27 maj 2023, Shkup – Muajin e ardhshëm, tregu vendor i letrave me vlerë do të pasurohet me instrument të ri – fletobligacionet e qytetarëve. Realisht, më gëzon fakti që ky lajm gjatë javës së kaluar shkaktoi vëmendje të madhe në opinion, andaj këtë kolumnë ia dedikova kësaj teme, si dhe synimeve për zhvillimin e tregut të kapitalit në vend.
Fletobligacionet e qytetarëve janë letra shtetërore me vlerë afatgjata të destinuara për qytetarët, qëllimi i të cilave është nxitja e aktivitetit investues te qytetarët, ndikimi në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të kapitalit në vend dhe e fundit, por më e rëndësishmja, prurja e rendimenteve në drejtim të poseduesve të tyre. Gjithashtu, qytetarët do të mund t’i investojnë kursimet e tyre në para të gatshme në fletobligacionin e qytetarëve, me ç’rast përmes sistemit bankar do të mobilizohen, respektivisht do të reduktohen paratë e gatshme, që është një nga mënyrat për luftimin e ekonomisë gri edhe atë me respektimin e plotë të rregulloreve ekzistuese ligjore dhe standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen nga pastrimi i parave. Përfitimet janë të shumëfishta, si për ekonominë, ashtu edhe për qytetarët – sidomos për ta, sepse në kohë inflacioni të lartë, ata do ta mbrojnë vlerën e parave të tyre, përmes interesit solid që do ta marrin nga shteti. Letrat shtetërore me vlerë konsiderohen si instrumente financiare pa rrisk, respektivisht njihen nga investitorët si investimet më të sigurta. Afatizimi i këtyre letrave me vlerë do të jetë dy vjet, ndërsa vlera minimale e investimit do të jetë 10.000 denarë, ndërsa norma e interesit do të përcaktohet në mënyrë shtesë, sipas kushteve të tregut financiar.
Emetimi i fletobligacionit të qytetarëve është vendim strategjik shumëvjeçar
Emetimi i fletobligacionit të qytetarëve nuk është vendim aktual, as vendim vjetor, ky është vendim strategjik. Ai është pjesë e strategjive shumëvjeçare, si Strategjia e zhvillimit të tregut financiar dhe Strategjia e menaxhimit të borxhit publik, si dhe Plani i përshpejtimit të rritjes ekonomike. Zgjerimi i tregut të kapitalit, respektivisht pasurimi i tregut të letrave me vlerë me instrumente të reja financiare, para së gjithash, i destinuar ndaj rritjes së kapaciteteve në nivel nacional për mobilizimin e mjeteve, si dhe nxitjen e investimeve dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Kam shkruar disa herë për “Planin Juncker”, për stimulimin e aktivitetit ekonomik në BE pas recesionit të shkaktuar nga kriza financiare globale nëpërmjet mobilizimit të mjeteve private dhe publike. Mobilizimi i mjeteve private përmes instrumenteve të reja financiare, sa i përket financimit të nevojve publike, rekomandohet edhe nga Banka Botërore, e cila thekson nevojën e diversifikimit të burimeve të financimit.
Roli i tregjeve financiare në të gjitha vendet është shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike. Ato e orientojnë kapitalin nga investitorët drejt kërkuesve dhe për shkak të kësaj e rrisin kapitalin ekzistues, duke krijuar vlera të reja në ekonomi. Për ta kuptuar më mirë nevojën e vendosjes së instrumenteve të reja financiare, si dhe diversifikimin e tregut të kapitalit, do të jap përmbledhje të shkurtër të tregut financiar në vendin tonë, përkatësisht platformës ku takohet oferta dhe kërkesa për sigurimin e financave.
Tregu i kapitalit specifik për ekonominë në zhvillim
Shteti ynë nuk paraqet përjashtim nga shumica e vendeve në zhvillim, ku sektori financiar është përqendruar mbi bankat (bankocentrik), përkatësisht bankat ofrojnë qasje në financa, ndërsa tregu i kapitalit ende nuk është i zhvilluar në mënyrë të mjaftueshme. Mjetet e bankave përfshijnë mbi 80% të aktivës së përgjithshme të sektorit financiar, ndërsa aktivitetet e segmenteve të tjera të sistemit financiar, me përjashtim të fondeve të detyrueshme pensionale me financim kapital, janë pothuajse modeste. Në bursë vërehet përqendrim i theksuar i qarkullimit të disa aksioneve, me ç’rast gjatë periudhës së shkurtër të ekspansionit ekonomik global dhe rajonal (2005-2007), kishim “bum në bursë”, megjithatë kriza globale financiare “e pagoi pjesën e saj”, respektivisht u regjistrua ulje drastike.
Në tregun e fletobligacioneve, në vendin tonë, dominojnë fletobligacionet shtetërore, ndërsa kërkesa është përqendruar mbi investitorët institucionalë, para se të gjithash, për shkak të ofertës së kufizuar të instrumenteve, si dhe informimit të pamjaftueshëm të publikut në përgjithësi. Gjegjësisht, investimet e personave fizikë në letrat shtetërore me vlerë, pothuajse janë të papërfillshme. Gjithashtu, tregu sekondar nuk është i zhvilluar, që është rezultat i dominimit të institucioneve financiare. Tregu i fletobligacioneve korporative është shumë i vogël, ndërsa fletobligacionet komunale, deri më tani, nuk janë emetuar (edhe pse ka pasur përpjekje në këtë drejtim).
Zhvillimi i tregut të letrave shtetërore me vlerë
Në tregun e letrave shtetërore me vlerë, pas pavarësisë, ekzistojnë fletobligacione strukturore dhe të vazhdueshme. Fletobligacionet strukturore synojnë kompensimin e personave të caktuar fizikë dhe juridikë në aspekte të ndryshme, si fletobligacionet e denacionalizimit, ato të kursimit të vjetër devizor, kredive selektive, si dhe privatizimit të bankës “Stopanska”. Në anën tjetër, letrat e vazhdueshme janë destinuar për mobilizimin e mjeteve në sektorin publik, përkatësisht ato janë burim i brendshëm i financimit të nevojave publike. Si pjesë e Strategjisë për zhvillimin e letrave shtetërore me vlerë, letrat e para të vazhdueshme me vlerë u emetuan në muajin janar të vitit 2004, përmes emetimit të bonove tremujore në tregun vendor. Për emetimin e këtyre letrave shtetërore me vlerë u përzgjodh mekanizmi i ankandit, si mënyra më transparente dhe tregtare e shitjes, me qëllim të minimizimit të kostove të financimit të deficitit buxhetor.
Ankandi i emetimit të bonove të para shtetërore hasi në interes të madh tek investitorët, me ç’rast ishte e pritshme duke marrë parasysh se u prezantua instrumenti i ri financiar pa rrisk në treg. Shumë shpejt u emetuan bonot 6 mujore, ndërsa në vitin 2005 u emetuan bonot 12 mujore dhe fletobligacioni dyvjeçar. Me këtë u vendos tregu vendor primar i letrave shtetërore me vlerë. Mirëpo, tregu primar është shumë i rëndësishëm për servisimin rrjedhës së nevojave të likuiditetit në Buxhet dhe është një burim i shpejtë, transparent dhe cilësor për qasje në kapitalin e financimit të nevojave buxhetore.
Lidhur me letrat shtetërore me vlerë, të destinuara për tregun e huaj, në muajin dhjetor të vitit 2005, vendi ynë u paraqit për herë të parë në tregun ndërkombëtar të kapitalit me emetimin e euroobligacionit të parë, ku me këtë emetim dolëm në pah për herë të parë në hartën e investorëve botërorë.
Gjatë 18 viteve të kaluara, tregu vendor i letrave shtetërore me vlerë u zhvillua përmes ofertës së instrumeteve afatshkurtra dhe afatgjata, nga bonot njëmujore deri në fletobligacionet 30 vjeçare, ndërsa në tregun ndërkombëtar morëm pjesë me gjthsej 9 eurobligacione.
Krijimi i mundësive të reja të tregut financiar për investitorët vendorë
Me propozimin e Ministrisë së Financave, nga Qeveria u miratua Stretegjia e zhvillimit të tregut financiar në funksion të zhvillimit të tregut financiar në vendin tonë, për krijimin e më shumë mundësive, si për investitorët ashtu edhe për kompanitë, për qasje në kapitalin e financimit të projekteve, si dhe për nxitjen e krijimit të vlerave të reja të inovacionit. Strategjia është përgatitur përmes procesit inkluziv të shkëmbimit të ideve dhe konsultimeve në kuadër të Këshillit të zhvillimit të tregut të kapitalit, me të cilin kryeson Ministria e Financave.
Qëllimet kryesore të strategjisë në fjalë janë: rritja e kontributit në tregun e letrave me vlerë në PBB-në e vendit, përforcimi dhe ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë në sistemin financiar, përkrahja e zhvillimit dhe zbatimi i zgjidhjeve dixhitale për rritjen e nivelit të disponueshmërisë së instrumenteve në tregun e kapitalit, si dhe rritjen e efikasitetit të proceseve që zhvillohen në të. Me këtë strategji, parashihet: rritja e nivelit të ofertës për llojet e ndryshme të fletobligacioneve, por edhe nxitja e kërkesave përmes instrumenteve me kushte të favorshme; rritja e nivelit të letrave me vlerë të kapitalit, përmes stimulimit të ofertave publike iniciale dhe privatizimit të pjesshëm apo të plotë nëpërmjet bursës me qëllim të zhvillimit të tregut primar të aksioneve; rritja e shfrytëzimit të potencialeve të investitorëve institucionalë në funksion të zhvillimit të tregut të kapitalit; ndryshimi i arkitekturës së rregullimit financiar jobankar, si dhe qasja e organizuar (institucionale) në rritjen e nivelit të edukimit financiar në kuadër të tregut të kapitalit.
Përmes realizimit të strategjisë pritet zhvillimi i shpejtë i tregut të kapitalit dhe përafrimi me mesataren e BE-së.
Interesi për investime tek investitorët vendorë është evident. Shembulli më i dukshëm është trendi me rritje të shpejtë të investimeve në kriptovalutat, të cilat janë me rrisk të lartë. Si rrjedhojë është e pashmangshme vendosja e instrumenteve të reja financiare në tregun vendor, të cilat janë të rregulluara dhe nuk paraqesin rrisk (që është shumë e rëndësishme kur bëhet fjalë për mjetet e qytetarëve), që ta absorbojnë këtë kapacitet investues. Në drejtim të zhvillimit të tregjeve financiare, veprojmë në mënyrë strategjike përmes rritjes së pjesëmarrjes së investitorëve individualë dhe institucionalë dhe rritjes së kërkesës së letrave shtetërore me vlerë; përmes alternativave të shumta të investimeve; përmes rritjes së ofertës së letrave me vlerë të borxhit dhe të kapitalit; avancimit të rregullativës për harmonizim me direktivat evropiane dhe rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar të sektorit korporativ dhe të amvisërive.
Nxitja e kërkesës, planifikohet të arrihet përmes rendimenteve më të larta, si rezultat i masave të uljes së kostove të transaksioneve, atyre informative dhe tatimore, si dhe ndryshimeve të kufizimeve rregullatore për disponimin e informacioneve sinjifikative. Në aspekt të ofertës, siç theksova paraprakisht, parashihen instrumente të reja të vendit në përputhje me pikësynimet e Planit të rritjes së përshpejtuar, si dhe parashihen lehtësime gjatë procedurave, nëpërmjet lehtësimeve tatimore dhe rregullatore të rëndësishme dhe stimulimeve për rritjen e numrit të kompanive të listuara në bursë, po ashtu edhe realizimit të ofertave publike iniciale, duke përfshirë kompanitë shtetërore. Një numër i madh i ndryshimeve ligjore dhe zgjidhjeve të reja ligjore (një pjesë janë zbatuar tashmë) parashihen për shkak të lehtësimeve gjatë funksionimit, siç janë: Ligji i Instrumenteve Financiare, Ligji i Prospekteve dhe Transparencës, Ligji i Fondeve të Investimit, zgjidhjet ligjore në fushën e fondeve alternative të investimit, Ligji i Shërbimeve të Pagesave dhe Sistemeve të Pagesave, Ligji i Shoqërive Financiare, Ligji i Stabilitetit Financiar etj.
Instrumentet e reja përmes letrave shtetërore me vlerë
Ashtu siç theksova edhe më sipër, devirsifikimi i tregut dhe portofolit të letrave shtetërore me vlerë është në funksion dhe në menaxhim prudent me borxhin publik, në mënyrë përkatëse është pjesë e strategjisë së menaxhimit të borxhit publik. Fletobligacioni zhvillimor i qytetarëve është vetëm një nga modelet e reja të fletobiligacioneve të prezantuara në strategji. Përkatësisht, Ministria e Financave është duke punuar në vendosjen e llojeve të reja të instrumenteve financiare me zbatime të ndryshme siç janë fletobligacionet zhvillimore, fletobligacionet e gjelbra dhe fletobligacionet projektuese.
Fletobligacionet zhvillimore kanë si qëllim nxitjen e financimit të projekteve zhvillimore në vend. Këto fletobligacione do të indeksohen me normë interesi kuponi dhe do të destinohen edhe për bankat, fondet pensionale, investitorët e tjerë institucionalë dhe juridikë, si dhe për personat fizikë.
Fletobligacionet e gjelbra do të destinohen për nxitjen dhe përkrahjen e projekteve për mbrojtjen dhe avancimin e mjedisit jetësor dhe për financimin e projekteve ekologjike. Ndryshe nga fletobligacionet ekzistuese, fletobligacionet e gjelbra do të shfrytëzohen vetëm për projekte investuese për zhvillimin e gjelbër.
Fletobligacionet projektuese do të jenë mënyrë alternative për financimin e projekteve të lidhura me infrastrukturën. Ato do ofrojnë mundësi për investitorët institucionalë që të marrin pjesë në projektet infrastrukturore përmes letrave shtetëtore të listuara, që mund të tregtohen dhe të ofrojnë rendimente superiore të përshtatura ndaj rriskut.
Fletobligacionet zhvillimore për qytetarët ose fletobligacionet e qytetarëve, siç theksova edhe në fillim të kësaj kolumne, do të destinohen eksluzivisht për qytetarët për mobilizimin e kapitalit, që është në formë të kursimeve të parave të gatshme te qytetarët, por edhe mjeteve që i kanë si depozita në banka. Si rezultat, do të arrihen efekte të trefishta, përkatësisht do të reduktohen paratë e gatshme si një nga masat për uljen e ekonomisë joformale, rendimente ndaj kursimeve, ndërsa mjetet do të vihen në funksion të zhvillimit. Me fjalë të tjera, do të mbrohet vlera e kursimeve të qytetarëve dhe do të përkrahet zhvillimi i vendit.
Përfitimet
Së fundi, më lejoni t’i përmbledh edhe përfitimet e instrumenteve të reja por edhe të Strategjisë së përgjithshme të zhvillimit të tregjeve financiare në vend.
Investimet pa rrisk dhe rendimentet – poseduesit e letrave shtetërore me vlerë, si kompensim të investimit të tyre, kanë normë përkatëse interesi. Njëkohësisht, letrat shtetërore me vlerë njihen si instrumentet më të sigurta financiare.
Ballafaqimi me presionet inflacioniste – nëpërmjet investimit në instrumentet e reja financiare të shtetit, qytetarët do ta mbrojnë vlerën e kursimeve të tyre që disponojnë. Gjithashtu, do të reduktohen presionet ndaj konsumit, si rrjedhojë edhe presionet inflacioniste.
Rritja ekonomike – investimet janë pjesë integrale e rritjes ekonomike. Instrumentet e reja investuese do t’i nxisin investimet publike dhe private dhe me përfitimet e arritura, si hapja e vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i standardit jetësor, do ta përshpejtojnë rritjen.
Projektet e mëdha kapitale – numër i madh i instrumenteve të reja lidhen me realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, të cilat do të kontribuojnë në krijimin e kushteve më të mira të jetesës në vend.
Menaxhimi prudent i borxhit – strategjia e menaxhimit prudent të borxhit publik, lidhur me qëndrueshmërinë dhe servisimin e borxhit, bëhet nëpërmjet portofolit të diversifikuar sipas afatizimit, kostos dhe instrumenteve për arritjen e rriskut më të ulët. Me fletobligacionet e qytetarëve, kostoja e interesit të buxhetit do të jetë më e ulët se huamarrja në tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo është edhe në kuadër të angazhimeve të shtetit për konsolidimin fiskal nëpërmjet kostove dhe kushteve të tjera të financimit.
Reduktimi i parave të gatshme në funksion të ballafaqimit me ekonominë gri – paratë e gatshme janë ndër bartësit e ekonomisë gri, përkatësisht nëpërmjet qarkullimit të parave të gatshme në instrumentet investuese, veprohet edhe ndaj këtyre rrisqeve. Përveç kësaj, do të zbatohen të gjitha rregullativat ligjore ekzistuese dhe standardet ndërkombëtare të mbrojtjes nga pastrimi i parave.
Përfitimet janë të shumta dhe në tregun financiar ka shumë hapësirë për inovacione. Me strategji të qartë dhe të mirëvendosur, besoj se mund të flasim edhe më tej mbi rezultatet dhe përfitimet e këtyre masave.