16 shkurt 2023, Shkup – Sot, në Ministrinë e Financave, ministri Fatmir Besimi, së bashku me zëvendëskryeministrin e Çështjeve Evropiane, Bojan Mariçiq, ministrat e disa resorëve dhe përfaqësuesit e KE-së, mbajtën takim të nivelit të lartë dhe në kuadër të Dialogut financiar dhe ekonomik me BE-në, si rezultat i të cilit përgatitet Programi i reformave ekonomike dhe miratohen konkluzionet e përbashkëta në Këshillin e BE-së, në muajin maj në nivel vjetor. Ky është proces që vendi ynë dhe BE-ja e zbatojnë në vazhdimësi prej 9 vitesh, në të cilin përcaktohen rekomandimet dhe masat për realizimin e prioriteteve të përcaktuara dhe koordinohet nga Ministria e Financave.
Qëllimi i këtij takimi, si dhe dialogu në përgjithësi është që në mënyrë të përbashkët të arrihen propozime për rekomandime që do të ndihmojnë në arritjen e prioriteteve të vendit tonë për rritjen ekonomike në vitin 2023. Diskutimi do të jetë një hap i rëndësishëm në përgatitjen e Dialogut ekonomik dhe financiar të sivjetëm ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, ku në muajin maj të vitit 2023 së bashku do të miratohen udhëzimet e reja për vendin.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në fillimin e këtij muaji e miratoi Programin e reformave ekonomike 2023-2025, që është i nënti me rradhë dhe që përmban reforma kyçe sektoriale strukturore, ku duhet të punojmë dy vitet e ardhshme me qëllim të rritjes së konkurrencës dhe rritjes së ekonomisë.
“Ky është proces i vazhdueshëm që po zbatohet së bashku me BE-në, ndërsa në vend koordinohet nga Ministria e Financave. Në kuadër të Dialogut financiar dhe ekonomik, Programi i reformave ekonomike u përgatit, ku përfshihen korniza afatmesme makroekonomike dhe fiskale, si dhe 19 reformat kyçe sektoriale për rritjen e konkurrencës dhe ekonomisë. Me rëndësi është se Programi në fjalë u përgatit dhe është në përputhje me Programin e punës së Qeverisë së RMV-së për periudhën 2020-2024, Strategjinë e rishikuar fiskale për periudhën 2023-2025 (me perspektivat deri në vitin 2027), Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, si dhe dokumentet e tjera strategjike nacionale, me ç’rast pasqyrohet përcaktimi ynë për t’u anëtarësuar në familjen evropiane” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Ai në këtë takim, iu referua reformave të politikës fiskale që planifikon t’i ndërmarrë Ministria e Financave gjatë këtij viti.
“Sa i përket pjesës së politikës buxhetore, duke e marrë parasysh ndikimin e krizës, do të sigurohet përkrahje fiskale për ruajtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive. Do të vijojmë me procesin e filluar të konsolidimit fiskal dhe me uljen e deficitit buxhetor, duke i stimuluar njëherazi, investimet me qëllim që të përkrahjet rritja. Zbatimi i Ligjit të ri të Buxheteve, si reformë e rëndësishme në financat publike dhe zbatimi i pakos së reformave në politikën tatimore, paraqet vendosje të sistemit tatimor bashkëkohor që bazohet në drejtësi, barazi, efikasitet, dixhitalizim të proceseve dhe luftë kundër ekonomisë joformale.”, deklaroi ministri Besimi, duke iu referuar edhe reformave në sektorin financiar.
Ministri shprehu mirënjohje për përkrahjen e BE-së, e cila është siguruar për vendin përmes grantit prej 80 milionë eurove dhe përkrahjes makrofinanciare prej 100 milionë eurove.
Gjatë takimit, nga ana e përfaqësuesve të KE-së u pasqyrua zbatimi i konkluzioneve të përbashkëta nga PRE-ja në fushën e politikave strukturore, në fushën e tranzicionit të gjelbër, transformimit digjital, përmirësimit të mjedisit afarist dhe në uljen e ekonomisë joformale, ndërsa ministrat resorialë prezantuan politikat e ardhshme në kompetencat e tyre, që mund të jenë pjesë e konkluzioneve të përbashkëta.