6 Shkurt 2023, Shkup — Rritja më e shpejtë ekonomike, standardi më i mirë i jetesës, produktiviteti më i lartë i punës, klima më e mirë e biznesit dhe zhvillimi strukturor i sektorit privat, progresi në demokracinë institucionale dhe qeverisja e mirë, janë disa nga përfitimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Duhet të punojmë në vazhdimësi për krijimin e modelit tonë të suksesshëm ekonomik, bazuar në investime, inovacione, kapital njerëzor, infrastrukturë dhe teknologji të reja, i cili do të krijojë vende të reja pune, rritje më të shpejtë, më inkluzive dhe të qëndrueshme, tranzicion të gjelbër dhe cilësi më të mirë të jetesës për qytetarët, gjegjësisht model ekonomik, që do ta sjellë Evropën në shtëpi, shkruan ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit kushtuar integrimeve evropiane në kontekst të perspektivave të reja dhe standardit më të mirë.
“Para së gjithash, anëtarësimi në BE, do të thotë hyrje në një treg prej mbi gjysmë miliardë konsumatorësh. Fuqia ekonomike e BE-së reflektohet edhe në tregtinë dhe investimet e huaja direkte, me 16% të tregtisë së përgjithshme globale.
Integrimi i Maqedonisë në BE nënkupton hyrje në një treg 25 herë më të madh, me standard të jetesës përafërsisht pesë herë më të madh krahasuar në mënyrë nominale sipas PBB-së për banor (me ç’rast PBB-ja reale për banorë të ekonomisë sonë është rreth 40% nga PBB-ja e BE-së sipas Eurostat), si dhe me shkallë dukshëm më të ulët të papunësisë”, theksoi Besimi. Ai shtoi se sipas studimeve, të cilat i referohen përfitimeve të tregut të vetëm të BE-së, vlerësimet janë se produkti i brendshëm bruto i BE-së do të ishte 9% më i ulët nëse nuk do të kishte integrim të plotë të tregut, që do të thotë mesatarisht rreth 840 euro më pak të hyra vjetore për banor.
“Sa i përket këtij këndvështrimi, çdo vend anëtar është më mirë në BE se jashtë saj, gjë që tregon se BE-ja krijon vlera të reja, respektivisht vlerë të shtuar me eksternalitete pozitive. Siç do të thoshte Aristoteli “tërësia është më shumë se shuma e pjesëve të saj”, thekson ministri i Financave.
Në kolumnë ministri thekson rëndësinë e procesit integrues për financat publike në drejtim të reformave për përmirësimin e sistemit të financave publike, si dhe qasjen në një sërë fondesh evropiane.
“Buxheti i Bashkimit Evropian për periudhën 2021-2027 vlerësohet të jetë rreth 2.000 miliardë euro, mjetet janë të orientuara drejt përkrahjes së fushave në vijim: Integrimi klimatik dhe dixhital; Tregu i përbashkët dhe inovacionet; Kohezioni, rezistenca dhe vlerat e përbashkëta; Burimet natyrore dhe mjedisi; Migrimi dhe menaxhimi i zonës kufitare; Fqinjësia, bota dhe administrata publike evropiane. Me procesin e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkim Evropina, me çdo nivel të ri, për vendin mundësohet qasje në fondet e reja për financimin e pikësynimeve të caktuara”, theksohet në kolumnë.
Ministri më tej i referohet avantazheve të tjera ekonomike dhe joekonomike, të cilat mund të jenë më të vështira për t’u përllogaritur, por që ndikojnë në ecurinë ekonomike të vendit, si adresim i përbashkët i ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së tokës dhe ujit, luftën e përbashkët kundër korrupsionit, kontrabandës dhe parandalimit të pastrimit të parave, mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve si konsumatorë, por edhe sigurisë që sjell integrimi euroatlantik.
Duke shkruar për krijimin e një modeli më të mirë ekonomik për rritjen e ekonomisë së vendit dhe në kontekst të eurointegrimeve, ministri Besimi thekson se: “na duhet një model ekonomik i bazuar kryesisht në krijimin e vendeve të reja të punës (në sektorin privat), përmes rritjes së konkurrencës, duke përmirësuar infrastrukturën dhe klimën e biznesit. Menaxhimi transparent dhe i përgjegjshëm i financave publike me qëllim të përkrahjes dhe stimulimit të investimeve, si dhe afirmimi i kohezionit social dhe territorial, njëkohësisht promovon edhe zhvillim të barabartë rajonal. Modeli i zhvillimit ekonomik i bazuar në ekonomi konkurruese dhe të integruar, me mundësi të barabarta për të gjithë, do të ndikonte që të mos ecim ngadalë, por t’i bashkohemi sa më shpejt – Evropës sonë të Bashkuar”.