Кumtesa|

18 dhjetor 2022, Shkup – Reforma në financat publike zbatohet përmes tetë shtyllave, e cila do të sigurojë sistem më efikas dhe rritje të përshpejtuar ekonomike në periudhë afatmesme. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit, thekson se në vitin 2022, pavarësisht ballafaqimit me krizën globale të çmimeve dhe asaj energjetike, Qeveria ka realizuar reforma sinjifikative në financat publike. Ministri thekson se episodet e krizës tregojnë më së miri se në cilën pjesë të sistemit nevojiten ndryshime. Ndër reformat kryesore të zbatuara është Ligji i ri i Buxheteve, me të cilin vendoset buxhetimi afatmesëm, reforma lidhur me përforcimin e decentralizimit fiskal në aspektin e financimit dhe llogaridhënies, si dhe reforma për zgjerimin e bazës tatimore.

 

“Reformat në financat publike kanë për qëllim planifikimin afatgjatë dhe më cilësor të programeve të buxhetit dhe buxheteve, qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë në zbatimin e politikave, modelin më të drejtë për sa i përket të hyrave, shpenzimeve dhe mënyrës së financimit (si mbushet buxheti dhe ku shpenzohen paratë e qytetarëve) dhe monitorimin si dhe matjen e rezultateve. Një nga shtyllat kryesore të reformave të financave publike është transparenca dhe llogaridhënia, si dhe alokimi i mjeteve publike aty ku ato japin rezultate më të mëdha sipas prioriteteve të përcaktimit të politikave optimale në interes të qytetarëve dhe ekonomisë, koncepti “Vlera e parasë” (Value for money) dhe vendosja e treguesve kryesorë të performancës (Key Performance Indicators)”, shprehet Besimi dhe thekson se reformat në financat publike janë të domosdoshme për rimëkëmbje më të shpejtë nga kriza, por edhe përshpejtim të rritjes ekonomike.

 

Sipas Programit të menaxhimit të reformave në financat publike, reformat i bazojmë në tetë shtylla. E para i referohet përforcimit të kapaciteteve për analiza ekonomike; Shtylla e dytë i referohet mobilizimit të të hyrave përmes politikës tatimore dhe doganore; Shtylla e tretë është planifikimi dhe buxheti; E katërta i referohet prokurimeve publike; Shtylla e pestë ka të bëjë me sistemin e financave publike të integruara; Shtylla e gjashtë i referohet kontrollit të brendshëm financiar publik; Shtylla e shtatë – kontrollit të jashtëm dhe mbikëqyrjes parlamentare, ndërsa shtylla e tetë i referohet menaxhimit të financave publike në nivel lokal.

 

Në këtë kolumnë, ministri i Financave thekson rëndësinë e secilës prej këtyre shtyllave në krijimin e sistemit të financave publike që do të jetë bazë për rritjen e përshpejtuar ekonomike. Ai i referohet edhe platformës së përbashkët të centralizuar elektronike për financa publike të integruara dhe efikase – IFMIS, e cila do të jetë hap i rëndësishëm në avancimin e efikasitetit të këtij sistemi.

 

“IFMIS-ja pritet që ta përkrahë modifikimin e kornizës ligjore dhe institucionale të buxhetit dhe të reagojë ndaj sfidave ekzistuese nëpërmjet zgjerimit të përfshirjes në fushën e monitorimit të realizimit të buxhetit dhe raportimit fiskal, duke përfshirë të gjitha fazat e ciklit të shpenzimeve (nga prokurimi deri në pagesë), si dhe duke pasur pasqyrë të konsoliduar të shpenzimeve publike në kohë. IFMIS-ja do të mundësojë, ndër të tjera, krijimin e kornizës shumëvjeçare, vendosjen e funksionit të menaxhimit të investimeve publike në lidhje me sistemin e ardhshëm të investimeve publike dhe private, sistemin e automatizuar për monitorimin e detyrimeve, përfshirë detyrimet shumëvjeçare dhe të dhënat e centralizuara për detyrimet e ndërmarra, menaxhimin e mjeteve fikse dhe menaxhimin e borxhit. Do të sigurohet qasje gjithëpërfshirëse dhe në kohë në të dhënat e financave publike të cilat do të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit në projektimin e likuiditetit dhe menaxhimin e flukseve financiare”, thekson Besimi.

 

Në kuadër të kësaj shtylle parashihet themelimi i Akademisë së Financave Publike, me të cilën do të sigurohet edukimi i vazhdueshëm i administratës publike në fushën e menaxhimit të financave publike dhe krijimi i administratës moderne dhe kompetente për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të shpejta për qytetarët dhe bizneset. Besimi thekson se nevojitet investim në kapitalin njerëzor dhe përforcim të kapaciteteve me qëllim të zbatimit të këtyre reformave sistemike.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *