16 maj 2023, Shkup – Zbatimi i reformave strukturore të përcaktuara nga Qeveria, të përkrahura nga BE-ja, përmes fondeve IPA dhe Planit ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor janë bazë për ruajtjen e rezistencës ekonomike dhe nxitjen e rritjes inkluzive. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim, do të ketë përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, zbatimi i reformave në arsim, përmirësimi i konkurrencës së kompanive vendase, reduktimi i ekonomisë joformale, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Këto janë disa nga rekomandimet e konkluzioneve të përbashkëta të Dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, i cili u mbajt sot në Bruksel, ku mori pjesë edhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.
“Jemi përballë një realiteti të ri të diktuar nga disa kriza të njëpasnjëshme që kërkojnë implementimin e politikave të përshtatshme dhe efikase, shumica e së cilave kërkojnë reagim të shpejtë, ndërsa njëkohësisht duke mbrojtur financat publike. Në kushte të tilla, kur kemi ngadalësim të rritjes ekonomike, fokusi kryesor i politikave qeveritare, përveç trajtimit me inflacionin e lartë, synon përkrahjen e investimeve të nevojshme për ta ruajtur normën pozitive të rritjes në periudhë afatshkurtër, përshpejtimin e saj në periudhë afatmesme, si dhe zbatimin e reformave strukturore”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Ai thekson se për të mbrojtur financat publike dhe për të lënë më shumë hapësirë fiskale për investime kapitale, po punohet në konsolidimin fiskal dhe masat për rritjen e të hyrave përmes konceptit të reformës tatimore, reduktimit të ekonomisë joformale etj.
Zbatimi i rekomandimeve do të kontribuojë në krijimin e ekonomisë më rezistente ndaj goditjeve dhe në përshpejtimin e rritjes në periudhën afatmesme, që pritet të arrijë një normë mesatare rritjeje prej 4% në periudhën 2024-2028. Është e rëndësishme që vendi të vazhdojë me konsolidimin fiskal. Në vitin 2022, deficiti buxhetor ishte më i vogël se sa ishte planifikuar me gjithë mbështetjen e madhe energjetike, ndërsa në vitin 2025 është projektuar 2.9% të PBB-së. Progres shtesë pritet në periudhën e ardhshme përmes zbatimit të reformës së paralajmëruar tatimore, si dhe rregullave të përcaktuara fiskale nga Ligji i ri i Buxheteve.Ulet inflacioni, i cili është si rezultat i faktorëve globalë. Politika monetare është bërë në mënyrë përkatëse edhe më strikte, megjithatë duhet të vijojë që gjendja të monitorohet me vigjilencë dhe të ruhet stabiliteti i çmimeve. Po ashtu, sipas udhëzimeve duhet të vijohet me reformat në arsim dhe politikat aktive për përmirësimin e nivelit të përfshirjes në tregun e punës.
Edhe më tej, rreziqet lidhen me pasigurinë nga lufta në Ukrainë, çmimet e energjisë dhe ushqimit, si dhe kushtet në tregun financiar global.
Në këtë drejtim duhet të vijojë edhe përkrahja për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve dhe kompanive, por nëse është e nevojshme, ajo edhe do të destinohet. BE-ja propozoi ndihmë makroekonomike prej 100 milionë eurove për përmbushjen e nevojave për financimin e vendit sa i përket përkrahjes së reformave dhe ballafaqimit me sfidat e ndryshme.
Në dialogun ekonomik dhe financiar të sivjetëm në Bruksel marrin pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe Turqisë.
Pjesëmarrësit u dakorduan se dialogu duhet të ketë rol kryesor, sa i përket përcaktimit të udhëzimeve të përbashkëta lidhur me politikën e përkrahjes së rimëkëmbjes së qëndrueshme ekonomike afatmesme, si dhe të ndihmojë në përmbushejn e kritereve ekonomike për anëtarësim në BE. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre sa i përket dialogut dhe inkurajuan vendet nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia që t’i zbatojnë politikat dhe reformat që i kanë përcaktuar bashkërisht.
https://data.consilium.europa.eu/doc/document/ST-9478-2023-INIT/en/pdf