Кumtesa|

24 gusht 2022, Shkup – Ministri i Financave, Fatmir Besimi, sot në Ministrinë e Financave zhvilloi takim me akademikët nga Qendra për Hulumtime Strategjike pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë – ASHAM, ku në fokus ishte koncepti i reformës tatimore.

“Përparimi dhe zhvillimi i shtetit nuk arrihet pa shkencën. Kjo është arsyeja pse është thelbësore të dëgjohet mendimi i anëtarëve të ASHAM-it, i mbështetur nga analizat dhe hulumtimet që ata bëjnë. Ky është kontribut i çmuar në këtë reformë që po e përgatisim dhe duhet të zbatohet në periudhën e ardhshme”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në takimin ku morën pjesë edhe zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski dhe drejtoreshat e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Drejtorisë Doganore, Sanja Llukarevska dhe Sllavica Kutirov.

Dialogu ndërmjet dy institucioneve në aspekt të krijimit të politikës makroekonomike dhe asaj zhvillimore, si dhe avancimit të sistemit të financave publike dhe zbatimit të aktiviteteve që synojnë nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimin, janë pjesë e fushave të bashkëpunimit të përcaktuara në këtë Memorandum.

“Kjo është reformë kyçe, që synon sigurimin e financave publike të qëndrueshme, rritjen dhe zhvillimin ekonomik afatgjat. Ky është një proces që ka filluar në vitin 2020 me miratimin e Strategjisë së reformës tatimore dhe ne si Qeveri jemi të përgatitur të ecim përpara, por jo me çdo çmim.

Konsiderojmë se është mirë që debatohen mendimet në publik, prandaj u hap debati përmes të cilit mund të dëgjohen pikëpamje dhe argumente të ndryshme dhe në bazë të këtij debati të krijojmë zgjidhje më të favorshme lidhur me sistemin tatimor në vend”, potencoi ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe theksoi se kjo nuk duhet të perceptohet veçmas, por së bashku me reformat që ndërmerren në bazë të Ligjit për Buxhetet dhe me vendosjen e rregullave fiskale për shpenzimin e mjeteve buxhetore, si dhe mekanizmat e kontrollit të shpenzimeve.

Ai, në takim iu referua edhe masave që janë ndërmarrë në të kaluarën për vendosjen e rregullave sa i përket shpenzimeve, që ndër të tjera synojnë transparencë dhe përgjegjësi më të madhe në shpenzimin e mjeteve të arkëtuara në buxhet, si dhe plan aksional për luftën kundër ekonomisë gri.

Akademikët e përshëndetën reformën dhe inkurajuan Qeverinë që të vazhdojë përpjekjet për reformën e politikës tatimore, në drejtim të sigurimit të rritjes afatgjate e të vazhdueshme dhe zvillimit të vendit. U iniciua nismë për të vazhduar debatet edhe për çështje të tjera të rëndësishme dhe reformat që zbatohen në financat publike. Konceptin e reformës tatimore, Ministria e Financave e prezantoi para opinionit publik në fillim të këtij muaji. Në kuadër të debatit publik u mbajtën takime me komunitetin e biznesit, ekspertët, sektorin joqeveritar dhe palët e tjera të interesit, që mund të japin kontribut pozitiv në krijimin e zgjidhjeve optimale të cilat duhet të fillojnë të zbatohen gradualisht në periudhën 2023-2025.

 

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *