Кumtesa|

25 tetor 2022, Shkup – Menaxhimi i parasë publike në kohë krize është i vështirë, por e rëndësishme është që të bëhet me përgjegjësi, përkatësisht të gjendet mënyrë për ta financuar deficitin dhe për ta mbajtur në nivel të qëndrueshëm dhe në këtë mënyrë t’i kushtohet vëmendje vlerës së borxhit publik. Në këtë drejtim është edhe vendimi për të mos emetuar fletobligacione këtë vit, por për të marrë hua nga institucionet financiare ndërkombëtare me normë interesi dyfish më të ulët dhe për të bërë kursime serioze në bazë të interesit për vitet e ardhshme.

Këtë e theksoi zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski, i cili sot foli në panelin e diskutimit me temë “Investime në Ballkanin Perëndimor dhe modeli i rritjes së qëndrueshme” në samitin vjetor të “The Economist” që po mbahet në Prishtinë, Republika e Kosovës.

Ai theksoi se, është e rëndësishme gjithmonë mënyra e shpenzimit të parave nga huamarrjet e reja dhe destinimi i tyre. “Kemimiratuar dy pako masash antikrizë në vlerë të përgjithshme prej mbi 750 milionë eurove, të cilat i destinojmë për përkrahjen e popullatës, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme dhe sektorin e biznesit”, tha Nikolloski.

Ai shtoi se Republika e Maqedonisë së Veriut po punon paralelisht për ndërmarrjen e masave për përballimin e krizës dhe për përkrahjen e ekonomisë, por edhe për konsolidimin fiskal, përkatësisht uljen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

“Për konsolidimin fiskal dhe për reduktimin efikas dhe të qëndrueshëm të deficitit fiskal, nevojitet kombinim masash si në anën e të hyrave ashtu edhe në atë të shpenzimeve të Buxhetit. Është miratuar Plani për qëndrueshmërinë fiskale dhe për përkrahjen e rritjes ekonomike, i cili bazohet në konsolidimin fiskal përmes masave për racionalizimin e shpenzimeve të caktuara dhe masave për arkëtimin më efikas të të hyrave, konsistencës së politikave në procesin e planifikimit buxhetor përmes lidhjes së planifikimit buxhetor me programin e Qeverisë dhe reformat ekonomike, si dhe matjen e performancës në realizimin e politikave në Buxhet”, tha zëvendësministri.

Ai potencoi se politikat dhe masat ekonomike të inkorporuara në Planin për qëndrueshmëri fiskale dhe përkrahje për rritjen ekonomike, Planin për investime publike dhe Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike, janë bazë për rritjen e potencialit të rritjes ekonomike dhe arritjen e normave më të larta të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme, përkatësisht dyfishim të rritjes ekonomike krahasuar me atë të arritur në dekadën e kaluar.

Sinjifikative në zbatimin e këtyre politikave dhe masave është përkrahja nga institucionet financiare ndërkombëtare. Me Planin e rritjes së përshpejtuar janë planifikuar investime mbi 4 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme, në projekte infrastrukturore, burimet e ripërtëritshme të energjisë, të plotësuara me investime nga sektori privat që do të kontribuojë në stimulimin e rritjes ekonomike në nivel prej 5%.

Në panelin e diskutimit, Nikolloski, theksoi se prioritetet e projektuara nga Qeveria janë të harmonizuara me agjendën e BE-së dhe me reformat që ka ndërmarrë vendi ynë në rrugën drejt eurointegrimeve. Ky proces, siç tha ai, po përshpejtohet me dinamikën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *