8 Shkurt 2023, Shkup — Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut emetoi euroobligacionin e nëntë në vlerë 600 milionë euro, që do të shfrytëzohet ekskluzivisht për financimin e detyrimeve në bazë të borxheve të vjetra, të cilat duhet të paguhen këtë vit. Në bazë të kryegjësë (principalit) dhe interesit për servisimin e borxheve të vjetra ndaj kreditorëve të jashtëm, këtë vit duhet të paguajmë 594 milionë euro për kryegjënë dhe 138 milionë euro për interesin. Prej tyre, pjesa më e madhe i referohet euroobligacionit shtatëvjeçar të emetuar në vitin 2016, me ç’rast vetëm këtë vit duhet të paguhen 450 milionë euro, me interes prej 25 milionë eurove shtesë.
Për shkak të detyrimeve të maturuara, euroobligacioni i nëntë u emetua, pavarësisht kushteve rigoroze në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, siç dëshmohet edhe nga rritja e shumëfishtë e normave referente të interesit nga bankat kryesore qendrore.
Norma e interesit të kuponit që u arrit sot prej 6.25% në nivel vjetor është më e ulët se normat e interesit të tregjeve të euroobligacioneve tashmë të emetuara, që tregtohen aktualisht në bursat ndërkombëtare. Ajo është shumë më e ulët se normat e interesit, të cilat mbizotëruan gjatë muajve të fundit të kësaj periudhe të krizës energjetike e cila ende vazhdon, të cilat variuan mbi 8%.
Financimi i deficitit buxhetor për këtë vit sigurohet në kushte edhe më të favorshme përmes ndihmës makrofinanciare të Komisionit Evropian, Linjës për përkujdesje dhe likuiditet të FMN-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, si Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Banka Evropiane e Investimeve.
Qasja është që në kushtet e tregjeve financiare të kushtueshme, të mos kryhet huamarrje për të gjithë vlerën e aprovuar deri në 800 milionë euro, por vetëm për vlerën e kthimit të borxheve të vjetra. Afatizimi i euroobligacionit të ri është vetëm katër vjet, me synim që kjo të bëhet me periudhë afatshkurtër pagese (në vend të shtatë viteve, si zakonisht), për uljen e kostos buxhetore vjetore të pagesave të interesit.
Kërkesa për euroobligacionin e nëntë ishte 2.5 herë më e lartë se vlera e ofruar, ky fakt e konfirmon besimin e investitorëve në ekonominë dhe politikat tona ekonomike. Norma e interesit për euroobligacionin e emetuar është në nivel të njëjtë me normën e interesit për euroobligacionet me afatizim të ngjashëm nga vendet anëtare të BE-së (si Hungaria dhe Rumania) dhe dhe vendet kandidate për anëtarësim në BE (Serbia), që kanë emetuar që nga fillimi i vitit. Megjithëse këto vende kanë rejting më të mirë të kredisë, norma e interesit të kuponit të arritur është afërsisht në nivel të njëjtë me atë të euroobligacionit të nëntë.
Ky është konfirmim i bazave të qëndrueshme dhe politikave makroekonomike të zbatuara nga Qeveria, siç u deklarua nga FMN-ja gjatë aprovimit dhe rishikimit të Linjës për përkujdesje dhe likuiditet, si dhe konfirmuar edhe përmes ndihmës makrofinanciare nga Komisioni Evropian, hapjes së procesit të skriningut për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, konsolidimit fiskal më të fuqishëm (se sa ishte planifikuar), borxhit publik më të ulët gjatë vitit 2022 dhe projeksioneve pesëvjeçare. Angazhimi ynë si Qeveri për menaxhim prudent të financave publike është integruar në rregullativën moderne me miratimin e Ligjit të ri reformues të Buxheteve, me të cilin vendosen rregulla fiskale, respektivisht limite për borxhin dhe deficitin buxhetor, si dhe Këshilli Fiskal si organ i pavarur, i cili do të mbikëqyrë realizimin e tij.