28 maj 2023, Shkup – Fletobligacionet e qytetarëve janë investim pa rrisk që do t’u sjellë rendimente qytetarëve, do ta mbrojë vlerën e kursimeve të tyre nga efektet e inflacionit dhe do ta rrisë sigurinë e përgjithshme të portofolit të tyre. Këto letra me vlerë afatgjata, të cilat shteti do t’i emetojë muajin e ardhshëm, do të sjellin një sërë përfitimesh, si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë. Ato do ta stimulojnë aktivitetin investues, do ta reduktojnë qarkullimin e parave të gatshme – që është një nga mënyrat për luftimin e ekonomisë gri, por edhe do të ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të letrave me vlerë në vend, shkruan në kolumnën e tij të fundit, ministri i Financave Fatmir Besimi.
Afatizimi i këtyre letrave me vlerë do të jetë dy vjet, me ç’rast vlera minimale e investimit do të jetë 10.000 denarë, ndërsa norma e interesit do të përcaktohet në mënyrë shtesë, sipas kushteve të tregut financiar.
“Poseduesit e letrave shtetërore me vlerë, si kompensim të investimit të tyre, kanë normë përkatëse interesi. Njëkohësisht, letrat shtetërore me vlerë njihen si instrumentet më të sigurta financiare. Nëpërmjet investimit në instrumentet e reja financiare të shtetit, qytetarët do ta mbrojnë vlerën e kursimeve të tyre që disponojnë. Gjithashtu, do të reduktohen presionet ndaj konsumit, si rrjedhojë edhe presionet inflacioniste”, theksoi ministri i Financave.
Besimi në kolumnë i referohet edhe Strategjisë së zhvillimit të tregut financiar, e cila u miratua nga Qeveria me propozim të Ministrisë së Financave dhe u krijua përmes procesit inkluziv. Emetimi i llojeve të tjera të fletobligacioneve të reja parashihet pikërisht në kuadër të kësaj strategjie, si fletobligacionet zhvillimore – të cilat do ta stimulojnë financimin e projekteve zhvillimore në vend, fletobligacionet e gjelbra – të cilat do të destinohen për projekte lidhur me përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe fletobligacionet projektuese të cilat do të jenë mënyrë alternative e financimit të projekteve që lidhen me infrastrukturën.
“Investimet janë pjesë integrale e rritjes ekonomike. Instrumentet e reja investuese do t’i nxisin investimet publike dhe private dhe me përfitimet e arritura, si hapja e vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i standardit jetësor, do ta përshpejtojnë rritjen. Numër i madh i instrumenteve të reja lidhen me realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, të cilat do të kontribuojnë në krijimin e kushteve më të mira të jetesës në vend. Instrumentet e reja do të kontribuojnë edhe në menaxhimin prudent të borxhit. Strategjia e menaxhimit prudent të borxhit publik, lidhur me qëndrueshmërinë dhe servisimin e borxhit, bëhet nëpërmjet portofolit të diversifikuar sipas afatizimit, kostos dhe instrumenteve për arritjen e rriskut më të ulët. Me fletobligacionet e qytetarëve, kostoja e interesit të buxhetit do të jetë më e ulët se huamarrja në tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo është edhe në kuadër të angazhimeve të shtetit për konsolidim fiskal nëpërmjet kostove dhe kushteve të tjera të financimit. Përfitimet janë të shumta dhe në tregun financiar ka shumë hapësirë për inovacione. Me strategji të qartë dhe të mirëvendosur, besoj se mund të flasim edhe më tej mbi rezultatet dhe përfitimet e këtyre masave”, shkruan ministri Besimi.