Кumtesa|

16 maj 2023, Bruksel – Republika e Maqedonisë së Veriut, që nga pavarësia e saj është përkushtuar në synimin e së ardhmes euroatlantike. Që nga viti i kaluar, tashmë janë hapur negociatat në këtë drejtim, me ç’rast zhvillohet procesi i skriningut, i cili duhet të përfundojë në muajin nëntor të këtij viti, pas së cilës do të vijojë raporti i KE-së dhe më pas pritet intensifikimi i aktiviteteve për arritjen e qëllimit të Qeverisë, që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2030.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili sot mbajti fjalim në Qendrën e Politikave Evropiane në Bruksel, me temën “Lufta dhe implikimet në Ballkan: Perspektivat e Maqedonisë së Veriut”.

“Me vendosmëri të plotë vijojmë me zbatimin e reformave të domosdoshme strukturore në rrugën drejt integrimit të plotë në BE. Pikësynimi ynë është krijimi i kushteve më të mira të jetesës, standardi më i mirë i jetesës për qytetarët, e ardhmja më e mirë sidomos për të rinjtë. E thënë thjesht, ta sjellim Evropën në shtëpi”, tha ministri Besimi dhe shtoi se në këtë rrugë, çdo pengesë nuk duhet të na dekurajojë, por të na motivojë edhe më shumë për zhvillimin e shoqërisë dhe gjenerimin e rezultateve më të mira.

Në këtë proces, siç potencoi ministri, rëndësi të madhe ka Dialogu ekonomik dhe financiar, në kuadër të të cilit, sot në Bruksel, miratuam konkluzione të përbashkëta sa i përket politikave për vitin e ardhshëm, të cilat kontribuojnë në orientimin e kapaciteteve të shtetit ndaj zbatimit të reformave më prioritare, që synojnë arritjen e normave më të larta të rritjes ekonomike.

“Fokusi kryesor i politikave të Qeverisë, në kushte të krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë është destinuar në ballafaqimin me inflacionin e lartë dhe gjithashtu, përkrahjen e investimeve të nevojshme, me qëllim të ruajtjes së normës pozitive të rritjes në periudhë afatshkurtër, si dhe përshpejtimit të rritjes në periudhë afatmesme.

 

Realizimi i investimeve publike kapitale të planifikuara, si dhe pritshmëritë për uljen e inflacionit në vitin 2023, me anë të zbatimit të reformave strukturore janë bazë në përshpejtimin e rritjes në periudhë afatmesme. Në këtë drejtim, prioriteti kryesor do të jetë investimi në burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe efikasitetin energjetik, që do të kontribuojë në uljen e çmimeve të energjisë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.

Impenjimet e Qeverisë për rritjen e konkurrencës së ekonomisë do të orientohen drejt ballafaqimit të ekonomisë joformale dhe avancimit të tranzicionit dixhital, si dhe do të punohet në përmirësimin e rezultateve në arsim, me qëllim të uljes së shkallës së papunësisë”, theksoi ministri Besimi.

Duke iu referuar përfitimeve nga anëtarësimi në BE, pohoi se çdo shtet anëtar arrin rezultate më të mira në BE sesa jashtë saj, duke theksuar faktin se BE-ja krijon një vlerë të re.

 

“Anëtarësimi në BE, para së gjithash, përfshin qasje në tregun me më shumë se gjysmë miliardi konsumatorësh, siguron rritje më të lartë ekonomike, klimë më të favorshme afariste, përafrim të standardit të jetesës me standardin në BE, progres më të shpejtë në reformat strukturore për zhvillimin e sektorit privat, progres më të madh në demokracinë institucionale dhe qeverisjen e mirë, stabilitet politik, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit. Çdo progres i ri, nënkupton qasje në fondet e reja për financim me qëllim të arritjes së pikësynimeve të përcaktuara. Anëtarësimi nënkupton rritje të sigurisë dhe stabilitetit të vendit, vlerësim më të lartë kreditor të vendit dhe rritje të investimeve vendore dhe të huaja, të cilat do të hapin vende të reja pune, të pasuara me njohuri të avancuara, teknologji të reja dhe rritje të konkurrencës së ekonomisë vendore”, tha ministri i Financave.

Ai potnecoi se duke parë përfitimet, rruga evropiane e vendit tonë nuk ka alternativë tjetër dhe shtoi se përshpejtimi i procesve negociuese për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është shumë domethënës, sidomos nga aspekti i zhvillimeve në Ukrainë dhe sigurimit të stabilitetit afatgjatë në rajon.

 

Qendra e Politikave Evropiane (QPE) është organizatë e pavarur, jofitimprurëse “think tank”, e dedikuar për të nxitur integrimin evropian.

 

Ministri i Financave në Bruksel mori pjesë në Dialogun e rregullt vjetor ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në të cilin u miratuan konkluzione të përbashkëta për prioritetet e vitit të ardhshëm.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *