Кumtesa|

18 maj 2023, Shkup – Republika e Maqedonisë së Veriut në vazhdimësi zbaton reforma që janë pjesë e përmbushjes së integrimeve euroatlantike. Me fillimin e negociatave nga viti i kaluar vihet re një dinamikë e re në zbatimin e reformave, ndonëse një pjesë e përpjekjeve u destinua për përballimin e sfidave të krizës energjetike dhe të çmimeve.

Vendi vazhdon në rrugën reformuese, që është prioritet i lartë në programet qeveritare dhe që u harmonizua së bashku me BE-në përmes Dialogut ekonomik dhe financiar, me ç’rast përforcohen kapacitetet për zbatimin e këtyre reformave. Kjo u theksua në takimin e sotëm të ministrit të Financave, Fatmir Besimi në Shkup me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të KE-së, Gert Jan Kopman dhe drejtoreshën e Drejtorisë, Mikaela Matuela.

“Gjatë kësaj jave në Bruksel përfunduam ciklin e 9-të të Dialogut ekonomik dhe financiar me BE-në, i cili zhvillohet me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë dhe miratuam konkluzionet e përbashkëta në lidhje me indikacionet e politikave për vitin e ardhshëm. Konkluzionet e përbashkëta të integruara në politika dhe masa, do të bëhen pjesë e programeve dhe buxhetit që do të përgatitet për vitin e ardhshëm. Ky është proces që na përafron me kriteret ekonomike të BE-së dhe na bën më të përgatitur në procesin paraaderues. Në këto suaza, na bën gjithashtu të përgatitur edhe në drejtim të shfrytëzimit të instrumenteve financiare që kemi në dispozicion si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ministri i Financave.

Ministri iu referua politikave të tilla si masat e ndërmarra për menaxhimin e financave publike dhe konsolidimin fiskal dhe politikat ekonomike të vendit. Në mesin e tyre janë aktivitetet specifike të parapara me Ligjin e ri të Buxheteve, Strategjinë e re fiskale me projeksione pesëvjeçare, reformat tatimore etj.

Gjatë takimit u theksua se reformat tatimore të bazuara në strategji kanë për qëllim rritjen e efikasitetit të inkasimit të të hyrave tatimore përmes zgjerimit të bazës tatimore dhe krijimit të hapësirës ​​fiskale mbi zbatimin e politikës aktive për stimulimin e investimeve dhe rritjen e përshpejtuar ekonomike. Ato janë gjithashtu në përputhje me rekomandimet e BE-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare që tregojnë nevojën për sigurimin e drejtësisë më të madhe vertikale dhe horizontale të sistemit tatimor dhe zgjerimin e bazës tatimore përmes rishikimit të lirimeve tatimore.

Gjithashtu u theksua se angazhimi për konsolidimin fiskal vazhdon përmes përkrahjes së ekonomisë me investime në projekte infrastrukturore, riprojektimit të strukturës së financave publike nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes së shpenzimeve kapitale, si dhe përforcimit të procesit të planifikimit, realizimit dhe raportimit për financat publike.

Bashkëfolësit iu referuan edhe instrumenteve financiare që ka në dispozicion vendi si aspirant për hyrjen në BE për përkrahjen e reformave dhe zbatimin e projekteve investuese, si dhe masat e ndërmarra për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve. U diskutua edhe për mundësinë e shfrytëzimit të përkrahjes makrofinanciare nga BE-ja, për të cilën tashmë janë duke u zhvilluar aktivitete.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *