27 korrik 2022, Shkup – Fillon reforma për avancimin e decentralizimit fiskal. Ndryshimet dhe plotësimet ligjore për të cilat punonte Ministria e Financave, sot morën dritë jeshile nga Kuvendi dhe nënkuptojnë cilësi më të lartë të shërbimeve publike në komunat, shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe përmirësim të standardit të jetesës së qytetarëve.
Reforma përbëhet nga tre shtylla: përmirësimi i kapacitetit fiskal të komunave dhe rritja e të hyrave të komunave; rritja e disiplinës fiskale të komunave dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies së komunave.
“Qeveria e RMV-së vazhdon me procesin e decentralizimit, në drejtim të demokratizimit më të madh, shërbimeve publike më të mira dhe zhvillimit të përforcuar lokal në interes të qytetarëve. Komunat janë përgjegjëse për shumë fusha të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, si arsimi, mbrojtja sociale, mjedisi jetësor, shërbimet komunale dhe prandaj është thelbësore që të kenë financa të qëndrueshme. Si rrjedhojë, me këtë reformë fuqizohet ndjeshëm kapaciteti i tyre fiskal, por njëkohësisht detyrohen për disiplinë më të madhe fiskale, llogaridhënie dhe transparencë në punë. Respektivisht, me fuqi më të madhe vjen edhe përgjegjësia më e madhe”, thekson ministri i Financave Fatmir Besimi.
Me ndryshimet dhe plotësimet e miratuara, komunat do të marrin pjesëmarrje më të madhe të të hyrave të arkëtuara përmes tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjegjësisht, të hyrat e komunave nga tatimi mbi të ardhurat personale, që deri më tani ishin 3%, deri në fund të vitit 2022 do të rriten në 4%, në vitin 2023 në 5% dhe në vitin 2024 në 6%. Të hyrat nga tatimi mbi vlerën e shtuar nga niveli aktual prej 4.5%, gjatë vitit do të arrijnë nivelin prej 5%, më tej në 5.5% në vitin 2023 dhe do të arrijnë 6% në vitin 2024. Planifikohet formimi i dy fondeve – Fondi i performancës dhe Fondi i barazimit. Komunat që tregojnë rezultate pozitive dhe kanë realizim më të lartë të të hyrave vetanake, do të marrin mjete nga Fondi i performancës, ndërsa nga Fondi i barazimit do të sigurohen mjete për komunat që kanë të hyra më të ulëta, por që kanë treguar përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në grumbullimin e të hyrave vetanake.
Vlerësimet janë që mjetet që i marrin komunat me anë të këtyre dy mënyrave, do të dyfishohen, përkatësisht nga niveli aktual prej 2.8 miliardë denarëve do të rriten në mbi 5 miliardë denarë deri në vitin 2024. Ajo që ka rëndësi të jashtëzakonshme është se reforma fillon menjëherë, përkatësisth rritja e përfshirjes së tatimeve të arkëtuara do të fillojë gjatë këtij viti, me ç’rast komunat do të marrin më shumë mjete në periudhën e përballjes me sfidat e shktuara nga kriza energjetike dhe ajo e çmimeve.
Shtylla e dytë e reformës i referohet rritjes së disiplinës financiare të komunave. Lidhur me këtë, parashihen aktivitete për planifikim real të të hyrave dhe shpenzimeve të komunave, servisim të rregullt të detyrimeve, disiplinë më të madhe financiare, si dhe shpallje të jostabilitetit financiar të komunave pas hyrjes në fuqi të ligjit. Me fletobligacionin strukturor 10-vjeçar, komunat do të jenë në gjendje që të bëjnë riprogramin për tejkalimin e problemeve me detyrimet e meturuara dhe të papaguara. Komunat që të shpallin jostabilitetin financiar do të mund të shfrytëzojnë edhe kredinë e kushtëzuar nga Ministria e Financave dhe të emetojnë fletobligacion komunal për blerës të njohur, resprektivisht Ministria e Financave.
Reforma do të kontribuojë edhe për përforcimin e përgjegjësisë fiskale të komunave, ku do të rritet edhe transparenca e punës së tyre përmes mekanizmave të shumta të parapara me ligjin.