Кumtesa|

15 tetor 2022, Washington – Reformat në menaxhimin e financave publike dhe zbatimi i tyre nga Ministria e Financave ishin temë e takimeve të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me drejtorin e Departamentit të Evropës së FMN-së, Alfred Kamer, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers dhe shefen e misionit të FMN-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bergljot Barkbu, në Washington, në kuadër të Takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore.

Gjatë takimeve, ministri theksoi se edhe pse fokusi i Qeverisë destinohet drejt ballafaqimit me krizën energjetike dhe daljes prej saj me pasoja sa më të pakta negative, në vazhdimësi po punojmë edhe në axhendën e reformave që do të na afrojë me standardet evropiane dhe do të mundësojë përshpejtimin e rritjes.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj axhendës sonë reformuese të projektuar, që nënkupton avancim dhe transparencë më të madhe në menaxhimin e financave publike. Hap i rëndësishëm në këtë drejtim është miratimi i Ligjit të ri të Buxheteve, që nënkupton koncept të ri në buxhetimin e bazuar në rezultate dhe matje të performancës së tyre, që do ta përmirësojë efikasitetin dhe efektivitetin e shpenzimeve publike.

Me këtë ligj vendosen rregulla dhe parime të reja fiskale. Gjithashtu themelohet Këshilli Fiskal, i cili do të japë analiza dhe mendime të pavarura dhe profesionale për supozimet makroekonomike dhe fiskale, si dhe përcaktohet buxhetimi afatmesëm dhe strategjia fiskale pesëvjeçare. E gjithë kjo do të thotë kontroll dhe transparencë më të madhe në shpenzimin e parave të qytetarëve të mbledhura në buxhet”, tha ministri Besimi.

Ai shtoi se reformat nuk i referohen vetëm pjesës së shpenzimeve të buxhetit, por edhe anës së të hyrave, me ç’rast është përgatitur koncepti i reformës tatimore bazuar në Strategjinë e miratuar për reforma tatimore. Për reformën tatimore është hapur një debat i gjerë publik, ku versioni përfundimtar do të inkorporojë një pjesë të rëndësishme të pikave të konkluduara në debatet publike.

Në këto takime u diskutua edhe për masat e ndërmarra për zbutjen e goditjes së çmimeve, uljen e ekonomisë gri, si dhe zbatimin e konsolidimit fiskal, avancimin e decentralizimit fiskal, përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe dixhitalizimit. Njëkohësisht, u konstatua se koordinimi ndërmjet politikës monetare dhe asaj fiskale po zhvillohet në drejtim të duhur, në fushën e përforcimit të stabilitetit financiar dhe ruajtjes së nivelit të rritjes.

U theksua se zbatimi i reformave pasohet me shkallë e lartë të transparencës dhe llogaridhënies fiskale dhe se në këtë pjesë vendi si deri më tani kishte përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *