19 dhjetor 2022, Shkup – Mbrojtja e standardit të qytetarëve, sigurimi i cilësisë më të mirë të jetesës dhe kushteve për rimëkëmbjen ekonomike, me konsolidim të njëkohshëm fiskal dhe kontroll më të mirë të shpenzimeve, janë qëllimet e politikave dhe masave që janë pjesë e Propozim buxhetit të plotësuar të vitit 2023, i cili nga dita e sotme është në rend dite në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili para deputetëve arsyetoi Propozim buxhetin e plotësuar, vlerësoi se Propozim buxheti për vitin 2023 është real, cakton prioritetet dhe alokon në mënyrë përkatëse mjetet për qytetarët dhe kompanitë.
“Propozim buxheti për vitin 2023 ka katër pikësynime, që do të ndihmojë në zbutjen e pasojave të krizës energjetike, do të sigurojë financim të vazhdueshëm të integrimeve euroatlantike, do të përmbushë standardet e NATO-s, por edhe do të vendosë bazat për rimëkëmbjen ekonomike dhe do të sigurojë përshpejtimin e rritjes ekonomike.
Ky Propozim buxhet është projektuar për përmbushjen e përcaktimit për konsolidim fiskal dhe sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale, ndërsa kjo nuk do të ndikojë negativisht në aktivitetin ekonomik”, theksoi Besimi.
Ai theksoi se menaxhimi i financave publike është sfidë e veçantë në kushtet e mjedisit ekonomik turbulent në Evropë dhe rikujtoi masat antikrizë të miratuara nga qeveria, me të cilat u amortizua rritja e lartë e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, u sigurua përkrahje për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve dhe kompanive dhe njëkohësisht u zhvilluan aktivitete për nxitjen e efikasitetit energjetik.
Në kushte të krizës energjitike në nivel global, si dhe rritjes së shpejtë të çmimeve të energjensave, ministri theksoi se politika tatimore në vitin 2023 do të vazhdojë me funksionin e stabilizimit të çmimeve në tregun e këtyre produkteve në vend. Ndërsa për mbrojtjen e mëtejshme të qytetarëve dhe ekonomisë për vitin 2023 janë planifikuar rreth 14 miliardë denarë.
Ajo që e karakterizon këtë buxhet është përmirësimi i menaxhimit të financave publike, i cili do të arrihet përmes riprojektimit të strukturës së tyre, rritjes së pjesëmarrjes së shpenzimeve kapitale, investimeve në konkurrencë, dixhitalizimit, përkrahjes së sektorit privat dhe përmirësimit të klimës së investimeve, ndërsa do të shkurtohen shpenzimet joprioritare dhe jothelbësore.
“Buxheti i propozuar për vitin 2023 është në përputhje me rregullin e artë në financat publike: shpenzimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor, përkatësisht do të huazohet vetëm për financimin e projekteve investuese. Realizimi i buxhetit do të menaxhohet sipas parimit të vlerës së parave (“value for money”), ku do të tregohet kujdes që paratë e qytetarëve të shfrytëzohen aty ku japin efektet më të mëdha në arritjen e qëllimeve për cilësi më të lartë jetese” theksoi ministri Besimi.
Investimet kapitale në vitin 2023 planifikohen të jenë në nivel prej rreth 48.8 miliardë denarëve ose rreth 51.8% më të larta në krahasim me planin për vitin 2022 dhe ato destinohen për intensifikimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, përkatësisht për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe për investime kapitale lidhur me përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, në bujqësi, kulturë, sport, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe në gjyqësor.
Me buxhetin e propozuar për vitin 2023 sigurohet pagesa e rregullt e pagave të të punësuarve në sektorin publik, pagesa me kohë dhe e rregullt e pensioneve, të hyrat minimale të garantuara dhe të drejtat e tjera sociale, pagesa e subvencioneve në bujqësi, përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahja dhe subvencionimi i aktiviteteve inovative, si dhe përkrahja e sektorit energjetik.
Sipas kësaj, në Propozim buxhetin e plotësuar planifikohen 276.1 miliardë denarë. Mjetet për mallra dhe shërbime janë në nivelin e njëjtë si në vitin 2022, me vlerë prej 23.6 miliardë denarëve, ndërsa me to sigurohet financimi i rritjes së kostove të energjisë dhe transportit si dhe funksionimi i pandërprerë i institucioneve. Transfertat sociale janë me vlerë prej 144.9 miliardë denarëve, me ç’rast planifikohen 75 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, 12.7 miliardë denarë për kompensimet e mbrojtjes sociale, 42.1 miliardë denarë për mbrojtjen shëndetësore, ndërsa 26.7 miliardë denarë për transfertat në njësitë e vetëqeverisjes lokale, të cilat shënojnë rritje për 1.2 miliardë denarë. Në Propozim buxhetin e plotësuar janë siguruar treqind e shtatëdhjetë milionë denarë edhe për racionin e subvencionuar të studentëve për vitin akademik 2022-2023.
Propozim buxheti i plotësuar për vitin 2023 është me vlerë prej 324.8 miliardë denarëve, të hyrat janë planifikuar me vlerë prej 282.1 miliardë denarëve dhe janë për 14.8% më të larta karahsuar me vitin 2022, ndërkaq deficiti është në nivel prej 4.6% të PBB-së së planifikuar apo 42.7 milionë denarë, i cili do të financohet nga burimet vendase dhe të jashtme. Projeksioni për rritjen ekonomike është 2.9%, ndërsa për inflacionin është 7.1%.