Кumtesa|

28 nëntor 2022, Shkup – Investimet kapitale janë një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë dhe ato në buxhetin për vitin 2023janë planifikuar në nivelin prej 790 milionë euroveGjatë realizimit të këtij prioriteti, Qeveria po merr përkrahje të konsiderueshme nga institucionet financiare ndërkombëtare. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është një ndër përkahësit më të mëdhenj të projekteve të rëndësishme për lidhjen infrastrukturore, mbrojtjen e mjedisit jetësor, pavarësinë energjetike etj., që realizohen në vendin tonë.

Realizimi i projekteve, si dhe vazhdimi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe BERZH-it, ishin temat e takimit të sotëm të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me drejtorin e BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Mateo Colangeli dhe shefin e Zyrës së BERZH-it në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Andi Aranitasi.

“Me Buxhetin e vitit 2023, planifikohet të intensifikohen projektet infrastrukturore, infrastruktura energjetike dhe ajo komunale. Ndër projektet prioritare, të cilat realizohen me përkrahjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë: pjesa hekurudhore e Korridorit 8 drejt Republikës së Bullgarisë dhe aksi rrugor Kërçovë – Bukojçan. Njëherazi, me përkrahjen e BERZH-it gjatë vitit 2023 do të fillojë edhe zbatimi i Projektit për menaxhim me mbetje të ngurta, për të cilin Kuvendi dha dritë jeshile dhe pritet nënshkrimi i marrëveshjes për të në gjysmën e parë të muajit janar të vitit 2023.BERZH-i është institucioni financiar ndërkombëtar më aktiv në vend, me një portofol aktiv në investimet publike me mbi 800 milionë euro, ku pjesa më e madhe e tyre janë në sektorin e transportit me mbi 500 milionë euro” theksoi ministri Besimi.

Sa i përket krizës energjetike, ai shtoi se kanë rëndësi të madhe edhe projektet për rritjen e prodhimit vendas së energjisë elektrike dhe për ruajtjen e stabilitetit në furnizimin me energji elektrike të qytetarëve dhe ekonomisë. Prandaj, projekti për Interkonektorin me Greqinë është kyç, ku Qeveria e RMV-së për këtë projekt pret përkrahje financiare prej 16 milionë eurove nga BERZH-i, me ç’rast përfundon edhe konstruksioni financiar për të. Deri më tani për realizimin e këtij projekti, janë siguruar mjete nga Banka Evropiane e Investimeve me vlerë prej 25 milionë eurove dhe grant nga WBIF-ja me vlerë prej 12 milionë eurove.

Përkrahje nga BERZH-i pritet edhe për realizimin e ndërtimit të gazsjellësve Shën Nikollë-Veles dhe Gostivar – Kërçovë. Në këtë takim, u diskutua edhe për mundësitë për përkrahje të mëtutjeshme të BERZH-it në sektorin privat me linja kreditore të favorshme, përmes bankave afariste vendase me theks të veçantë mbi linjat kreditore të cilat do të mundësonin qasje në mjetet fianciare si për ekonominë ashtu edhe për amvisëritë, në drejtim të rritjes së efikasitetit energjetik dhe uljes së kostove për energji elektrike. 

Ministri Besimi shprehu mirënjohje për përkrahjen e BERZH-it gjatë përgatitjes dhe zbatimit të projekteve prioritare, si dhe për përkrahjen në impenjimet e vendit tonë për zbatimin e reformave, të cilat nënkuptojnë përafrim të vendit tonë me BE-në.

Përkrahja e BERZH-it në vendin tonë daton nga viti 1993 dhe deri më tani ajo është përfshirë në 167 projekte.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *