Кumtesa|

25 janar 2023, Shkup – 24.9 milionë euro janë siguruar për krijimin dhe implementimin e Sistemit të Integruar Informativ të Financave Publike – IFMIS, një nga reformat më të mëdha të parapara me Ligjin e ri të Buxheteve, por edhe në financat publike në vitet paraprake, si sistemet informative për menaxhimin e ndihmës shtetërore dhe menaxhimin e të hyrave tatimore. Mjetet janë siguruar përmes Projektit për krijimin e institucioneve efektive, transparente dhe llogaridhënëse për menaxhimin e financave publike, ku sot nënshkruan marrëveshje ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe drejtori i Zyrës së Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci, në prani të ambasadorit evropian David Geer dhe drejtoreshës së Drejtorisë së të Hyrave Publike, Sanja Llukarevska.

Me marrëveshjet e nënshkruara sigurohen 24.9 milionë euro, nga të cilat 20 milionë euro janë hua nga Banka Botërore dhe 4.9 milionë euro janë grant nga BE-ja për realizimin e projektit.

Me IFMIS do të ndërlidhen sisteme të caktuara në financat publike në platformën dixhitale të centralizuar, që do të lehtësojë krijimin e kornizës buxhetore shumëvjeçare, menaxhimin e investimeve publike, monitorimin e automatizuar të detyrimeve, menaxhimin e mjeteve fikse, menaxhimin e borxhit, si dhe rritjen e transparencës.

“Përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe përforcimi i planifikimit  afatmesëm buxhetor janë disa nga prioritetet më të rëndësishme të Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Republikës së RMV-së. Prandaj, është shumë e rëndësishme se me këtë projekt do të vendoset Sistemi i ri i integruar informativ për menaxhim të financave në kuadër të Ministrisë së Financave – IFMIS, pastaj Sistemi informativ i menaxhimit të ndihmës shtetërore – SAMIS, si Sistem plotësisht i ri informativ i menaxhimit të ndihmës shtetërore, që do të vendoset në Kabinetin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë i angazhuar për çështjet ekonomike dhe kooridinimin e resorëve ekonomikë, si dhe Sistemi plotësisht i ri informativ i menaxhimit të të hyrave tatimore të Drejtorisë së të Hyrave Publike (ITIS). Ministri Besimi shtoi se vendosja e këtyre sistemeve paraqet pjesë të përpjekjeve të Qeverisë për implementimin e teknologjive të avancuara dhe njëkohësisht është parakusht për të nisur me menaxhimin e financave publike në mënyrë bashkëkohore.

Ai shtoi se krijimi i sistemit IFMIS në Ministrinë e Financave është pjesë e reformës më të madhe që kemi zbatuar në periudhën e kaluar sa i përket menaxhimit me financat publike dhe ky sistem rezulton nga Ligji i ri i Buxheteve, me të cilin u krijuan rregullat fiskale konsistente, që janë në përputhje me ato të BE-së, të cilat mundësuan parashikueshmëri dhe përgjegjësi më të madhe në zbatimin e politikës fiskale.

“Me Kornizën aktuale të partneritetit të Bankës Botërore me Maqedoninë e Veriut, përcaktohet përforcimi i menaxhimit fiskal dhe menaxhimit me financat publike si qëllim kryesor, ndërsa projekti që sot nënshkruam do të vijojë të ketë qasje gjithëpërfshirëse drejt përforcimit të anës së shpenzimeve dhe së të hyrave sa i përket ciklit të menaxhimit me financat publike, ku merret parasysh qëndrueshmëria fiskale si dhe qëndrueshmëria ndaj ndryshimeve klimatike”, dekalroi Massimiliano Paolucci, drejtori i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Ai shtoi se aktivitetet e parapara të projektit do të rezultojnë me uljen e detyrimeve të prapambetura të shtetit, njoftimin më gjithëpërfshirës së qeverisë për përgatitjen dhe realizimin e buxhetit, integrimin e qëndrimeve për ndryshimet klimatike në skriningun e projekteve dhe zvogëlimin e hendekut në harmonizimin tatimor në aspekt të TVSH-së.

Euroambasadori David Geer theksoi se dixhitalizimi i financave publike do të kontribuojë në përmirësimin e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies në menaxhimin e financave publike, si dhe sigurimin e shërbimeve më efikase për qytetarët.

Drejtoria e DHP-së, Sanja Llukarevska, pohoi se dixhitalizimi i shërbimeve për obliguesit tatimorë do t’u mundësojë kompanive që të kursejnë kohë dhe para, ndërsa do të rezultojë në rritjen e arkëtimit të tatimeve, si dhe në uljen e ekonomisë joformale, gjë që do t’u ndihmojë bizneseve formale t’i rrisin të hyrat e tyre përmes konkurrencës së lirë, të drejtë dhe efikase.

“Me ndihmën e këtyre mjeteve Drejtoria e të Hyrave Publike do të ketë bazë moderne të të dhënave, qendër për rikuperim pas fatkeqësive, strukturë moderne të menaxhimit të informacioneve, implementim të qasjeve inovative për harmonizimin e tatimeve, si dhe përmirësim të efikasitetit të menaxhimit të të hyrave”, theksoi Llukarevska.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *