Intervista, Кumtesa|

27 nëntor 2022, Shkup – Ministri i Financave Fatmir Besimi në intervistën për DW ka bindjen se buxheti që hartoi vitin e ardhshëm nuk është shumë ambicioz. A do të jetë në gjendje ta plotësojë atë pa huamarrje të tepërta?

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut edhe në vitin e ardhshëm do të destinohet në rrugën e konsolidimit fiskal. Një e pesta e mjeteve në thesarin e shtetit, me vlerë rekorde prej 5.3 miliardë eurove janë të destinuara për masa antikrizë dhe investime. Ministri i Financave, Fatmir Besimi garanton se buxheti i propozuar do të sigurojë zhvillim dhe stabilitet energjetik dhe paralajmëron platforma të reja për huamarrje më të favorshme dhe efikase. Do të ketë edhe zgjerim të bazës tatimore, por ende nuk bëhet e ditur se si do jetë.

DW: Z. Besimi, në Propozimin e buxhetit për vitin e ardhshëm parashikoni rreth 250 milionë euro ndihmë për qytetarët dhe ekonominë. Kur dhe si do të shpërndahen këto mjete?

 

Fatmir Besimi: Me Propozimin e buxhetit për vitin 2023, sigurojmë reagim adekuat ndaj sfidave që do t’i sjellë viti i ardhshëm, respektivisht kriza globale energjetike dhe ajo e çmimeve. Është program i veçantë në Buxhet prej rreth 250 milionë eurove. Rreth 10 miliardë denarë janë paraparë për masat për përkrahje të kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe sektorëve më të prekur të ekonomisë (3 miliardë denarë më shumë se rishikimi i sivjetshëm). Gjithashtu, 4.6 miliardë denarë janë planifikuar për përkrahjen e sektorit energjetik për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Aspekt më i rëndësishëm për qytetarët dhe ekonominë është sigurimi i furnizimit të plotë me energji elektrike dhe termike, më pas vazhdojmë me përkrahjen që kemi dhënë për sektorin e energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit, që përllogaritet rreth 300 milionë euro. Me mjetet e parashikuara për masat antikrizë, ofruam mbrojtës sigurie, nga ku do të miratohen politikat dhe masat  adekuate antikrizë gjatë vitit, sipas zhvillimeve dhe nevojave.

Në tre vitet e fundit, politika fiskale ka reaguar në mënyrë adekuate ndaj sfidave të shkaktuara nga pandemia e Covid-19 dhe më pas edhe ndaj krizës energjetike dhe efekteve të thellimit të tensioneve gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë. Si rezultat i këtyre politikave, ndikimi ndaj aktivitetit ekonomik u amortizua në mënyrë të shumëfishtë. Kjo u identifikua edhe në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare.

 

DW: Këto para janë pjesë e Buxhetit, ka vlerë rekorde prej 5.3 miliardë eurove, me deficit rekord prej pothuajse 700 milionë eurove. Parashikoni shpenzime më të larta, por edhe të hyra më të larta. Nga vjen një optimizëm i tillë se do të arrini të arkëtoni 4.6 miliardë euro?

 

Fatmir Besimi:  Do të dëshiroja t’ju korrigjoj lidhur me deficitin, sepse nuk është i saktë konstatimi se ai është rekord. Që nga pandemia, përkatësisht nga viti 2020 dhe çdo vit me radhë, deficiti buxhetor ulet. Kjo bëhet sipas përcaktimit tonë për konsolidimin fiskal, përkatësisht ulja graduale e deficitit ose hendekut midis të hyrave dhe shpenzimeve të buxhetit, pa ndikuar negativisht mbi aktivitetin ekonomik. Edhe me këtë Propozim të buxhetit ulet deficiti buxhetor, përkatësisht ai është për 0.7 pikë përqindjeje më i ulët në krahasim me projeksionin për vitin rrjedhës ose 4.6% të PBB-së. Përcaktimi ynë është që në periudhë afatmesme, domethënë në disa vite të ardhshme deficitin buxhetor ta pozicionojmë në nivel nën 3%, përkatësisht nën kriterin e Mastrihtit. Kjo është në përputhje me përpjekjet tona për qëndrueshmëri në financat publike. Të hyrat buxhetore për vitin e ardhshëm projektohen në nivel prej 282.1 miliardë denarëve. Ky projeksion është në bazë të realizimit të të hyrave gjatë vitit rrjedhës 2022, si dhe përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arkëtimit të të hyrave publike.

Do ta theksoj faktin se lufta kundër ekonomisë gri do të jetë pa kompromis, ndërsa planifikohen masa dhe aktivitete lidhur me uljen e evazionit tatimor. Qëllimi ynë është dixhitalizimi dhe thjeshtësimi i proceseve, me ç’rast kemi parashikuar edhe masa për vendosjen e teknologjive të avancuara në arkëtimin e detyrimeve publike, si dhe modernizimi dhe automatizimi i proceseve të punës. Do të punohet mbi përforcimin e kapaciteteve të institucioneve për arkëtimin e të hyrave, rritjen dhe efikasitetin e arkëtimit të të hyrave tatimore, si dhe përforcimin e koordinimit institucional. Gjithashtu, hap i rëndësishëm është edhe përmirësimi i rregullativës tatimore ekzistuese dhe sigurimi i sistemit të drejtë dhe efikas tatimor në vend.

 

DW: A ka mundësi që në ndonjë farë mënyre ta përfshini edhe kartën e rritjes së inflacionit, me qëllim që të keni rritje të të hyrave në arkën e shtetit?

 

Fatmir Besimi: Të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare dhe vendore financiare parashikojnë se vitin e ardhshëm inflacioni do të ngadalësohet, si në nivel global ashtu edhe në ekonominë tonë. Kështu, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar projektojnë inflacion dy herë më të ulët vitin e ardhshëm krahasuar me këtë vit, ose nëse projeksionet e tyre për këtë vit janë përkatësisht 12.1% dhe 10.6%, për vitin e ardhshëm tashmë i ulin në 6.1% dhe 4.5%. Edhe projeksionet më të reja lidhur me zhvillimet në tregjet botërore janë se presionet e çmimeve do të ulen gradualisht, sepse pritet që çmimet e produkteve ushqimore dhe naftës do të ulen gjatë vitit të ardhshëm.

 

DW: Pensionet dhe rrogat do të rriten, duke përfshirë edhe pagën minimale. A mendoni se është e drejtë që kjo politikë në kohë të inflacionit të lartë të ketë rritje, veçanërisht të rrogës minimale?

 

Fatmir Besimi: Teoria ekonomike thotë se çdo rritje e pagave, nëse nuk ka rritje të produktivitetit, do të shkaktojë presione inflacioniste, të cilat në kushte të presioneve të çmimeve mund të ndikojnë edhe më shumë në inflacion. Por, nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për rritje, veçanërisht të pagës minimale, duhet parë në një kontekst tjetër, si përkrahje në këto rrethana me një krizë të këtillë. Prandaj, për ta menaxhuar këtë proces dhe për të mos shkuar edhe në të ardhmen me kërkesa joreale dhe të pambështetura, ne vendosëm një sistem në Ligjin e Pagës Minimale. Sipas zgjidhjes sistemike, paga minimale do të harmonizohet me koston e jetesës dhe me rritjen e pagës mesatare, një herë në vit. Kjo është një zgjidhje sistematike dhe e drejtë, e cila është edhe në drejtim të ruajtjes së standardit të qytetarëve.

 

DW: A parashihet reforma tatimore dhe çfarë pritet të realizohet prej saj në projeksionet buxhetore?

 

Fatmir Besimi: Reforma tatimore që kemi filluar, e cila bazohet në Strategjinë e miratuar dhe paraqet vetëm një fazë të saj, synon të sigurojë sistem tatimor të drejtë, efikas, transparent dhe bashkëkohor, i cili nga ana tjetër, do të bazohet në teknologjinë bashkëkohore dixhitale dhe inovacionet në tatimim, në funksion të rritjes së përshpejtuar ekonomike, inkluzive dhe të qëndrueshme. Koncepti parashikon zbatimin me faza të zgjidhjeve të propozuara. Kështu, në vitin 2023, projeksioni i të hyrave të përgjithshme tatimore, të cilat janë në nivelin prej 162.6 miliardë denarëve përfshin efektet e pritura fiskale nga zbatimi i reformave tatimore në TVSH, tatimin mbi fitimin dhe tatimin mbi ardhurat personale. Sa për sqarim, që të shmanget çfarëdo konfuzioni, nuk po bëhet fjalë për vendosjen e tatimeve të reja, por për zgjerimin e bazës tatimore dhe rishikimin e lirimeve tatimore. Aktualisht në Ministrinë e Financave është duke u zhvilluar konsultimet përfundimtare për zgjidhjet e propozuara dhe së shpejti do t’ju informojmë më hollësisht.

 

DW: Borxhi publik vazhdon të rritet. Kjo gjë nuk është problem dhe është normale, pak a shumë, për të gjitha ekonomitë. Por, a nuk është shqetësues ky fakt për ekonominë tonë, e cila krijon rritje shumë modeste? Dikur ishte e rrezikshme që borxhi publik të tejkalonte 5 miliardë euro dhe tani jemi në nivel prej 7.3 miliardëve?!

 

Fatmir Besimi: Kur flasim për borxhin publik duhet të kemi parasysh disa gjëra: cili është qëllimi, kushtet dhe qëndrueshmëria e përgjithshme për servisimin e borxhit, përkatësisht cili është kapaciteti i ekonomisë për t’i shlyer huatë. Tashmë dihet se për shkak të krizës, borxhi publik është rritur në shumë vende, fakt ky që ka ardhur si pasojë e nevojës për një politikë fiskale më ekspanzive. Borxhi gjatë pandemisë ka shënuar norma të larta të rritjes, si te disa nga ekonomitë e zhvilluara ashtu edhe te shumica e ekonomive në zhvillim.

Në vendin tonë, si pasojë e reagimit të fuqishëm fiskal gjatë pandemisë, borxhi publik u rrit me dhjetë pikë përqindje. Megjithatë, tashmë në vitin në vijim shënohet stabilizim i këtyre zhvillimeve, kështu që këtë vit, sipas të dhënave më të fundit për tremujorin e tretë 2022, niveli i borxhit publik është 58.6% e PBB-së, respektivisht nën kriterin e Mastrihtit, ndërsa borxhi shtetëror është 49.8 % e PBB-së. Qeveria dhe Ministria e Financave po menaxhojnë në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme financat publike, duke i kushtuar vëmendje çmimit të portofolit të borxhit publik dhe afatizimit.

Sa i përket efikasitetit në lidhje me shfrytëzimin e mjeteve, dua të theksoj se shumica e tyre u destinuan për financimin e masave antikrizë, si dhe nxitjen e aktivitetit ekonomik përmes investimeve publike dhe përkrahjen e sektorit privat. Është e rëndësishme të theksohet edhe interesi i arritur nga këto hua. Kështu, në vitin 2021 u emetua euroobligacioni me interesin më të ulët historik prej 1.625%. Megjithatë, këtë vit, edhe pse kemi çmime jashtëzakonisht të larta në tregjet financiare, financimin e kemi rrumbullakosur me normë mesatare të interesit prej 3.2% dhe vetëm në bazë të interesit kemi kursyer 40 milionë euro në nivel vjetor. Angazhimi ynë për menaxhim të përgjegjshëm dhe llogaridhënës të borxhit publik, shihet edhe përmes Ligjit të ri të Buxheteve, me të cilin udhëhiqen rregullat fiskale për borxhin publik dhe deficitin, si dhe rregullon edhe krijimin e organit të pavarur të Këshillit Fiskal, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e rregullave fiskale.

 

DW: A do të kemi aftësi ta servisojmë borxhin? Me çfarë do të kthehen kreditë e maturuara kur jemi dëshmitarë se ekonomia vendore krijon shumë pak vlerë të shtuar?

 

Fatmir Besimi: Buxheti është likuid dhe të gjitha detyrimet sipas politikave që janë të përfshira në të dhe që rezultojnë nga borxhi, si dhe nga burimet e brendshme dhe të jashtme, janë të servisuara rregullisht dhe në kohë. Me këtë përcaktim vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm. Konfirmimi i politikave të duhura ekonomike është edhe vendimi i Bordit të Drejtorëve të FMN-së për t’i dhënë shtetit tonë qasje në 530 milionë eurove nëpërmjet Instrumentit të Përkujdesjes dhe Likuiditetit – PLL, i cili u jepet vetëm ekonomive me baza të qëndrueshme ekonomike, për të cilat pritet se do të zhvillohen politika të qëndrueshme ekonomike edhe në periudhën e ardhshme. Ky është vlerësim i madh për politikat ekonomike të zbatuara nga Qeveria. Njëkohësisht, ky është edhe sinjal i mirë për investitorët.

 

DW: Ku ka hapësirë që ne të marrim hua më të favorshme? A jemi dëshmitarë të paralajmërimeve se burimet shtrenjtohen gjithnjë e më shumë?

 

Fatmir Besimi: Politika që e zbatojmë në drejtim të sigurimit të financimit të deficitit buxhetor dhe shlyerjes së borxhit të jashtëm dhe të brendshëm është sigurimi i mjeteve në kushte sa më të favorshme. Këtë vit, kur kostoja e kapitalit në tregjet financiare mbeti e lartë, komoditet për shkak të depozitës që e ndamë vitin e kaluar.

Kjo krijon hapësirë ​​për monitorimin e situatave dhe për hyrjen në tregun e kapitalit, në kohën kur kushtet ishin më optimale për ne. Për vitin e ardhshëm është projektuar huamarrje në tregun vendor prej 33.6 miliardë denarëve.

Mjetet planifikohen të sigurohen në kushte të favorshme, ndërsa do të orientohemi drejt një platforme të re, më bashkëkohore për zbatimin e emetimeve primare të letrave shtetërore me vlerë – Blumberg (Bloomberg), me ç’rast do të mundësohet rritja e pjesëmarrjes së investitorëve të huaj në tregun vendor. Huamarrja jashtë vendit është paraparë të realizohet me emetimin e letrave me vlerë të borxhit në tregun ndërkombëtar të kapitalit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së transhesë nga linja tashmë e miratuar për përkujdesje dhe likuiditet nga FMN-ja – PLL-ja, por edhe me mjete nga kreditë e favorshme dhe zhvillimore nga institucionet e huaja financiare dhe linjave kreditore të destinuara për financimin buxhetor projektues dhe rrjedhës. Gjithmonë nëpërmjet përzgjedhjes së burimit të financimit, gjithçka analizohet në mënyrë të detajuar. Kjo u zbatua edhe gjatë këtij viti, me të cilën për herë të parë u emetuan edhe letrat me vlerë të tregut gjerman, të njohura si “Namensschuldverschreibungen”, përkatësisht NSV. Në kuadër të përpjekjeve për menaxhimin prudent të financave publike, do ta shqyrtojmë edhe mundësinë e menaxhimit aktiv të portofolit të borxhit nëpërmjet operacioneve të shlyerjes së parakohshme të borxhit. Me qëllim të avancimit të vazhdueshëm të tregut financiar të letrave shtetërore me vlerë dhe ndjekjes së praktikës botërore, Ministria e Financave është duke punuar edhe për diversifikimin e burimeve të financimit dhe përfshirjen e llojeve të reja të instrumenteve financiare që do të kenë zbatime të ndryshme. Bëhet fjalë për “fletobligacionet zhvillimore”, “fletobligacionet e gjelbra”, “fletobligacionet projektuese”, si dhe për “fletobligacionet zhvillimore të qytetarëve”.

 

DW: Investimet kapitale që jeni duke projektuar për vitin 2023 janë më të lartat deri më tani, pothuajse 800 milionë euro. A do të jemi përfundimisht dëshmitarë të përmbushjes së plotë të tyre, sepse e dimë se si dhe në çfarë vëllimi realizohen deri më tani?

 

Fatmir Besimi: Buxheti i vitit 2023 është krijuar në përputhje me rregullin e artë në financat publike, që nënkupton se shpenzimet e investimeve kapitale janë në nivel më të lartë se deficiti. Kjo tregon komponentin zhvillimor të buxhetit dhe përcaktimin tonë për përshpejtimin e rritjes ekonomike në periudhë afatmesme. Në dy vitet e fundit, realizimi i shpenzimeve kapitale arrin rreth 80%, që në esencë është ndër realizimet më të mira të projeksionit të shpenzimeve kapitale në vitet e kaluara. Por, gjithashtu është domethënëse që edhe shuma si numër absolut është duke u rritur. Kështu, realizimi varion prej 17 miliardë denarëve në vitin 2016 dhe arrin në 23.4 miliardë denarë në vitin 2021, ndërsa me rishikimin e vitit 2022 janë paraparë 32.2 miliardë denarë. Realizimi i shpenzimeve kapitale në vitin 2022 është mbi 50%, ndërsa duke marrë parasysh praktikën në muajt e fundit të vitit për përshpejtimin e realizimit, me ç’rast këtë e presim edhe gjatë këtij viti.

Pritet dinamikë më e përshpejtuar e realizimit të linjës hekurudhore drejt Bullgarisë si pjesë e Korridorit 8, pastaj linjave rrugore nga Korridori 8 Kërçovë – Bukojçan, Strugë – Qafë Thanë, Gostivar – Kërçovë, Prilep – Manastir,  si dhe projektet energjetike marrin vrull të përshpejtuar për shkak të krizës. Mekanizmi i prezantuar CAPEF është gjithashtu  instrument motivues për shfrytëzuesit buxhetorë për të zbatuar projekte investuese. Siç dihet mekanizmi CAPEF zbatohet për herë të dytë dhe bashkë me të institucionet që realizojnë investime marrin më shumë mjete, ndërsa atyre që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara u hiqen mjetet nga ato zëra. Gjithashtu, risia në drejtim të  përshpejtimit të  realizimit të projekteve dhe që është parashikuar sipas Ligjit të ri të Buxheteve është vendosja e  Njësisë së re Organizative për Vlerësimin e Investimeve, në kuadër të Ministrisë së Financave – PIMA. Të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë, gjatë përgatitjes së Buxhetit, do të duhet të dorëzojnë studim parafizibilitet apo studime fizibiliteti në Ministrinë e Financave për të gjitha propozimet e reja për investime më të mëdha. Në nivel të Qeverisë pritet të veprojë edhe Komiteti Drejtues që do ta përcaktojë prioritetin e projekteve financuese. Plani i rritjes së përshpejtuar parasheh që zbatimi i projekteve do të realizohet nga njësitë ekzistuese të zbatimit të projekteve – NJZP (PIU) dhe mund të krijohen njësi shtesë të zbatimit të projekteve për disa projekte të reja.

Projektet me prioritet më të lartë do të asistohen nga Njësia e Koordinimit të Projekteve Infrastrukturore, ku Njësitë e Zbatimit të Projekteve NJZP – (PIU) do të kenë pëkrahjen e saj përmes zgjidhjes së përbashkët të çështjeve që lidhen me sfidat specifike, ndërsa njësia do t’i raportojë drejtpërdrejt Kryetarit të Qeverisë dhe do të të kryejë matje holistike të progresit dhe rezultateve. Të gjitha do të jenë një mekanizëm që duhet të japë rezultate.

 

DW: Ministri i Financave është “ruajtësi i arkës shtetërore”. A mund të jenë të sigurt qytetarët se do të ketë mjaftueshëm për të mbijetuar vitin e ardhshëm?

 

Fatmir Besimi: Edhe në kohën e krizës më të madhe ekonomike në botë, që nga Depresioni i Madh e tutje, respektivisht në krizën e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, dëshmuam se të gjitha detyrimet janë kryer pa probleme dhe me shpejtësi. Do të them edhe para kohe, sepse gjatë pandemisë pensionet filluan të paguhen para përfundimit të muajit.

Mjete ka pasur edhe për masa kundër krizë, për përkrahjen  e qytetarëve dhe kompanive. Gjithashtu siguruam mjete  për rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe për ta përkrahur ekonominë dhe konkurrencën e saj përmes disa politikave dhe subvencioneve. Ky është treguesi më i mirë i kapacitetit të kësaj administrate për t’u ballafaquar me krizë të përmasave të mëdha.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *