Кumtesa|

11 Maj 2023, Shkup – Objekti i Klinikës së Psikiatrisë në Shkup do të rinovohet tërësisht dhe do të bëhet me efikasitet energjetik përmes Projektit për përmirësimin e efikasitetit energjetik, i cili financohet nga granti i Bankës Botërore dhe implementohet nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Punimet e ndërtimit fillojnë më 15 maj dhe pritet që objekti të marrë pamjen e re pas pesë muajsh.

Klinika Universitare e Psikiatrisë është objekti i parë nga gjithsej 18 objekte shëndetësore që duhet të përfshihen me këtë projekt në komponentin që synon përmirësimin e efikasitetit energjetik të objekteve në nivel qendror. Për këtë komponent janë planifikuar 5 milionë euro nga gjithsej 25 milionë euro.

Në kuadër të projektit janë planifikuar 10 milionë euro për projekte për përmirësimin e efikasitetit energjetik të objekteve në nivel lokal, për të cilat tashmë kanë filluar aktivitetet për 42 projekte në 12 komuna dhe janë duke u ndërmarrë aktivitete shtesë për të mbështetur projektet në 16 komuna.

Në kuadër të këtij projekti, numri i objekteve që do të përfshihen mund të rritet edhe më tej, sepse ende ka mundësi që komunat t’i parashtrojnë aplikimet.

Përveç përkrahjes së projekteve lidhur me përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë në objektet në nivel lokal dhe qendror, me këtë projekt parashihet edhe vendosja e Fondit të efikasitetit energjetik me kapital fillestar prej 5 milionë eurove, që duhet të funksionojë në kuadër të Bankës Zhvillimore.

Qëllimet kryesore të projektit janë reduktimi i konsumit të energjisë në sektorin publik, përkrahja e vendosjes dhe operacionalizimi i mekanizmit të qëndrueshëm për financimin e efikasitetit energjetik në sektorin publik.

Investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe rritja e efikasitetit energjetik në objektet e nivelit lokal dhe qendror, si dhe në objektet individuale, rezultuan të kenë rëndësi të jashtëzakonshme gjatë kohës së krizës energjetike

Nëpërmjet kësaj kursehen para si shpenzime për energjinë e konsumuar, por kursehen edhe resurse për të prodhuar atë energji, si dhe mbrohet ambienti jetësor. Prandaj, ky projekt është veçanërisht i rëndësishëm si nga aspekti i racionalizimit të shpenzimeve, ashtu edhe nga aspekti i ruajtjes së ambientit jetësor.

Ndryshe, në Klinikën Universitare të Psikiatrisë përmes projektit do të ndërrohet instalimi elektrik, ndriçimi, ngrohja, do të vendoset sistemi qendror i ftohjes, do të vendoset termoizolimi, do të rikonstruktohet çatia, do të ndërrohen dritaret dhe dyert, etj.

Gjatë renovimit, pacientët e kësaj klinike do të shtrohen në Spitalin Psikiatrik – Shkup dhe në Repartin e Psikiatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, me ç’rast këto institucione kanë kapacitete të mjaftueshme. Reparti i fëmijëve do të funksionojë përkohësisht në SPQ “8 Shtatori” – Shkup.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *