Rregullatorët financiarë, në bashkëpunim me shoqatat dhe institucionet nga sektori privat dhe civil që janë aktivë në fushën e edukimit financiar, shënojnë për të njëmbëdhjetin vit radhazi Javën Globale të Parasë, e cila këtë vit do të mbahet nga data 20 mars deri më datë 26 mars të vitit 2023.
Tema e këtij viti “Planifiko paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde” (Plan your money, plant your future) i kushtohet qëndrueshmërisë dhe ndërgjegjësimit lidhur me pasojat e sjelljes financiare individuale jo vetëm ndaj të ardhmes financiare, por edhe ndaj mjedisit jetësor dhe shoqërisë. Pjesëmarrësit e Javës Globale të Parasë, mund të marrin pjesë në këtë temë përmes aktiviteteve që do të theksojnë rëndësinë e vendimeve financiare për qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe financiare. Kjo temë inkurajon të rinjtë që gjatë vendimmarrjeve të tyre financiare, të kenë pikëpamje afatgjatë dhe të marrin në konsideratë ndikimin ndaj mjedisit jetësor dhe shoqërisë.
Këtë vit, aktivitetet gjatë Javës Globale të Parasë, kryesisht, do të zhvillohen përmes ligjeratave dhe publikimit të materialeve edukative në faqet e internetit të institucioneve dhe në rrjetet sociale. Ligjeratat do t’u destinohen nxënësve në shkollat fillore dhe ato të mesme, si dhe studentëve në fakultetet e vendit tonë, me tema të fushave që mbulojnë institucionet e caktuara lidhur me funksionimin e sistemit financiar.
Ministria e Financave edhe këtë vit do t’i bashkëngjitet shënimit të Javës Globale të Parasë përmes mbajtjes së ligjerateve edukative për studentët e fakulteteve të universiteteve në vend.
Në nivel global, në organizim të Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OECD), Java Globale e Parasë shënohet që nga viti 2012, me ndërprerje vetëm gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë. Kjo iniciativë globale, e cila deri më tani është shënuar në më shumë se 176 vende të botës, ku përfshihen 53 milionë fëmijë dhe të rinj, i ndërgjegjëson të rinjtë për edukimin financiar dhe pasuron njohuritë e tyre për paranë, kursimet, punësimin dhe sipërmarrjen. Çdo vit, të rinjtë diskutojnë, lexojnë dhe mësojnë mbi sistemet ekonomike dhe financiare përmes aktiviteteve të ndryshme të realizuara nga institucionet financiare dhe arsimore.
Për më shumë informacione mbi Javën Globale të Parasë në linkun: globalmoneyweek.org