1 korrik 2023, Shkup – Fletobligacionet shtetërore janë investim stabil dhe pa rrisk dhe mënyrë për kursime të sigurta. Por, këshilltarët financiarë filluan t’i rekomandojnë gjithnjë e më shumë si një mundësi e shkëlqyer për investime dhe për shkak të kushteve gjithnjë e më të favorshme që ofrohen për ta. Një analiste e Bloomberg, i vlerësoi fletobligacionet shtetërore si “tejet” tërheqëse. Ankandet e fletobligacioneve shtetërore janë bërë aq interesante sa filluan ta “thyejnë” internetin. Gjegjësisht, në fund të vitit të kaluar, Ministria e Financave e SHBA-së e “theu” rrjetin e internetit me ankandin e fletobligacionit njëvjeçar “I Bond”, kur mijëra qytetarë bllokuan faqen e tyre të internetit, duke u përpjekur në blerjen e fletobligacioneve. Pothuajse edhe vendimet e investimeve të Warren Buffett tregojnë se fletobligacionet shtetërore janë të dëshirueshme në çdo portofol investimi.
Letrat shtetërore me vlerë adekuate, të sigurta, me ndryshimin e politikës monetare të bankave qendrore të botës dhe shtrëngimin e kushteve financiare, janë kthyer në investime të dëshirueshme, që sjellin rendimente më të larta krahasuar me shumë produkte të tjera financiare. Kështu për shembull, nëse fletobligacionet amerikane para krizës rezultuan me rendiment më të ulët se 1%, ndërsa tani është pothuajse 4% ose 5%. Kushtet globale tregojnë periudhë të favorshme për investime në këtë lloj të letrave me vlerë.
Tani, t’i referohemi tregut tonë të kapitalit. Ndonëse ky treg është pak i zhvilluar, karakteristikë e ekonomisë në zhvillim, javën e kaluar hodhëm një hap të rëndësishëm përpara në zhvillimin e tregut të kapitalit, më saktë të tregut të letrave me vlerë, nëpërmjet publikimit të prospektit për ankandin e parë të fletobligacioneve të qytetarëve. Fletobligacionet e qytetarëve janë letra shtetërore me vlerë, të destinuara për qytetarët, qëllimi i të cilave është mobilizimi i mjeteve nga sektori privat (amvisëritë), krijimi i mundësisë së re për kursime dhe investime nga personat fizikë, si dhe zhvillimi i tregut të letrave me vlerë.
Ankandi i parë i flobligacioneve të qytetarëve në vend do të mbahet më 13 korrik 2023. Ankandi është në vlerë prej 600 milionë denarëve, me vlerë nominale të një fletobligacioni prej 10.000 denarëve, me afatizim prej dy vitesh dhe interes kuponi në të gjithë shumën prej 5%. Qytetarët tashmë mund të aplikojnë pranë bankave komerciale në të gjithë vendin për blerjen e këtyre fletobligacioneve dhe ta paguajnë shumën që duan ta investojnë. Gjatë dy javëve të ardhshme shërbimet e Ministrisë së Financave do të jenë në dispozicion për t’i informuar qytetarët dhe për t’i ndihmuar ata në procesin e investimit në fletobligacione. Këtë kolumnë e vë edhe në funksion të informimit të publikut, duke shpjeguar 5 arsye se pse duhet investuar në këtë letër me vlerë.
Arsyeja e parë: Normë jashtëzakonisht e favorshme e interesit
Me interes kuponi prej 5% dhe afat maturimi dyvjeçar, fletobligacioni i qytetarëve është aktualisht një nga letrat me vlerë më të favorshme në treg, por edhe ndër produktet financiare në përgjithësi. Do të përpiqem ta shpjegoj në mënyrë ilustruese përmes shembullit vijues. Fletobligacioni i qytetarëve ka interes kuponi, që do të thotë se interesi i paguar nga shteti për poseduesin, paguhet në disa këste, sipas afateve të përcaktuara në prospekt. Në rastin e fletobligacioneve të qytetarëve të ofruara në këtë ankand, interesi do t’i paguhet poseduesit në datat 20.07.2024 dhe 20.07.2025. Kjo do të thotë se nëse dikush investon tani 100.000 denarë, në datat e përcaktuara shteti do t’i paguajë interes prej 5.000 denarë, ose gjithsej do të ketë rendiment prej 10.000 denarë për dy vjet, ose 10% të vlerës. Në përfundim të afatit të fletobligacionit, shteti kthen të gjithë shumën e investuar nga qytetari. Një fletobligacion ka vlerë prej 10.000 denarëve, që është investim minimal që mund të bëjnë qytetarët. Atyre do t’u jepet mundësia që të tregtojnë me fletobligacione edhe në tregun sekondar, nëpërmjet bankave apo drejtpërdrejt në bursë nëse ka ofertë dhe kërkesë për to.
Arsyeja e dytë: Investim i sigurt
Përndryshe, letrat shtetërore me vlerë njihen për investitorët si instrumenti më i besueshëm i investimit, sepse shteti qëndron pas tyre si emetues dhe garanton sigurinë e tyre dhe sigurinë e rendimentit. Dua të theksoj se që nga viti 2004, kur Ministria e Financave filloi emetimin e letrave shtetërore me vlerë, ka pasur gjithmonë interes të lartë për to nga investitorët institucionalë – bankat dhe fondet. Kjo flet shumë për cilësinë e letrave me vlerë. Tashmë edhe qytetarët do të mund t’i gëzojnë këto përfitime, me instrument të projektuar posaçërisht për ta, me kushte jashtëzakonisht të favorshme si në aspektin e maturimit ashtu edhe të interesit. Fletobligacionet e qytetarëve ofrojnë siguri edhe nga një aspekt tjetër, që është mbrojtja e kursimeve të qytetarëve nga efektet e inflacionit.
Procedura për të investuar në fletobligacionin e qytetarëve është jashtëzakonisht e thjeshtë. Qytetarët duhet të drejtohen në ndonjë nga bankat komerciale dhe të parashtrojnë kërkesë për pjesëmarrje në ankand, si dhe ta paguajnë vlerën monetare për të cilën duan të blejnë fletobligacione. Kërkesa duhet të dorëzohet në bankë, më së voni një ditë para ankandit. Pas përfundimit të ankandit, aplikuesit lidhin marrëveshje, me ç’rast fletobligacioni regjistrohet në emër të tyre dhe më pas, me maturimin e afateve, atyre u paguhet interesi.
Arsyeja e tretë: Zgjerimi i portofolit investues nëpërmjet tregut të zhvilluar të kapitalit
Investimet në fletobligacionet e qytetarëve do ta zgjerojnë portofolin e investimeve dhe do ta diversifikojnë rriskun për kursimet e qytetarëve. Pra, qytetarët do të bëhen pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në tregun e kapitalit ku mund të vendosin për investimet e tyre dhe kjo do të bëhet pjesë e shprehisë së menaxhimit të kapitalit të tyre në të ardhmen.
Vendosja e fletobligacionit të qytetarëve do të thotë risi në financat publike dhe tregun financiar në vendin tonë, i cili parashikohet në dokumentet tona strategjike, në Strategjinë e zhvillimit të tregut financiar dhe në Planin për përshpejtimin e rritjes ekonomike, që do të mundësojë mobilizimin e fondeve nga sektori privat në zhvillimin e vendit, ngjashëm me planin Juncker dhe shembuj të tjerë në vendet e zhvilluara për të cilat kam shkruar edhe më parë në kolumnat e mia. Në këtë drejtim është edhe Plani ynë nacional për përshpejtimin e rritjes ekonomike, i cili parashikon axhendë ambicioze investimi për një periudhë më të gjatë nëpërmjet veprimit të koordinuar të kapitalit publik dhe privat. Plani parashikon gjithashtu mekanizma specifikë për nxitjen e aktivitetit investues nga sektori privat, si partneritetet publike dhe private, Fondi garantues, por edhe lloje të reja të letrave shtetërore me vlerë, ku secila, sipas destinimit të saj, do të kontribuojë në arritjen e pikësynimeve shoqërore.
Krahas fletobligacioneve të qytetarëve, planifikohet edhe emetimi i fletobligacioneve zhvillimore, të cilat kanë si pikësynim nxitjen e financimit të projekteve zhvillimore në vend dhe do të destinohen për bankat, fondet pensionale dhe investitorët e tjerë institucionalë e juridikë, si dhe për personat fizikë. Planifikohen edhe fletobligacionet e gjelbra, të cilat do të destinohen në nxitjen dhe përkrahjen e projekteve për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe financimin e projekteve ekologjike. Nga ana tjetër, fletobligacionet projektuese paraqesin mënyrë alternative për financimin e projekteve lidhur me infrastrukturën, duke mundësuar që investitorët institucionalë të marrin pjesë në projekte infrastrukturore përmes letrave me vlerë të listuara.
E gjithë kjo do të kontribuojë në zhvillimin e tregut të kapitalit në vend, si dhe aktivitetit investues. Aktiviteti investues, nga ana tjetër, do të kontribuojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike.
Arsyeja e katërt: Lufta kundër ekonomisë gri
Për në fund, veçova një përfitim shumë të rëndësishëm të fletobligacioneve të qytetarëve – luftën kundër ekonomisë gri, një nga problemet kryesore strukturore në vendin tonë. Përkatësisht, vlerësimet janë se pothuajse një e treta e PBB-së së brendshme “përpihet” nga ekonomia gri, e cila na redukton të gjithëve kushte më të mira jetese, shërbime publike, të mira publike etj. Shtytësi kryesor i ekonomisë gri është paraja e gatshme, respektivisht mungesa e evidencës së qarkullimit të saj, që mundëson shmangien e pagesës së detyrimeve. Pikësynimi ynë është reduktimi i parave të gatshme në qarkullim përmes fletobligacioneve të qytetarëve, si dhe stimulimi i qytetarëve që t’i investojnë kursimet e tyre dhe të fitojnë para prej tyre. Qytetarët, përveç me paratë e tyre në banka, do të mund të blejnë fletobligacione edhe me para të gatshme në sportelet e bankave komerciale në vend sipas legjislacionit aktual duke respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare për luftë kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit.
Arsyeja e pestë: Investim për një të nesërme më të mirë, rritje dhe zhvillim ekonomik
Siç mund ta vërejë lexuesi, fillimisht fillova me përfitimet e fletobligacionit të qytetarëve për individin – qytetarin. Dhe përfitimi tjetër – “investim për një të nesërme më të mirë” i referohet përfitimit personal, por edhe benefiteve për shoqërinë në tërësi. Gjatë intervistës së fundit, gazetari më pyeti nëse investimi në letrat me vlerë të vendeve të tjera është investim më i mirë për qytetarët e Maqedonisë. Kjo pyetje prek esencën se përse Qeveria vendosi të ndërmarrë këtë hap, respektivisht të emetojë fletobligacion të qytetarëve. Nëse ne nuk u ofrojmë qytetarëve mundësi investimi, atëherë ata do t’i investojnë mjetet e tyre jashtë vendit. Në këtë rast, një vend tjetër do të ketë mjete për të investuar në infrastrukturë dhe në të mira të tjera publike, me ç’rast do të zhvillohet vendi dhe do t’u ofrojë qytetarëve standard më të mirë dhe kushte më të mira jetese.
Më lejoni të shpjegoj më detajisht. Mjetet nga fletobligacioni i qytetarëve janë destinuar për përkrahje buxhetore, që do të thotë se do të shfrytëzohen për servisimin e nevojave aktuale, por edhe për zërat zhvillimorë në buxhet. Duke pasur parasysh se në buxhetin e vitit 2023 deficiti është më i ulët se shpenzimet kapitale, sipas rregullit të artë fiskal, me fletobligacione të qytetarëve do të financohen projektet zhvillimore, respektivisht edhe rritja ekonomike. Me fjalë të tjera, mjetet që qytetarët investojnë në fletobligacionin e qytetarëve do të destinohen në ekonomi. Duke injektuar mjete në ekonomi, do të krijohet vlerë e shtuar, do të rritet produktiviteti, do të investohet, do të hapen vende të reja pune, do të paguhen tatimet e shtetit, me ç’rast shteti do të ketë më shumë mjete për investime në projekte kapitale, në avancimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Kjo është sekueca në të cilën jemi të gjithë dhe sigurimi për një të nesërme më të mirë varet nga të gjithë ne.
Këto janë disa nga përfitimet e fletobligacionit të qytetarëve, me ç’rast janë realisht të shumta. Më vjen mirë që një pjesë e madhe e qytetarëve tashmë i njohin dhe shfaqin interes të madh, ende pa e ditur normën e interesit (përfitimin personal). Kanë mbetur edhe dy javë deri në ankand, lamë më shumë hapësirë krahasuar me ankandet e rregullta të Ministrisë së Financave, në mënyrë që qytetarët të kenë kohë të parashtrojnë kërkesë. Ndërkohë, do të vazhdojmë me informimin me qëllim të lehtësimit të procedurës.
Duke marrë parasysh përfitimet e mësipërme, do të nënvizoja se investimi në fletobligacionin e qytetarëve është një investim “tejet” tërheqës, respektivisht është investim i sigurt për një të ardhme më të mirë, për të gjithë qytetarët, si ato që jetojnë këtu, poashtu edhe ata nga diaspora. Domethënë, qytetarët do të kenë përfitime personale dhe do të kontribuojnë për të mirën e përbashkët dhe zhvillimin e vendit. Siç ka thënë presidenti i madh amerikan, John F. Kennedy: “Mos shikoni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.”