14 qershor 2023, Shkup – Sot në Shkup u mbajt konferenca koordinuese e projektit tuining i financuar nga Bashkimi Evropian IPA 2018 “Përforcimi i funksioneve të planifikimit, realizimit dhe kontrollit të brendshëm të buxhetit”. Qëllimi i konferencës ishte prezantimi i rezultateve sinjifikative që janë arritur nga fillimi i projektit në muajin shkurt të vitit 2020 e deri më sot.
Fjalim përshëndetës në Konferencë kishte zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski, i cili theksoi se projekti tuining siguron përkrahje të konsiderueshme për institucionet tona në zbatimin e reformave në menaxhimin e financave publike, si dhe përkrahje për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian për kapitujt përkatës, të parashtruara në vendin tonë. “Përmirësimi i menaxhimit të financave publike është një nga prioritetet kyçe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe një nga prioritetet për aderim në Bashkimin Evropian.
Me qëllim të zbatimit sa më të suksesshëm të këtij prioriteti, që përfshin disiplinën fiskale, qëndrushmërinë e borxhit dhe menaxhimin e financave publike në mënyrë efikase, transparente dhe moderne, Qeveria ka vendosur që përmes Ministrisë së Financave t’i përkushtohet zbatimit të reformës gjithpërfshirëse mbi menaxhimin e financave publike, me ç’rast është e nevojshme edhe përkrahja e partnerëve tanë të BE-së, institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe donatorëve”, theksoi zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski.
- Janë përpiluar rreth 60 rregullativa (ligje, akte nënligjore dhe metodologji);
- Janë mbajtur mbi 60 trajnime, punëtori dhe diskutime në tryeza të rrumbullakëta;
- Është përforcuar planifikimi buxhetor në periudhë afatmesme, i prezantuar në Strategjinë e re fiskale, që përmban më shumë të dhëna kuantitative dhe cilësore në përputhje me rekomandimet e marra nga ekspertët e projektit;
- Sistemi ekzistues i kontrollit të brendshëm financiar në sektorin publik është përmirësuar në drejtim të vendosjes së sistemit bashkëkohor, përkatës dhe efektiv në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe kërkesat e Komisionit Evropian;
- Kanë filluar aktivitetet për themelimin e Akademisë së Financave Publike në Ministrinë e Financave;
- Programi nacional për certifikimin e revizorëve të brendshëm është në proces të zhvillimit;
- Është përmirësuar inspektimi financiar dhe janë përforcuar kapacitet e tij;
- Është përgatitur Strategjia e prokurimeve publike, si dhe metodologjia përkatëse në përputhje me strategjinë;
- Strategjia nacionale kundër mashtrimit është përditësuar, ndërsa rrjeti në luftën kundër mashtrimeve AFCOS është krijuar plotësisht;
- Janë përmirësuar sistemet për prokurimeve publike dhe parashtrimin e ankesave;
- Janë përmirësuar kapacitetet e shfrytëzuesve buxhetorë në nivel qendror dhe lokal në drejtim të zbatimit të legjislacionit për menaxhimin e financave publike dhe shfrytëzimin e instrumenteve moderne.
Pikësynimi kryesor i projektit është përmirësimi i mëtejshëm i efikasitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve publike nëpërmjet aktiviteteve që përkrahin zbatimin e Programit të reformës së menaxhimit të financave publike.
Projekti zbatohet nga Ministria e Financave e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me partnerë të vendeve anëtare nga Mbretëria e Holandës, Republika e Kroacisë, Republika e Bullgarisë dhe Republika e Letonisë. Projekti ka kohëzgjatje prej 49 muajve me një buxhet total në dispozicion për realizim prej 3.700.000 eurove.
Për më shumë informata, ju lutemi kontaktoni: z. Mite Mitevski, lider i projektit të vendit shfrytëzues,
Posta elektronike: mite.mitevski@finance.gov.mk