ekonomia jonë prej shumë vitesh gjeneron norma më të ulëta të rritjes ekonomike, mesatarisht rreth 2-3%. Duket qartazi se nevojitet axhendë e fuqishme reformash për ta ndryshuar këtë aspekt dhe për ta përshpejtuar rritjen në norma prej 5% dhe më shumë, që të jenë të qëndrueshme dhe të arrijnë zhvillimin e dëshiruar të ekonomisë dhe kështu edhe përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve në vend.

Por, u paraqit pandemia dhe kriza më e madhe ekonomike në botë, recesioni, që nga Lufta e Dytë Botërore. U ndërmor reagimi më i fuqishëm fiskal nga shumica e ekonomive të botës, përfshirë edhe ekonominë tonë, shoqëruar nga natyra e përshtatshmërisë së politikës monetare, e cila siguroi likuiditet shtesë. Ekonomia botërore u rimëkëmb në të vërtetë shpejtë, brenda një viti, disa nga ekonomitë më të mëdha arritën nivelin e para krizës, disa madje e tejkaluan atë. Edhe ekonomia jonë rimëkëmbej. Megjithatë, bota përballet me sfida të reja. Likuiditeti i injektuar nga pakot fiskale të Qeverisë, rimëkëmbja solide e kërkesës së ofertës së pamjaftueshme, shoqëruar me riorientimin e preferencave të konsumatorit nga shërbimet lidhur me mallrat, çregullimet e zinxhirëve të furnizimit, bënë tentimin e tyre përsa i përket presioneve të çmimeve që filluan me energjensat dhe ushqimin në bursat botërore dhe më pas u përhapën në ekonomitë nacionale dhe produktet e tjera. Presione shtesë u ushtruan nga lufta në Ukrainë, për shkak të rëndësisë së Rusisë dhe Ukrainës në tregtinë botërore, sidomos në disa prodhime primare.

Ashtu si qeveritë e tjera në rajon dhe në botë, vepruam në mënyrë proaktive dhe ndëmorëm masa antikrizë që nga fillimi i pandemisë. Gjashtë pako të masave antikrizë gjatë pandemisë vlerësohen në rreth 1.2 miliardë euro, ndërsa masat vlerësohen prej 615 milionë euro mjete shtesë që nga fillimi i krizës energjetike dhe të çmimeve.

Gjithashtu, do të theksoj se në shumicën e ekonomive në botë, si rezultat i reagimit të fuqishëm fiskal pati zgjerim të borxhit publik. Në vendet e rajonit pas pandemisë, borxhi publik shënoi rritje mesatarisht për rreth 10 deri në 15 pikë përqindjeje. Kjo ndodhi edhe në vendin tonë, ku borxhi publik u rrit për rreth 11 pikë përqindjeje gjatë vitit të pandemisë dhe tashmë shënoi rënie të lehtë dhe është 7 pikë përqindje më i lartë se niveli para pandemisë.

Në këto rrethana lind pyetja – sa dhe si duhet të veprojë më tej politika fiskale, për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë, duke mos krijuar jostabilitet makroekonomik përmes stimulimit të spirales inflacioniste dhe rritjes rapide (së shpejtë) të borxhit.

Përgjigja është se – duhet të ndërmerren masa, çfarë masash? – të targetuara, të destinuara, në mënyrë që kategoritë më të ndjeshme ta tejkalojnë krizën dhe ato të jenë të përkohshme që të mos shkelin parimet afatgjate të tregut. Gjithçka tjetër, vetëm se mund ta përkeqësojë situatën, sepse me injektimin e likuiditetit shtesë në rast të ofertës së pamjaftueshme, që ndër të tjera kushtëzohet edhe nga inputet e importit, do të bëjë vetëm presion shtesë në rritjen e çmimeve. Ky është pikërisht modeli që do të zbatojmë në të ardhmen dhe rekomandohet nga Komisioni Evropian dhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja.

Profesori Krugman shpjegoi shumë bukur këtë në fjalimin e tij. Situata aktuale nuk është e njëjtë si në vitin 1979 (për informacion – në fillim të viteve të 80-ta, pritshmëritë për inflacion të lartë ishin shumë më afatgjate, punëtorët si rezultat i kësaj kërkuan paga më të larta, ndërsa punëdhënësit ishin të gatshëm të paguanin paga më të larta për shkak të pritshmërisë së inflacionit, gjë që rezultoi me spirale inflacioniste, gjë që u stabilizua pas shumë vitesh me tkurrjen e fuqishëm të ekonomisë). Pritshmëritë për inflacionin tani janë më afatshkurtra – me ç’rast stabilizimi pritet vitin e ardhshëm. Profesori Krugman madje theksoi se në vitin 2024 do të kemi sërish gjendjen e vitit 2019 dhe se tendencat deflacioniste do të jenë sërish aktuale. Pyetja është se si të arrijmë atje. Një opsion është ngadalësim i lehtë i ekonomisë, tjetri është rënia e fuqishme. Dhe gjithçka varet nga mënyra se si do të ballafaqohemi me inflacionin në të ardhmen. A do të hyjmë në vorbullën e inflacionit apo do ta shmangim atë me inteligjencë. Sfida jonë është që ta ruajmë nivelin e rritjes në këtë kohë pasigurie.

Gjithsesi, na paraprin një periudhë e rëndësishme, ku krijimi i opinionit publik do të jetë po aq i rëndësishëm, në mos më i rëndësishëm se masat konkrete ekonomike që do t’i ndërmarrim. Kjo për shkak se inflacioni varet nga tre faktorë – oferta, kërkesa dhe pritshmëritë inflacioniste, ku elementi i tretë ka impakt të fuqishëm ndaj dy të parave.

Duke qenë se pakoja e parë e masave destinohej në amortizimin e goditjeve të para të fuqishme ndaj krizës, si parandalimi i goditjes së çmimeve dhe rritjes spekulative të çmimeve, duke ndaluar kështu presionet inflacioniste për të parandaluar norma më të larta inflacioni. Lirimet tatimore u realizuan në kombinim me masat për ngrirjen (fiksimin) e çmimeve dhe marzheve të produkteve. Vlera e masave të zbatuara deri më tani për ta luftuar krizën e çmimeve dhe atë energjetike është rreth 615 milionë euro, që paraqet një prej stimujve më të lartë fiskalë të akorduar në rajon. Në drejtim të destinimit të njëkohshëm të masave drejt kategorive më të ndjeshme të qytetarëve, por edhe konsolidimit gradual fiskal, do të targetohen masa të reja antikrizë. Përkujdesi për qytetarët dhe ekonominë do të vazhdojë më tej, gjithashtu edhe angazhimi për të udhëhequr politikë prudente fiskale, që është në drejtim të uljes së deficitit të buxhetit në periudhë afatmesme. Me anë të rishikimit parashihen rreth 76 milionë euro për masat antikrizë, si dhe subvencione për rritjen e pagës minimale, mjete të konsiderueshme shtesë për subvencione për bujqit – me qëllim të rritjes së rendimenteve, si dhe mjete për rritjen e pensioneve dhe rritjen e transfertave për të ardhurat e garantuara minimale, si dhe rritje të pagave në një pjesë të konsiderueshme të sektorit publik, arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit, prokurorisë, policisë dhe ushtrisë.

 

Rezistenca, konkurrenca dhe bashkëpunimi rajonal

Një nga faktorët që përmendi Krugman në kontekstin e së ardhmes së ekonomisë botërore është globalizimi. Ekonomia e sotme zbuloi të gjitha “manitë” e globalizimit, të cilat më së miri shihen përmes zinxhirëve të furnizimit. Një goditje më e fuqishme, si pandemi, çrregulloi plotësisht zinxhirët globalë dhe krizat aktuale janë kryesisht si rezultat i saj.

Por, siç theksoi profesori, kjo nuk do të thotë se kompanitë transnacionale do të heqin dorë nga përfitimet që ofron globalizimi, siç janë kostot më të ulëta të punës dhe lëndët e para – përkatësisht inputet. Kjo nënkupton se në ekuacion do të vendosen variabla shtesë (ato në fakt kanë qenë gjithmonë në ekuacion, tani veçse marrin më shumë rëndësi), si për shembull distanca, kostot më të larta të transportit, stabiliteti rajonal. Ky është globalizimi i ri apo lidhja më e ngushtë e rajoneve (shkurtimi i zinxhirëve të furnizimit), andaj mund ta quajmë edhe si “rajonalizim”. Përmirësimi i infrastrukturës është faktor kyç, përveç kapitalit njerëzor dhe kostove të inputeve të prodhimit, në raport me tërheqjen e investimeve dhe integrimin në ekonominë globale, duke siguruar kështu rritje të qëndrueshme.

Këtu do të shqyrtoj dy gjëra – dy mundësi që na hapen. Së pari, investitorët e rinj potencialë. Së dyti, lidhjet më të ngushta me vendet e rajonit dhe shfaqja, resprektivisht prezantimi i një tregu të vetëm. Përfitimet mund të jenë të mëdha për rajonin. Siç tha kryetari i Odës ekonomike amerikano-greke, “investimi i madh në rajon është përfitim për të gjithë rajonin”.

Prandaj, ajo që mund të bëhet është lidhja – partneritetet dhe lidhja fizike përmes korridoreve dhe ndërtimi i infrastrukturës. Përmes lëvizjes së lirë të punëtorëve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, mund të arrihen përfitimet e tregut të vetëm.

 

Energjia, tranzicioni i gjelbër dhe infrastruktura

Elaborimi im përgjatë shtyllave (temave) lidhur me diskutimin e SEFF-it, duke vijuar nga politikat afatshkurtra në ato afatgjata, me ç’rast të gjitha këto çështje duhet të adresohen menjëherë dhe urgjentisht. Pra, kriza energjetike tregoi dhe konfirmoi qartazi se sa më shumë të varemi nga vetja dhe të diversifikojmë burimet e furnizimit me energji, aq më rezistente do të jetë ekonomia jonë. Investimi në burimet e ripërtëritshme dhe tranzicionin e gjelbër është mënyrë për reduktimin e varësisë energjetike.

BERZH-i dhe BEI ofrojnë gjithashtu përkrahje të konsiderueshme për tranzicionin e gjelbër, siç u theksua në SEFF. Bëhet fjalë për miliarda euro që do të injektohen në rajon nga këto dy institucione financiare ndërkombëtare për përkrahjen e qëndrueshmërisë energjetike.

Aspekt i dytë që duhet pasur parasysh është efikasiteti energjetik. Kriza tregoi se duhet të disponojmë me të mirat me mençuri, veçanërisht kur çmimet e tyre rriten, siç është rasti me energjensat. Për shembull, nëse të gjithë jemi kursimtarë, të gjithë së bashku do të paguajmë çmim më të ulët për energjinë elektrike. Prandaj, modeli i ri i konsumatorëve tariforë – model i qëndrueshëm si reagim ndaj krizës.

 

Pas krizës: Nxitësit e rritjes ekonomike

Nata është më e errët para agimit, ashtu edhe pas tejkalimit të kësaj krize, me ç’rast duhet të arrijmë ekonomi më të fuqishme dhe më rezistente, koncepti që autori i ‘Mjellmës së zezë’, Nasim Taleb e quan ‘anti-fragjilitet’. Që normat e rritjes të përshpejtohen, nevojiten reforma strukturore, të cilat do ta sigurojnë atë. Ekonomia e gjelbër, investimet në kapitalin njerëzor dhe dixhitalizimi u veçuan si ato për të cilat duhet punuar intensivisht për të arritur përshpejtimin.

Kur flasim për kapitalin njerëzor, përveç sigurimit social dhe shëndetësisë, vëmendje e veçantë duhet t’i dedikohet edhe arsimit. Në këtë drejtim nevojiten reforma të mëdha – nga arsimi parashkollor në arsimin e lartë. Duhet të sigurohemi që fëmijët tanë kryesisht t’i shfrytëzojnë kapacitetet e tyre në të ardhmen dhe të mos largohen nga bankat shkollore duke e lënë në përgjysmë këtë proces. Duhet të ekzistojë sistem meritash (performancës), sistem vlerësimi dhe suksesi, që do të stimulojë kuadrin arsimor drejt procesi inovativ të transferimit të njohurive dhe krijimit të mundësive të reja për nxënësit.

Dixhitalizimi, gjithashtu mund t’i përshpejtojë proceset, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Duhet t’i shkojmë pas teknologjisë, t’i ndjekim trendet dhe inovacionet më të fundit dhe të mos shkëputemi prej saj. Përvoja ka treguar se vendet me shkallë të lartë dixhitalizimi japin gjithashtu rezultate më të mira ekonomike.

Së fundi, edhe pse nuk ka ndryshim strukturor, do të përmend udhëheqësinë. Kjo ishte temë e re në SEFF. Qeverisja transparente, llogaridhënëse, delegimi i pushtetit, pjesëmarrja dhe përfshirja në vendimmarrje, resprektivisht të gjitha elementet e qeverisjes së mirë janë po aq të rëndësishme për të pasur besim tek ata që drejtojnë vendin dhe në vendimet që ata marrin. Udhëheqësia nuk është vetëm si menaxhim formal, por edhe si koncept më i gjerë, përmes përvojave personale dhe shembujve pozitivë për të ndërtuar vlerat e një shoqërie të shëndetshme dhe për të hapur perspektiva të reja për brezat e ardhshëm.

 

Reflektime rreth konferencës dhe perspektivat

Ishte kënaqësi dhe nder i madh për mua që me ish ministrat e Financave mund ta elaboronim diskutimin e tërësishëm në SEFF. Sa i përket opsioneve të ndryshme të politikave, ajo për të cilën të gjithë dakordohemi në aspekt të orientimit të politikave fiskale është konsolidimi fiskal dhe reformat strukturore. Përse? – sepse vetëm ekonomia stabile mund të gjenerojë rritje të qëndrueshme dhe sepse ndryshimet strukturore janë të domosdoshme për të arritur norma më të larta të rritjes.

Platforma SEFF vazhdon në drejtim të inkorporimit të përmbajtjeve të reja, diskutimeve dhe përgjigjeve lidhur me çështje të reja. Fokusin shumë më tepër do e orientojmë drejt rinisë, nismave rinore, rrjetëzimit, krijimit të partneriteteve, sepse rinia është e ardhmja.

 

Fatmir Besimi, ministër i Financave

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *